Gjallë, por i vrarë
Guri çdo mëngjes rri te kafja me Petron, fqinjin e tij. Ka kohë, por që kur i vdiq gruaja këtu e pesë vjet para, Petron e ka si vëlla. Me të njom gojën kur bën muhabet, me të qan hallet. E një nga sikletet e mëdha ka mungesën e tre djemve.
I rriti me thonj, duke punuar si traktorist kohë e pa kohë e një ditë ata u martuan dhe fluturuan. Ikën në Itali. Pa u bënë me fëmijë e vite e vite që nuk po i sheh. As për vdekjen e asaj murgës, nënës së tyre nuk erdhën. S’dhanë shpjegim. Veç heshtje. Sikur u tretën,jo sikur janë gjallë.
Petro tund kokën pas çdo fjale të Gurit. Vetë ndjehet i lumtur. Ka një gocë, e ka në Itali, por çdo natë i del në skype. Nxjerr dhe mbesën e lodrojnë e gëzohen. Verës i vjen, rri dy javë e kur ikën te ndonjë libër në bufe palos tre mijë euro. Thyeji e t’i kesh, i thotë. Mbase do më rritet rroga e do të ta shtoj dhe ty e nënës, i thotë e bekuara bijë.
Guri ndjen vetminë sa bije muzgu. Mblidhet te dhoma e ndenjes, para tv e nuk sheh e dëgjon gjë. Ndjen sikur lëviz në shtëpi e shoqja e ky e pyet, pse nuk vijnë të na shohin, moj Shpresa? Kur nuk merr përgjigje flet vetë. I thotë vetes se mbase ata janë me halle, mos ndoshta janë pa punë. O zot, qoftë larg, mos janë sëmurë. Dialogon edhe në krevat deri sa ia nis gjeli i Nasipit e vrik çohet nga krevati. Është akoma natë, po mëngjesi trokiti.
Kështu mes trishtimit e dhimbjes m’u në mes të gjoksit ikën vite. U plak, u rrënua. Fat që ka pranë Petron dhe i sjell per të ngrënë dhe gruaja e tij i lan herë pas here ndérresa, e pastron dhe shtëpinë.
Një mbasdite, nga ato kur dielli sikur ze vend mbi pemë e nuk ikën pér matanë, trokiti porta e jashtme. U hoq zvarë deri atje dhe sa e hapi pa grumbull njerëzish. Dëgjoi,nbaba, baba dhe e morën hopa deri në verandë. U përqëndrua dhe njohu tre djemtë entij. Në krah tre nuset e poshtë e lart kalamaj plot. Më shumë se sa te çerdhja e fshatit.
-Si je, si na la ashtu mamaja, a je i sëmurë, si ushqehesh?-qenë pyetjet rradhë.
Më pas i afrohet i madhi:
-Ku i kemi tokat, o ba?
-Çfarë tokash?
-Të tuat!- i tha i dyti.
-Sa hektarë ke me tapi?- e pyeti çuni i tretë.
-Hiç s’kam. Ja, veç ky oborri i shtëpisë.
Heshtje.
-T’i bëjmë një zë Petros,-tha çuni i madh.
Erdhi fqinji dhe iu sulën djemtë:
-A na shkruajte ti se babai do të shiste tokat?
-Po.
-Po babai thotë që s’ka fare toka.
Petro iu afrua Gurit.
-A më the te klubi se do shisje tokat e tua?
-Po.
Djemtë u gjallëruan.
-Hë, ku i ke? Te lumi, te kodra, poshtë rrugës?
-I kam këtu te mendja ime. Dhe Petros i thashë fjalë për fjalë, sikur të kisha ca hektarë toka t’i shisja dhe me paratë që do fitoja të vija në Itali. Të rrija me ju. T’u ndihmoja, t’u blija shtëpi, makina,të paguaja shkollat e nipërve dhe mbesave. Ah, sa doja.
Petro vuri gishtin te koka, po mendohej.
-Po kështu më the. Sikur të kisha,më the, tamam.
Djemtë rrëmbyen fëmijët, gratë dhe dolën rrufe te rruga. Ndezën makinat e dëgjohej, ecim shpej të kthehemi me atë traget që na solli.
Guri ngeli me Petron. Një lot i rrëshqiti nga syri. Fqinji dukej më keq.
-Eja sonte nga unë. E pimë nga një gotë se aq do mosha jonë, na trullos e flamosura dhe bëjmë dy orë gjumë.
Guri nuk luajti nga divani. Veç pyeti:
-Po nesér?
Zhurmat e makinave u tretën. Jashtë qetësi dhe errësirë. Iu duk se gruaja po mblidhte filxhanët e kafes. I tha:
-Me fat o Shpresë që ike,nuk pe ç’fëmijë rrite…..
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



