Ndërkombëtarët ‘shpullë’ Ramës: Tërhiq ligjin për mediat online
Iniciativa e kryeministrit Edi Rama, për gjobitjen e mediave online, në kuadër të paketës anti shpifje, nuk u ka pëlqyer ndërkombëtarëve.
Katër organizata të huaja i dërguan një letër të hapur Ramës dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, ku kërkojnë tërheqjen e këtij ligji.
Sipas ndërkombëtarëve, kjo iniciativë bie ndesh me praktikat e OSBE.
Në letër thuhet:
Iniciativa juaj bie ndesh praktikave më të mira dhe është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne. Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim.

Sipas ndërkombëtarëve, ky ligj është krijuar pas dyerve të mbyllura, pa u konsultuar me gazetarët dhe shoqërinë civile.
Projektligjet e hartuara nga qeveria parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë Autoritetit të Komunikimeve Postare dhe Elektronike (AKEP). Gjithashtu përmbajtja e medias online, do të vendoset nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive. Ky institucion, do të gjykojë nëse përmbajtja e informacionit është e njëanshme, apo cënon moralin publik, si dhe do të ketë të drejtën për të vendosur gjoba deri në 8 mijë euro, apo të urdhërojë mbylljen e tyre.
Për ndërkombëtarët, këto masa janë një cënim i rëndë i lirisë së medias.
Ndërkombëtarët shprehen më tej:
Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



