E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
NË DRIMADHES  OSE NË GETON E PORDHËS SË MADHE !
Sot

NË DRIMADHES OSE NË GETON E PORDHËS SË MADHE !

Drimadhes është një punë e bukur artistike, më pat thënë një mik shumë vite më parë. Është një pikturë e përsosur. Deti aty nuk është det. Është mjaltë. Thjesht është i mrekullueshëm. Një mjaltë që shijon deri në pikën e fundit. As nuk velesh e as nuk ke të ngopur me të.
Nuk i harrova kurrë këto fjalë. Me kalimin e viteve, edhe pse piktura e çmuar zuri të zbërdhulet pak e nga pak, unë jetoja me kujtimin e saj, stampuar në mendje që nga hera e parë e shkuarjen time në Dhërmi.
Edhe këtë verë, provova një të diel gushti, mbase për t’i dhënë një mësim moral idealizmit tim dhe aspak për të ndikuar në shijet tuaja.
Përshtypjet e mia, janë vetëm të miat, dhe prej tyre kurrë nuk kam pretenduar që të tjerët të nxjerrin ndonjë farë dobie.
Prandaj…
Mos prisni t’ju them të bëni gati valixhet e të niseni me lugë në brez, se ky do qe një pompozitet i akullt para ngrohtësisë që ju pret.
Mos prisni t’ju them se pas Llogarasë nuk ka malore tjetër e se buzë detit fillon malorja e çmimeve.
Mos prisni t’ju them se çmimet janë aq të kripura, sa uji i detit do t’ju duket vërtet mjaltë pa hile.
Mos prisni t’ju them se parkimi i makinës ndjek nga pas dëshpërimisht çmimin e çadrave, por as njëri dhe as tjetri nuk heqin dorë nga rritja.
Mos prisni t’ju them të merrni darë me vete për të nxjerrë ndonjë fjalë mirësjellje nëpër lokale.
Mos prisni t’ju them se ujin mund ta mbushni në Llogara e të merrni me vete sapun dhe letër higjenike.
Mos prisni t’ju them të blini tapa për veshët dhe të merrni rrogoza me vete.
Mos prisni t’ju them se atje vendali dhe i sinqertë ka mbetur vetëm deti.
Mos prisni t’ju them se pakkush shkon për detin dhe shumëkush për të shitur pordhët e mbetura pa shitur në Bllok.
Po të isha i paturpshëm dhe i pasjellshëm mund t’i thosha të gjitha këto, madje dhe shumë të tjera.
Ama, diçka nuk mundem ta lë pa t’jua thënë:
Nëse dëshira juaj për t’u kënaqur është absolute dhe legjitime, në Drimadhes dëshira për t’ju zhvatur është po kaq absolute dhe e pacipë.
Dhe në fund një lutje gjithë atyre që, si unë, u bie udha gabimisht në ato anë. Shpresoj assesi të mos ma marrin për këshillë edhe pse më pëlqen të mendoj se këtu ndodhet thelbi i këtyre radhëve.
Në shkofshi ndonjëherë në Drimadhes, në e gjetshi gjëkundi, në ndonjë grumbull mbeturinash, apo të zhgërryer mes pluhurit a plehrave të shumtë, atë “punën e bukur artistike”, atë “pikturën e përsosur”, ashtu të zbërdhulur e të shfytyruar, ju lutem, merreni me vete.
Ai është Drimadhesi i vërtetë.
Gjithçka tjetër është Getoja e Pordhës së Madhe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.