E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga strehimi te studentët, zbardhen vendimet e Këshillit Bashkiak
Politikë

Nga strehimi te studentët, zbardhen vendimet e Këshillit Bashkiak

Këtë të premte, anëtarët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit mblidhen për herë të fundit për të kaluar nëntë projektvendime, kryesisht me impakt social.

Në tabelën përbri shkrimit, zbardhet lista që pritet të marrë OK, duke nisur nga lista e familjeve që përfitojnë subvencionim të qirasë mujore për një vit rresht, ndihmë për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, po ashtu shërbimet që marrin studentët falë kartës së hyrë në fuqi tashmë nga bashkia, krijimi i një agjencie të posaçme për rininë e deri te shkëmbimi i pronave me Ministrinë e Bujqësisë dhe Drejtësisë, me qëllim që këta të fundit të realizojnë planet e tyre zhvilluese.

 

KARTA E STUDENTIT

Edhe pse është implementuar që në muajin maj dhe shpërndarë thuajse në të gjitha universitetet e kryeqytetit, karta e studentit, me të gjitha shërbimet që ofron, “de jure” vuloset këtë të premte në Këshillin Bashkiak. Vendimi parashikon listën e plotë të shërbimeve që do të përfitojnë studentët me çmime të reduktuara apo falas, që nga hyrja në kopshtin zoologjik, amfiteatri, “Reja”, aktivitete në Parkun Olimpik, sallën e konferencave, qendrën TEN, e deri te hyrja në Kullën e Sahatit.

Pas disa vitesh premtime nga të dyja kahet politike që kanë pasur dekadën e fundit pushtetin vendor, bashkia aktuale vendosi ta marrë përsipër realizimin e saj, edhe pse ky detyrim, sipas tyre, u takonte universiteteve. Kusht për të ruajtur vlefshmërinë e kartës është konfirmimi që vijojnë të jenë studentë.

“Përfituesit e kartës së studentit do të jenë të gjithë studentët që konfirmohen çdo vit akademik nga Qendra e Shërbimeve. Përfituesit e kartës së studentit do të marrin të gjitha shërbimet e ofruara nga Bashkinë Tiranë, falas ose me çmime të reduktuara”, citohet në relacionin e projektvendimit të nisur për miratim në Këshillin Bashkiak të kësaj së premteje.

vendimet

BONUSI I QIRASË

Edhe këtë muaj, bashkia ka vendosur të mbështesë disa qytetarë në pamundësi ekonomike, duke iu paguar qiranë për një vit rresht. Sipas relacionit të nisur në Këshill, nga lista me 74 aplikues, vetëm 29 prej tyre kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë. Si rrallë ndonjëherë, ka pasur edhe të penalizuar, më shumë për shkaqe teknike apo që në optikën e bashkisë jetojnë më mirë se ç’duhet për të përfituar nga programi në fjalë.

Në listën e mësipërme janë paraqitur emrat e 23 kryefamiljarëve që do ta përfitojnë shumën, për të cilën kanë aplikuar. Bëhet fjalë për familje me probleme sociale e shëndetësore, nëna kryefamiljare me fëmijë në ngarkim, familje të komunitetit rom/ egjiptian, ata që kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuar si dhe të prekurit nga projektet e bashkisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.