Nga hetimi për inceneratorët te lista e pagave, Alibeaj tregon prioritetet e PD: PS do pranojë vetingun e politikanëve si dekriminalizimin
Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që në dhjetor të vitit të kaluar që të zgjasë mandatin e dy komisioneve hetimore, atij të inceneratorëve dhe për zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë kryetari i ri i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzon maxhorancën se po mban peng si zgjatjen e dy komisioneve hetimore, por po ashtu edhe Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Sipas Alibeajt, Reforma Zgjedhore është detyrim i imponuar edhe nga vendimet e Kushtetueses, por që PS, sipas tij, po bën rezistencë. Ndërkaq, PD shkon në këtë sesion të ri parlamentar, që nis sot me një krizë të brendshme.
Vetëm pak ditë më parë u përjashtua Berisha dhe deputetët që e mbështeten. Por në një kohë që Berisha ka lajmëruar se do jetë aktiv në Parlament, a do dublohet roli i Bashës në kampin opozitar? Në intervistën e mëposhtme, Alibeaj, tashmë me një sfidë të re edhe për të mbajtur të koordinuar Grupi Parlamentar, flet edhe për dy nismat kushtetuese që ndodhen në Kuvend, e që sipas tij duhet të bashkohen në një. Bëhet fjalë për vetingun e politikanëve dhe zgjatjen e mandatit të organeve të tij.
INTERVISTA
Pyetje: Z. Alibeaj, sot nis sesioni i ri parlamentar, ndërkohë që janë ende dy komisione hetimore që nuk kanë përfunduar punën. Çfarë do bëni me komisionin hetimor të zgjedhjeve dhe inceneratorët, sa do kërkoni të shtyhet afati?
Alibeaj: Të dyja këto komisione hetimore bëjnë pjesë në prioritetet e veprimtarisë sonë parlamentare. Ato janë ngritur me kërkesën tonë dhe ne jemi të vendosur që hetimi parlamentar i të dyja këtyre çështjeve të shkojë deri në fund. Me anë të këtyre dy komisioneve ne synojmë të ekspozojmë publikisht në mënyrë të plotë masakrën zgjedhore të 25 prillit, identifikimin e përgjegjësive për secilin aktor dhe çdo institucion të përfshirë, vënien përpara përgjegjësisë politike, deri edhe penale, të përgjegjësve dhe marrjen e masave të përshtatshme për t’u kthyer vlerën e duhur zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe besimin publik në to.
Në të njëjtën kohë, ne kemi të njëjtat synime edhe për çështjen e inceneratorëve, duke bërë çdo gjë që përgjegjësit e kësaj megaafere të mbajnë përgjegjësi politike dhe penale. Për këto arsye, ne kemi paraqitur kërkesat tona respektive për shtyrjen e afateve të këtyre komisioneve sipas parashikimeve ligjore dhe rregullores së Kuvendit.
Pyetje: Këto kërkesa i kemi depozituar që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, por ende maxhoranca nuk ka kryer asnjë veprim. Ndërkohë, ende nuk ka nisur puna për Reformën Zgjedhore. Pati një hap, por çështja mbeti pezull. Ku ka mbetur Komisioni i Reformës?
Alibeaj: Reforma Zgjedhore mbetet një nga temat kryesore të aksionit opozitar parlamentar. Nevoja përse një reformë e tillë nuk diktohet vetëm si dëshirë politike, por mbi të gjitha si një detyrim juridik, pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe pas Raportit të ODIHR, ku u qartësua se ndryshimet e njëanshme kushtetuese, të pasuara nga ndryshimet e njëanshme të Kodit e Zgjedhor e më pas nga zbatimi në shërbim të interesit të Ramës (kujtoni: përgjysmimin e listave të kandidatëve të opozitës, zhdukjen e emrave të kandidatëve nga fleta e votimit dhe caktimi i numrave në to, numri jashtëzakonisht i lartë i fletëve të votimit të pavlefshme etj.) e bënë të domosdoshme këtë reformë.
Një reformë reale, të plotë, e cila të garantojë para së gjithash procesin zgjedhor, pra, mekanizmat kushtetues e ligjorë që vota të mos vidhet, të mos blihet, të mos imponohet, të mos përdoret administrata, Policia të jetë neutrale, buxheti i shtetit të mos përdoret për votat e partisë në pushtet, e po ashtu që deformimet e vullnetit të shqiptarëve të eliminohen dhe e drejta për të zgjedhur e individëve të jetë e garantuar. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm, qoftë edhe për faktin se rekomandimet e raportit të ODHIR për zgjedhjet e fundit apo edhe ato të mëparshmet janë të qarta. Nuk arrij të kuptoj rezistencën e PS, për një çështje që është detyrim, të cilit nuk mund t’i shmanget askush. Sa më shpejt, aq më mirë do të jetë.
Pyetje: Nisma juaj për vetingun politik ka ngecur dhe nuk ka gjetur dakordësinë e PS. Çfarë do të ndodhë me këtë?
Alibeaj: Të gjitha të dhënat tona dëshmojnë që kjo nismë është nevojë ulëritëse për mjedisin politik në Shqipëri, për ta çliruar politikën nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar, si dhe për të fituar besimin e qytetarëve. Pavarësisht se deri tani PS nuk e ka dhënë ende dakordësinë për këtë nismë, historia na tregon që kështu ka refuzuar dikur edhe reformën e dekriminalizimit, e cila gjithashtu kërkoi ndryshime kushtetuese. Megjithatë, pavarësisht mosdakordësisë së PS-së për atë reformë, ne me vullnet dhe këmbëngulje arritëm ta miratojmë dhe të sjellim rezultate. Kështu do të ndodhe edhe për vetingun në politikë.
Pyetje: Ndërkohë që në Kuvend është edhe zgjatja e mandatit të KPK dhe KP. Do ta japë votën Partia Demokratike këtë sesion për këtë projektligj? Do ta kushtëzoni me vetingun në politikë?
Alibeaj: Ne vlerësojmë se ndërhyrjet kushtetuese, madje edhe ato ligjore, duhet të jenë të mirëmenduara, që të zgjidhin situatat, të sjellin rezultate dhe t’i rezistojnë kohës. Në këtë kuptim, ne e kemi bërë të qartë që në fillim të prezantimit të kësaj nisme në Kuvend se është me rëndësi thelbësore të shpjegohet: pse janë këto ritme të ulëta të veprimtarisë së komisioneve të vetingut të magjistratëve, sa efektive dhe sa u përgjigjen nevojave burimet njerëzore dhe infrastrukturore aty, pse Këshillat Gjyqësorë dhe të Prokurorisë nuk mund të futen në rolin kushtetues për ta përmbyllur ata këto proces, me fjalë të tjera çfarë ka shkuar keq nga planifikimi fillestar i afateve në kohën e miratimit të Reformës në Drejtësi.
Nëse ne refuzojmë që ta analizojmë situatën siç duhet, kjo nismë do të dështojë, sepse shumë shpejt do të kërkohet sërish ndryshimi kushtetues për një zgjatje tjetër afati. Po ashtu, ndonëse janë dy nisma të ndryshme, njëra për afatet e organeve të vetingut të magjistratëve dhe tjetra për vetingun në politikë, në thelb të dyja këto nisma synojnë ndryshimin e Kushtetutës. Në këtë prizëm, ne vlerësojmë se të dyja këto nisma duhen shqyrtuar së bashku në të njëjtin proces parlamentar.
Pyetje: Z. Alibeaj, tani edhe për detyrën e re. Për deputetët pranë z. Berisha që janë pezulluar, do t’i përfshini në komisionet parlamentare?
Alibeaj: Së pari, më duhet të saktësoj që Partia Demokratike është partia e mendimit të lirë, që ka në qendër të saj individin, që do të thotë se vendimet e fundit të marra nga organet drejtuese të Partisë nuk lidhen me mendimin që disa deputetë të saj kanë dhe shprehin. Ashtu siç është bërë qartësisht e ditur nga vendimet e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar, sanksionet e marra kanë pasur lidhje me dhunën e paprecedent të ushtruar ndaj selisë së partisë për interesa personale të z. Berisha. Deputetëve të pezulluar iu është kërkuar të distancohen nga aktet e dhunës, që do të thotë se u është dhënë mundësia e reflektimit mbi situatën e ndodhur. Në këtë pikëpamje, përfshirja e tyre në komisionet parlamentare, si pjesë e Partisë Demokratike, është kryekëput një çështje që varet nga secili prej tyre.
Pyetje: Ndërkohë që këtë sesion në Parlament ka thënë se do marrë pjesë edhe Berisha, a do ndihet një dualitet në këtë pjesë, duke pasur parasysh se edhe Rama është shprehur se nuk dimë me kë të negociojmë?
Alibeaj: Refuzoj të marr për referencë shprehjet e Rames, edhe pse duket shumë i interesuar dhe i përfshirë në zhvillimet e brendshme në PD. Për t’ju hequr kuriozitetin tuaj dhe kujtdo që nuk e ka marrë vesh ende, dualizëm nuk ka e as do të ndihet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



