E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
NUK UA KEMI BORXH…
Sot

NUK UA KEMI BORXH…

Ata janë të gjithë borxhlinj.
Me premtimet e tyre të paftyra, na morën 30 vite borxh. Nuk na i kthyen kurrë.
Ata janë hajdutë. Hajdutët nuk i kthejnë borxhet.
Askush nuk ju ka asnjë borxh Atyre.
Unë, jo dhe jo! Më dhimbsen shumëfish taksat që paguaj, kur shoh se ato shkojnë për të blerë gaz lotsjellës, apo edhe kazanë të rinj për plehrat.
Edhe ti, doemos që jo. Me naivitetin tënd vazhdon të rrish këtu dhe, shumë shumë, i ke borxh vetes që besove kaq gjatë se Ata e duan këtë vend.
As ai polici, që ushqen familjen e pabukë me palorrogën që merr, nuk u ka borxh Atyre. Ata i kanë borxh frustrimin dhe ai e shkarkon, sa herë i jepet rasti, me shkopinj gome mbi kurrizin e dollapëve të vjetëruar.
As ajo vajza, që festoi ditëlindjen e shoqes, nuk u ka borxh Atyre. Ata i kanë borxh asaj frikën dhe pasigurinë që e detyruan të marrë taksi e t’i bjerë vërdallë unazës dhe të mos kalojë në qendër të Tiranës për të shkuar në shtëpinë që e ka 5 minuta larg.
Ne, jo dhe jo, nuk u kemi asnjë borxh Atyre. Ata na e kanë borxh Europën. Sa herë afrohen votimet, na e tundin kartën e saj para fytyrës si atë tufën e barit para turinjve të gomarit të uritur.
As ju, ‘bllokmenët’ e rinj të Tiranës nuk u keni borxh atyre. Ata ua kanë borxh përgjumjen dhe squlljen tuaj dhe, assesi, nuk do të donit që zgjimin – nëse vërtet u zgjuat -t’ua bënte doza e lartë e gazit që depërtoi edhe në dritaret e apartamenteve tuaja luksozë.
As mijërat e fëmijëve nuk u kanë borxh Atyre. Ata u kanë borxh fëmijëve tmerrin teksa, në vend të përrallave, u servirin nëpër ekrane skena “live” dhe u mësojnë si të ndahen, për turp, që në atë moshë, si në një “lojë luftash”, në NE dhe në ATA.
Pra, askush në këtë vend, nuk u ka borxh Atyre. Përkundrazi, Ata janë të gjithë borxhlinj. Dhe për më keq, Ata nuk kanë për t’ia kthyer kurrë borxhin Shqipërisë! Jo vetëm se janë gënjeshtarë. Jo vetëm se janë hajdutë. Mbi të gjitha janë të pazotë.
Është e pazonja qeveria. Shiheni Edi Ramën. Tallet me të gjithë dhe me gjithçka. Si ai gjeli që edhe pse e di mirë që është një i kastruar i paaftë, këndon gjithë ditën majë plehut. Pak i intereson që edhe të gjitha pulat e fshatit e dinë këtë. I dashuruar me talljen, masturbohet për të kënaqur veten.
Është e pazonja opozita. Shihini Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Thonë do ta shpëtojnë Shqipërinë nga bandat e krimit, do ta bëjnë më të begatë pa Edi Ramën. Po portretet e tyre në fund të protestës së djeshme vetëm besim e shpresë nuk ngjallnin, për të mos thënë se dukeshin qesharakë: njëri si një buf i qorruar nga gazi dhe tjetra si një sorrë ndjellakeqe e pakrehur.
Një opozitë e zgjebosur si kjo, nuk çon dot deri në fund as djegjen e një kazani plehrash.
Keqardhje për të gjithë Ata!
Atëherë, çfarë presim? Si të krishterë të urtë e të mirë, le të lutemi për Ta!
Anipse Ata janë të gjithë borxhlinj!
Anipse ky vend nuk ju ka asnjë borxh!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.