Mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë me llogari bankare jashtë vendit, verifikime në 43 shtete për pastrime parash
Paniku në radhët e drejtësisë sa vjen dhe shtohet. Çdo ditë që kalon afron procesi i vetingut dhe kushdo që ka kryer afera korruptive dhe ka pasur lidhje me krimin do të detyrohet që të largohet. Gazeta u interesua pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive mbi punën që po kontrollohet për verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurove dhe përveç pronave e llogarive brenda vendit, një vëmendje e madhe po i kushtohet pasurive të tyre jashtë vendit. Sipas informacioneve, ILDKP po bashkëpunon me Drejtorinë e Pastrimit të Parave për të verifikuar llogaritë bankare të gjyqtarëve dhe prokurorëve jashtë vendit. Aktualisht në proces verifikimi janë 68 emra dhe mes tyre rezulton se ka persona me pasuri e llogari jashtë vendit, të cilat janë pjese e Gjykatës së Lartë apo e KLD. Por burime nga ILDKP thanë për gazetën se nga verifikimet paraprake janë mbi 60 gjyqtarë e prokurorë që kanë llogari jashtë vendit. Një zyrtar i rëndësishëm i tha gazetës se nga këta emra, 20 persona janë të kallëzuar nga ILDKP për fshehje pasurisë gjatë viteve të fundit, ndërsa pjesa tjetër e kanë deklaruar në formularin e pasurisë se kanë llogari apo prona jashtë vendit. Për këtë arsye në lëvizje është vënë Drejtoria e Pastrimit të Parave që po verifikon secilin emër. Por nga ky institucion mësohet se gjatë gjithë procesit të vetingut do të bashkëpunohet me 43 shtete për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët. DPP aktualisht ka marrëveshje bashkëpunimi me institucione homologe vetëm në 43 shtete dhe aty do kërkohet informacion. Përfaqësues të kësaj drejtorie thanë për gazetën se procedura që ndiqet është e tillë: Drejtoria përgjegjëse për pastrimin e parave në shtetin ku është lidhur marrëveshja, merr përsipër të ofrojnë të gjitha informacionet që zotëron në lidhje me çështjen e kërkuar, por në rast se këto informacione nuk mjaftojnë, ajo mund të kërkojë informacione të mëtejshme në strukturat e tjera të specializuara të shtetit. Pra, nëse për një gjyqtarë dhe prokuror kërkohet nga një shtet i caktuar informacion, atje mund të vihen në lëvizje të gjitha strukturat. Kjo do të thotë se kushdo që ka kryer afera dhe ka fshehur jashtë vendit paratë e korrupsionit, ato do të zbulohen.
Emrat me pasuri jashte vendit
Gazeta ka siguruar të dhëna sa i takon formularëve të deklarimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe rezulton se një pjesë e madhe e tyre kanë deklaruar llogari e prona jashtë vendit, ndërsa një pjesë tjetër kanë deklaruar të ardhura shumë të pakta. Nga konstatimet e ILDKP, deri më tani gjyqtarët rezultojnë me pasuri shumë të lartë, ndërsa prokurorët kanë pasuri modeste krahasuar me ta, pasi shumica kanë deklaruar vetëm banesat ku jetojnë dhe pagat e tyre dhe të familjarëve. Ndërsa gjyqtarët kanë me dhjetra llogari e prona. Sa u takon emrave që kanë llogari jashtë janë disa. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka deklaruar një pasuri prej 13.700 euro, në llogarinë e djalit të tij në “Deutch Bank”, Gjermani. Gjin Gjoni, anëtar i KLD dhe pjesë e Kolegjit zgjedhor, ka deklaruar se ka pasuri prej 10.397 euro në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. Brunilda Kadi, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës ekziston me një llogari bankare prej 3975 dollarë në emër bashkëshortit në SHBA. Neritan Cena, gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, ka deklaruar se posedon dy pasuri të patundshme në Gjermani, kurse Kastritot Gramshi, po gjyqtar pranë Gjykatës së Tiranës, ka një depozitë në Chase Bank, New York, prej 82689 dollarë, si dhe TD Bank po në New York në shumën 263 dollarë, si edhe shtëpi banimi me sipërfaqe 180 m2 në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarimi vjen nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive, i cili sqaron se pasuritë e të sipërpërmendurve do të nis të verifikohen më imtësisht.
Roli i ONM
Përveç ILDKP dhe DPPPP, një verifikim shumë të rreptë do të jetë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Burime nga prezenca e BE thanë se përfaqësuesit e saj do të kryejnë kontrolle deri te parajsat fiskale. Pjesë e stafit të ONM janë ekspertë të kësaj fushe dhe ata do të tentojnë të zbulojnë të gjitha paratë e fshehura. Theo Jacobs, ka përfunduar prej pak kohësh mandatin e Drejtorit të Zyrës Qendrore të Konfiskimeve dhe Sekuestrimeve të Belgjikës, dhe aktualisht është prokuror në Gjykatën e Apelit të këtij shteti. Ai do të jetë personi që do merrte me këtë proces dhe pritet që të godasë shumë gjyqtarë e prokurorë. /Kliti Topalli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


