E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Narcos, filmi vazhdon / Bledi KASMI
Sot

Narcos, filmi vazhdon / Bledi KASMI

 

Gjithçka nisi më 30 Shtator. Pikërisht atëherë kur “Timonieri” po shijonte frytet e fitores së zgjedhjeve farsë të 25 Qershorit dhe po mbante leksione mbi moralin e qeverisë erdhi një goditje që i ngjante rrufesë në qiell të pastër.

Ambasadori amerikan shfrytëzoi një takim me nxënësit të shkollave në Rrëshen, duke paralajmëruar se fitorja e pagëzuar me heshtjen e qeverisë së re nuk do ta kishte shumë të gjatë. “Ju jetoni në një demokraci. Nëse ju kërkoni, qeveria duhet t’ju përgjigjet, në të kundërt ju e rrëzoni. Kështu funksionon demokracia”, tha Ambasadori amerikan Lu.

Se çfarë luhej pas kuintave të politikës pakkush mund ta thotë në mënyrë zyrtare, por ajo që ka mbetur një shije e hidhur për partnerët ka qenë pikërisht 25 Qershori. Ndoshta shumë prej tyre mund të donin fitoren e Ramës në zgjedhje, por mënyra se si ajo u arrit la shije të hidhur.

Rama kishte bërë një pakt me opozitën në prani të fortë të negociatorëve ndërkombëtarë se do të bënte zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Rama e theu këtë marrëveshje, duke rrëzuar edhe fjalën që kishin dhënë partnerët e Shqipërisë. Ndërkohë, OSBE-ODIHR në raportin zyrtar të zgjedhjeve i rrëzuan ligjërisht këto zgjedhje, duke deklaruar se “votat u blenë dhe zgjedhësit u kërcënuan”.

Analiza e kancelarive mike të Shqipërisë e kishte lehtësisht të identifikueshme se nga vinin këto para që blinin votën dhe rrëzonin përfundimisht demokracinë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit fliste qartë për shndërrimin e Shqipërisë në qendrën e krimit të organizuar në rajon, ndërkohë shndërrimi i Shqipërisë në një plantacion gjigant droge kishte sjellë shqetësime të mëdha tek Italia fqinje.

Prokurori i Antimafias Italiane mbërriti në Shqipëri me një frymë, duke deklaruar se paratë e drogës po shkonin tek terrorizmi. Kjo është një pikë mjaft e ndjeshme për ndërkombëtarët në këto kohë të trazuara.

Fitorja e Ramës më 25 Qershor i ngjan asaj të Pirros. Ashtu si Pirro humbi gjeneralët dhe ushtrinë, Rama duket se tani do të ketë një fat të ngjashëm. Ai po lë jo gjeneralët e luftës, por gjeneralët e krimit dhe laku i parë është vendosur në fytin e ministrit të tij më të afërt të punëve të zeza, ish-ministrit të Brendshëm, i cili e frikëson dhe e fut në makth.

Pas deklaratës së 30 Shtatorit furtuna e operacionit SHBA-Itali ka njohur një kurbë ngjitje të shpejtë. A është kjo e koordinuar? Kjo pyetje nuk mund të ketë një përgjigje zyrtare, por shqyrtimi i deklaratave dhe aksioneve kundër krimit dhe mafias në pushtet shkon përtej paragjykimeve.

Më 2 Tetor Ambasadori amerikan bën një tjetër deklaratë të fortë “…zero ndjekje penale për ndonjë peshk të madh për organizim, drejtim apo financim i organizatave të trafikut të drogës… katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihet trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave”, deklaroi Ambasadori Lu.

Skeptikët menduan se si edhe shumë deklarata të tjera të forta kjo do të harrohej, por ashtu ndoshta si rastësisht një tjetër ngjarje e fortë tronditi opinionin.

Më 16 Tetor në Itali arrestohet Moisi Habilaj, krahu i djathtë në trafiqe i ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri dhe menjëherë pas arrestimit zbardhen përgjimet.

Në përgjime bëhet e qartë se si funksionon trafiku qeveritar i drogës dhe e rëndësishmja se si blihen votat në zgjedhje. Tahirit nuk i mjaftonin 5 milionë euro në muaj, ndërsa për blerjen e votave në një fushatë nuk mjaftonin 20 milionë euro që Tahiri i merrte nga trafiku i drogës.

A mund të ishin rastësi deklarata dhe aksioni Antimafia? Ndoshta. Po nuk ka përfunduar këtu. Më 25 Tetor zëvendësndihmësekretari amerikan i Shtetit, Lu reagon në “Zërin e Amerikës” përmes një interviste pasi mazhoranca refuzoi të dorëzojë tek drejtësia ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri. “Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administrates”, tha Yee.

Koordinimi i padeklaruar i operacionit SHBA-Itali vazhdon më 3 Nëntor. Në Tiranë mbërrin ministri i Brendshëm italian, Minniti. Takime më shumë konfidenciale se zyrtare dhe me një premtim të fortë publik për arrestimin e “peshqve të mëdhenj” për të cilin detyroi qeverinë që të mos ketë asnjë kundërshti.

Vendosmëria për t’i shkuar deri në fund këtij operacioni është e fortë. Pas 3 Nëntorit të ministrit të Brendshëm italian vjen edhe deklarata e djeshme e Ambasadorit amerikan se më në fund do të “hamë peshkun e madh”.

Filmi vazhdon. Por deri nga fillimi i këtij operacioni dhe deri tani janë folur publikisht dy skenarë; rrëzimi i qeverisë dhe burgosja e “peshkut të madh”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.