Mos u habisni me Ramën, ndryshe purteka elektorale do t’i fshijë socialistët nga pushteti
Nuk e kuptoj pse janë habitur të gjithë me Ramën. Ishte veprimi më i pritshëm madje i detyrueshëm për të treguar se ka një ndjeshmëri për pakënaqësinë popullore të qeverisjes për shkak të arrogancës së molepsur. Çështja nuk është te ndryshimet në qeveri që ishte të domosdoshme dhe imediate, por te efekti që do të sjellim ato. A janë ministrat e rinj zgjedhje të duhura? Këtë do ta tregojë koha ndonëse emrat nuk premtojnë shumë. Atë që kryeministri duhej të tregonte, e tregoi. Me kujdesin për të mos pranuar problemet në mënyrën e qeverisjes Rama u kujdes të tregonte se mbetet i përgjegjshëm edhe pse ky reagim është tepër i vonuar pasi njerëzit kanë humbur besimin dhe nuk gënjehen më me fjalime autokritike por duan aksion real dhe produkte konkrete ndryshimi, në qeverisje, jo në emra. Në 2017-ën Rama iu tha shqiptarëve se duhej ti jepnin timonin për të larguar tepsinë nga pushteti e për të qeverisur siç duhet, ose për të bashkeqeverisur me ta. Në fakt Rama sot pranoi publikisht se nuk kishte bashkeqeverisur me shqiptarët, por me farefis e sorollop ministrash e drejtoreshësh socialistë. Sot ai kërkoi votëbesim publik përmes autokritikës vetopozitare, por kjo kartë është e djegur. Mundësia e vetme që njërëzit ta besojnë tashmë këtë qeveri është përulja dhe puna për të larë turpin e keqqeverisjes me fodullëk dhe arrogancë. Ndryshe purteka elektorale do t’i fshijë socialistët nga pushteti sikurse fshiu demokratët e degraduar në pushtet në vitin 2013-të. Historia mund të përsëritet!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



