E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pagat në administratë shqiptare  mbeten rreth 30% më të ulëta se rajoni
Uncategorized

Pagat në administratë shqiptare mbeten rreth 30% më të ulëta se rajoni

Ndërsa qeveria u vu dy vjet më parë në një garë të ethshme për të barazuar pagat me rajonin, edhe ky i fundit nuk ka qëndruar në vend, duke bërë që gara të humbasë sërish, pavarësisht avantazhit që dha zhvlerësimi i euros.

Institucionet qeveritare njoftuan dje me krenari se paga mujore bruto në administratën publike u rrit me 15% në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 96.8 mijë lekë.

E konvertuar në monedhën e përbashkët, me kursin aktual (rreth 98.2 lekë) paga në euro u llogarit në 987 euro në posterat e shumë që u shpërndanë në rrjetet sociale.

Qeveria është ndihmuar në fakt nga zhvlerësimi i euros vitet e fundit, teksa e konvertuar me kursin e dy viteve më parë (kur ishte 115 lekë), paga do të ishte rreth 840 euro, ose rreth 150 euro më pak sesa sot. Si rrjedhojë, e shprehur në euro, paga mujore bruto në administratë është e mbivlerësuar nga efekti i kursit, ndërsa në realitet e ardhura në lekë sot vlen më pak, për shkak të shtrenjtimit të lartë të kostos së jetesës dy vitet e fundit.

Edhe me ndihmën e kursit, paga në administratën publike mbetet rreth 20% më e ulët sesa mesatarja e rajonit, me përjashtim të Kosovës, sipas të dhënave të institucioneve statistikore përkatëse të përpunuara nga “Monitor”, që i përkasin tremujorit të tretë 2024. Në vendet e rajonit, administrata paguhet midis 1000-1400 euro në muaj.

Paga më e lartë mesatare bruto mujore në administratë është në Bosnjë Hercegovinë, me 2,789 BAM (marka e konvertueshme), ose 1,425 euro. Në vend të dytë renditet Mali i Zi, ku një punonjës në administratë merr mesatarisht 1,189 euro në muaj. Në po të njëjtat nivele është dhe Serbia, me 62,573 dinarë, ose 1,188 euro. Maqedonia e Veriut ka një nivel prej 62,573 dinarë ose rreth 1,020 euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat vetëm për vitin 2023, ku paga mesatare për të punësuarit në shtet është 713 euro.

Nëse do të zhvishej nga efekti i kursit të këmbimit, paga mesatare në shtet mbetet rreth 30% më e ulët sesa vendet e tjera të rajonit, pa përfshirë Kosovën.

Rritja e pagave në shtet nuk e tërhoqi privatin

Ndonëse filozofia e kryeministrit ishte që rritja e pagave në shtet do të tërhiqte edhe sektorin privat kjo nuk ka ndodhur.

Administrata shtetërore i është gëzuar një rritjeje të ndjeshme të pagave në tremujorin e tretë të këtij viti, si në raport me tremujorin e mëparshëm ashtu dhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E kundërta ka ndodhur me ata që punojnë në sektorin privat, të cilët në verë kanë marrë më pak se tremujorin e mëparshëm, ndërsa edhe në krahasim me verën e një viti më parë, rritja ka qenë e lehtë.

INSTAT raportoi se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2024, është 77.669 lekë, duke u rritur me 8,6%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror arriti rekordin e 96.8 mijë lekëve, me një rritje prej gati 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vlerë, të punësuarit në shtet marrin 12.5 mijë lekë më shumë në muaj. Edhe në krahasim me tremujorin e mëparshëm, paga është rritur me gati 11 mijë lekë. Në korrik hyri në fuqi rritja e pagave për mjekët e mësuesit dhe punonjësit e ushtrisë.

Në të kundërt, në sektorin privat, rritja e pagave me bazë vjetore ka qenë shumë e ulët. Sipas të dhënave të INSTAT, Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 69 mijë lekë në tremujorin e tretë.

Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, paga mesatare në privat ka shënuar një rënie ë lehtë. Edhe në raport me një vit më parë, rritja është shumë më e ulët se në shtet, me 5.4%, ose 3.5 mijë lekë më shumë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.