Ndërkombëtarët dënojnë dhunën në protestën e PD-së: Rrezikuan jetë njerëzish
Delegacioni i Bashkimi Evropian në Tiranë ka reaguar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke bërë thirrje për përgjegjësi nga aktorët politikë.
Në një deklaratë zyrtare, delegacioni thekson se e drejta për tubim paqësor është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike, por ajo duhet të ushtrohet gjithmonë në respekt të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.
Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish.
Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.
Protesta e opozitës u shoqërua me tensione, ku gjatë përplasjes u hodhën bomba molotov dhe fishekzjarre në drejtim të godinës së njohur si “Vila 31”.
Pas reagimit të Delegacionit të BE-së dhe Ambasada e Francës në Shqipëri, një qëndrim publik ka mbajtur edhe Ambasada Gjermane në Shqipëri, e cila dënoi dhunën e shfaqur gjatë protestave.
Në deklaratën e saj, ambasada gjermane theksoi mbështetjen e plotë për qëndrimin e Delegacionit të BE-së dhe nënvizoi se protesta politike nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë ndaj qytetarëve apo pronës.
“Ambasada Gjermane mbështet fuqimisht deklaratën e delegacionit të BE-së kundrejt dhunës së papranueshme gjatë protestave të fundit. Protesta politike dhe e drejta për të demonstruar nuk mund të justifikojnë kurrë dhunën kundër njerëzve ose pronës. Udhëheqësit politikë duhet të përmbushin përgjegjësinë e tyre për bashkëjetesë paqësore në një demokraci”, thuhet në reagim.
Më herët edhe ambasada franceze kishte dënuar incidentet e ndodhura gjatë protestës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe të standardeve demokratike gjatë ushtrimit të së drejtës për protestë.
Protestat e opozitës në Tiranë janë shoqëruar me incidente dhe përplasje, duke sjellë reagime të shumta edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



