E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mendje të ftohta për zgjedhje të nxehta
Sot

Mendje të ftohta për zgjedhje të nxehta

Nevila  Xhindi

Paskësh qënë thënë që zgjedhjet do jenë thembra e Akilit këtë verë të nxehtë, e nxehtë nga dielli, e nxehur nga adrenalina e fitores, e përvëluar nga trishtimi i humbjes. Zgjedhjet, ato që të japin mundësinë të përpaqësosh të paktët a të shumtët, ndjekësit politikë apo jo, simpatizantët, besnikët, hileqarët e servilët…zgjedhjet parlamentare…dhe jo vetëm ato, e “dogjën” këtë verë.

Të përvëluar nga trishtimi i humbjes, të inatosur nga ngjarjet që po ndodhin me shpejtësi të parashikuar për shumëkënd, ca të mërzitur dhe ca të inatosur, ca që shajnë, ca që lëvdojnë, ca servil e ca tradhëtar…e gjitha kjo një përplasje brezash, meritash, ofiqesh, grupimesh, pakënaqësish e dashurish …kjo është pak a shumë siç e shoh  PD-në time sot.

Sot e dje, dje e pardje, pardje e parsidje kam marrë e vazhdoj të marr mesazhe nga dhjetra miq, kolegë nga shoqëria civile, të njohur, partiakë e jo partiakë, të ditur, të lexuar, të ndershëm, ca dashamirës e ca kritizerë, ca konstruktive e ca mendojnë  mes llafeve…pra shumë, shumë. Të gjithë të interesuar për fatin e PDs, për opozitën e fortë që na pret dhe secili më kaloi një mesazh të rëndësishëm, shpesh i njëjti, disa herë i ndryshëm e disa herë i paqartë, por gjithnjë një mesazh që vlen në përpjekje të zgjidhjeve. Në dëshirën për të mbajtur mend çdo mesazh, truri bëri selektimin e vet dhe mbizotëruan  fjalët : bashkim-meritokraci -garë-  ringritje- opozitë të fortë Edi Ramës.

Çdo betejë ka humbës e fitues, por nga çdo betejë mendjet hapura e të ndritura kurrë nuk dalin humbëse: ose fitojnë, ose mësojnë. Mendoj që për Partinë Demokratike  fitoret  dhe mësimet në këto 27 vjet kanë qenë një shkollë e madhe demokracie, qëndrueshmërie, fisnikërie, shkollë për të elaboruar e praktikuar idetë e djathta, por kemi mësuar edhe nga konfuzioni me praktikat e majta, shkollë që na ka ndihmuar si të vlerësojmë njëri tjetrin, demokratët e thjeshtë, mbështetës pa pretendime të çdo kohe, të cilët janë vlerë, ato që na kanë  mbështetur hapur e pa kushte ofiqesh, shkollë ku janë pranuar e vlerësuar mendjet inovatorët, intelektualet…e kush më shumë e më mirë se PD.

Sigurisht në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht, por ndodh me arsye, që i po nuk i analizove me kujdes, pa emocion dhe në kohën e duhur, rrezikon të mos mësosh, të mos reflektosh dhe u jepet terren servilëve e inatçorëve, më shumë nga idealistëve e parimorëve.

Ama shumë shpejt mendja e nxehtë nxjerr të parin përgjegjës Lulzim Bashën.

Po, e drejtë, Basha duhet te gjykohet, por i tëri ama jo me copëza dhe jo i vetëm. Shumë prej nesh flasin nisur nga momentumi, i cili është humbës dhe jo nga analiza dhe faktet e opozitës së tij 4-vjeçare.

A arriti Basha dhe ne  demokratët  të bënim në PD një reformë  të thellë politike për bashkim ndaj kauzave të djathta? Them se përpjekjet serioze u bënë, pat arritje…por dhe dështime.

A nuk ju kujtohet sa i trishtë dhe i pashpresë ishte post qershori i 2013s? Por ne ditëm të ngrihemi, të jepnim shpresë për demokratët. Në pak kohë PD do rregjistronte dhe të shtonte anëtarësinë, të zgjidhte strukturat, të bënte zgjedhje për organet e saj të larta politike, të zgjidhte këshillin kombëtar e kryesinë e saj, të formonte dhe të mblidhte rreth departamenteve politikanë të rinj e të karrierës,  përfaqësues të ish pronarëve, të ish të përndjekurve politikë, profesionistë të fushave zhvillimore, artistë, sportiste, të rinj të mirëshkolluar, akademikë, intelektualë, njerëz të ndershëm e me integritet, gati për një PD të fortë, pa pasë axhendë republikash të reja a të vjetra, por të bashkuar për një opozitë Blu!

Në 4 vite PD bëri opozitë kundër drogës dhe krimit, u përball fuqishëm politikisht në parlament nën presionin dhe egërsinë e krimit, oligarkëve, numrave e vendimmarrjeve me efekte kombëtare të mazhorancën Rama- Meta.

Në këto 4 vite opozitë  Basha dhe demokratët arritën shumë në sferën e politikës me ligjin e dekriminalizimit, me perpjekjet dhe luftën kundër drogës, me luftën për zgjedhje të lira.

Në 4 vite u krijuan plot rrethana kundër opozitës së Lulzim Bashës, për të cilat të gjithë ne kemi debatuar, shkruar e dëgjuar, që ai nuk i kontrollonte.

Edhe pse ne sot flasim sikur këto 4 vite të kishin qenë një situate normale,  them se Basha objektivisht e ka pasë të veshtirë, opozitë e vështirë, sulme ndaj PDs dhe ndaj tij personalisht, sulmi i pushtetit për të gjunjëzuar opozitën dhe kreun e saj.

E Pra ishim  të gjithë bashkë dhe arritëm shumë!

Basha duhet të gjykohet nga tani e tutje për atë që po bën e do bëjë në vijim për të siguruar garë të ndershme. Tani do të duket vullneti dhe aftësia e tij politike. Padyshim që ka bërë gabime apo gjykime të diskutueshme, për arsyen e shumë faktorëve dhe rrethanave, shpjegimin e të cilave ua ka borxh çdo demokrati, deri në shpjegim shterrues.

PD-ja ka nevojë për të gjithë ne; sot më shumë se kurrë.  Një parti si kjo e jona, me kaq shumë kontribues politik që nga themelimi i saj e deri sot tek betejat e forta për demokraci, duhet të dijë të debatojë, të krijojë, të vlerësojë, ti japë ajër mendimit ndryshe, të ketë garë, pa mendje e inate të nxehta( pamvarësisht vapës).

Ne të gjithë duam PD-në, kjo është që na bashkon!

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.