E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
NASTRADINI, GOZHDA, RAMA DHE FUSHA!
Sot

NASTRADINI, GOZHDA, RAMA DHE FUSHA!

Parlamenti, vetëm me votat e rilindësve, i dha rrugë ligjit të grabitjes së pronës publike për llogari të firmës ‘Fusha’, alias Edi Rama.
Ligji u ndryshua formalisht, nga ai i miratuar në fund të korrikut, sërish me vetëm votat e rilindësve.
Tashmë me ligj, është shpallur garë e “hapur” për të gjithë.
Por kush e vërteta dhe sa është realisht “garë“. Të mos harrojmë kemi të bëjmë me një pronë ku shteti zotëron mbi 90% të sipërfaqes.
Në emisionin ‘Real Story’ Edi Rama, si një fëmijë i lumtur që ka gjetur arsyen për të marrë lodrën e tij të preferuar, në këtë rast tokën publike për të ndërtuar kullat, u shpreh: Ne do hapim garën kush të dojë le të marrë letrat e pronarëve dhe të konkurrojë. Më pas ai vazhdoi në rolin e avokatit të firmës Fusha – se kush do futet në garë dhe të ndërtojë i duhet edhe leja e pronarëve ngjitur me të, d.m.th. të firmës Fusha. As u skuq as u zverdh, që nga Kryeministër ishte kthyer në avokat.
Fytyra i qeshte se kishte gjetur zgjidhjen. I lumtur, i qeshur dhe hokatar. Arsyetimi i tij me kujtoi historinë e gozhdës së Nastradinit. Rama e kishte ngulur gozhdën e tij, në mars të vitit 2016. Pasi mori tepsinë, ai do të marrë edhe pronën publike. Gozhdën e kishte.
Për ata që nuk e dinë punën e gozhdës së Nastradinit, po ua tregoj.
Nastradini i gjendur në vështirësi për para, vendos të shesë shtëpinë. Problemi ishte se Nastradinit i duhej vendi ku kishte shtëpinë.
I njohur për marifetet e tija e vendos shtëpinë në shitje me një çmim shumë më të lirë se çfarë vlente. Erdhi Hasani që donte të blinte shtëpinë dhe i thotë: “Pse o Nastradin e shet kaq lirë?”, Nastradini i përgjigjet, “E shes se më duhen para për të paguar ushtrinë e djalit të vetëm, por kam një kusht. E gjithë shtëpia është e jotja, dua vetëm një gozhdë të jetë e imja, një gozhdë që e ka vendosur stërgjyshi që kur e ka ndërtuar shtëpinë.”
Blerësi duke parë çmimin shumë të leverdishëm i thotë, “Hallall o Nastradin të qoftë gozhda.” Shkuan tek kadiu që të bënin letrat e shitjes dhe u shkrua:
“Shtëpia i shitet blerësit Hasan dhe gozhda ngelet pronë e patjetërsueshme Nastradinit. Ai, Nastradini, mund ta përdorë sa herë të dojë.”
Firmosën letrat, Nastradini mori paratë e ikën. Në familjen e Nastradinit filloi i biri, gruaja, vëllezërit dhe miqtë t’i thonin po si e shite kaq lirë o Nastradin, ndërsa ai vetëm qeshte. Kaloi një javë dhe ne një ditë të bukur shkon Nastradini tek shtëpia që kishte shitur, në vakt dreke dhe i thotë Hasanit, “ A ta var pak xhaketën tek gozhda ime?”, po i thotë Hasani, e jotja është. Vari xhaketën Nastradini dhe ikën.
Pa kaluar një orë shkon sërish Nastradini dhe i kërkon të marrë sërish xhaketën.
“Bujrum”, i thotë Hasani, -do pish ndonjë gjë?”
“Jo, se kam punë”, i thotë Nastradini. Merr xhaketën dhe ikën. Pas kësaj Nastradini filloi te shkonte orë e pa orë, në mes të natës, pa u gdhirë, në drekë, në darkë përditë. Kaluan dy muaj dhe Hasani nuk po gjente qetësi, Nastradini shkonte edhe 20 herë në ditë. Pa ç’pa Hasani i shkretë, një ditë i tha Nastradinit , “O Nastradin mos eja më se më çmende!”
“Po, çfarë sikleti ke” , i tha Nastradini, “unë tek gozhda ime po shkoj. Shtëpia është e jotja.”
“Dëgjo”, i thotë Hasani, “mos eja më.”
“Si të duash, i thotë Nastradini, “por gozhda është e imja.
Një ditë Hasani nuk i hapi më derën. Nastradini e thërret Hasanin para kadiut. E merr vesh e gjithë qabeja. Shkojnë për të ndjekur gjyqin e Nastradinit me Hasanin. Gjatë gjyqit kadiu i thotë Hasanit, “E bleve shtëpinë me vullnetin tënd ?” Po, i thotë Hasani.
“Gozhda është e Nastradinit në karta?”
“Po”, i përgjigjet Hasani.
“Dmth Nastradini shkon në pronën e tij?”
“Po”, thotë i shkreti Hasan.
Pas disa pyetjeve kadiu i tregon dhe aktin e shitjes, i cili ishte nënshkruar para tij.
“Është i vërtetë ky akt”, pyet Kadiu.
“Po”, i thotë Hasani i ngratë, që e kishte zënë edhe sikleti, por edhe inati.
“Atëherë unë vendos”, shprehet kadiu, “Nastradini mund të shkojë sa herë të doje të varë xhaketën në pronën e tij, ndërsa Hasani nuk mund ta pengojë.”
Tërbohet Hasani, po nuk kishte çfarë të bënte. Gjithë qabeja e kishte marrë vesh këtë, sepse gjyqi u bë në mexhlis. Vendosi ta shiste shtëpinë i ziu Hasan, por nuk ia blinte kush. Të gjithë e dinin punën e gozhdës së Nastradinit.
Nastradini vazhdonte të tijën. Orë pa orë shkonte herë varte xhaketën dhe herë e merrte. Pas nja tre muajsh gjendja u bë e padurueshme. Hasani i shkon Nastradinit dhe i thotë, “A ma ble shtëpinë o Nastradin?”
“ Jo?”, i thotë Nastradini, “nuk më duhet.”
“ Aman”, i thotë Hasani me lot ne sy, “merre me çmimin që do ti, vetëm merre.”
“Mirë, i përgjigjet Nastradini, e marr, por me gjysmën e çmimit.”
E çfarë të bënte Hasaniziu, pranoi, se as nuk e shiste dot shtëpinë as nuk po jetonte dot rehat.
Kështu është edhe puna e tokës dhe ligjit të miratuar nga Rama për garën e prishjes së teatrit me ligjin e miratuar sot dhe e tokës së Fushës, si gozhda e Nastradinit. Rama e nguli gozhdën e tij në trupin e truallit pranë teatrit dhe bën sikur shpall gare.
Eh, Ed Nastradi, Gozhda Fusha dhe ligji i Kadijve rilindës të Parlamentit

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.