Pas Partisë Socialiste, tani Rama po bën “kurban” Shqipërinë
Edi Rama po udhëheq me dorë të hekurt jo vetëm shqiptarët, të cilët prej kohësh jetojnë nën terrorin e krimit dhe kasnecëve të tij, por edhe Partinë Socialiste, e cila është kthyer në një regjiment ku prej kohësh nuk pipëtin më askush dhe asgjë, madje edhe kur bëhen kurban koka të rëndësishme duke filluar nga ajo e Kokëdhimës, Blushit, Tahirit, Xhafës, Ahmetajt, Gjiknurit etj, pa llogaritur armatën e madhe të atyre që ai i përdori , i shiti dhe më pas i hodhi mish për top, ku ndër më emblematikët janë familjarët e viktimave të 21 Janarit.
Lista është e gjatë me “kurbanë”, të cilët u sakrifikuan vetëm, sepse ju bindën qorrazi urdhrave të Edi Ramës. Një nga gjërat që të befason është fakti, që askush nuk reagon ndaj veprimeve tejet arbitrare dhe arrogante të Ramës. Edhe kur me një të rënë të lapsit shkarkoi gati të gjithë qeverinë pa asnjë argument. Askush nuk foli, edhe pse pamjet e fytyrave të nënshtruara të asaj dite tregonin shumë. Askush nuk do ta besonte që për pak kohë Partia Socialiste do të degradonte në një sekt ku mendimi ndryshe do të konsiderohej sakrilegj dhe nënshtrimi ndaj “komandantit” detyrë.
Kjo situatë e pazakontë për Partinë Socialiste është krijuar së pari, për shkak se vetë këta të fundit nuk kanë qenë të ndershëm në raportin e tyre me Partinë Socialiste. Ata më së shumti kanë qenë produkte të marrëveshjeve të tyre të errëta me Edi Ramën, që në krye të herës. Ndaj në Partinë Socialiste sot mbizotëron një heshtje varri përkundër situatës tejet të rëndë të realitetit shqiptar.
Së dyti, edhe për shkak se sot Edi Rama, si asnjë kryeministër tjetër, ka në dorë një pushtet të jashtëzakonshëm, ndoshta një pushtet që pas vdekjes së Enver Hoxhës, askush nuk e ka pasur deri sot dhe atyre nuk është se i mbetet rrugë tjetër përveçse të puthin dorën të cilën nuk e kafshojnë dot.Rama dhe ushtarët e tij tashmë janë përfundimisht ngadhënjimtarë. Ata i kanë mposhtur dhe turpëruar socialistët e vërtetë dhe e kanë uzurpuar plotësisht Partinë Socialiste.
Ndërkohë, zhgënjimi dhe zemërimi i socialistëve të ndershëm sa vjen edhe rritet. Me përzgjedhjen e kabinetit të ri tregoi që kriteri kryesor ishte mungesa e dinjitetit. Në fakt administrata e tij vetëm e socialistëve të vërtetë nuk është. Tanimë është e qartë për çdo socialist me “dy gramë tru”, që kjo nuk është gjë tjetër veçse pasojë e metastazave, që në fillim u shfaqën si ‘mish i huaj’ në Partinë Socialiste dhe më pas u përhapën dhe u pagëzuan me emrin ‘Rilindje’. Këlyshët e rilindjes, të cilët nuk i lidh asgjë me idetë socialiste, i janë turrur plot epsh dhe jargë tepsisë, të cilën më pas e ndajnë si “plaçkë lufte”, (në formë tenderash), grupet paramilitare të vjedhjes dhe blerjes së votave në çdo qark, duke asgjësuar dhe nxjerrë jashtë loje socialistët e ndershëm, të cilët prej vitesh nuk i pyet më njeri.
Por edhe pse ka në dorë të gjitha pushtetet, të gjithë e shohin se ai sot është më i dobët se kurrë. Këto ditë të vështira dimri, po i del çdo gjë jashtë kontrollit. Ai dhe marionetat e tij qorre në tij në qeveri, nuk po arrijnë të qeverisin dot as edhe një ditë të vetme. Ata të verbuar, i janë sulur tepsisë dhe askush nuk e ka mendjen më tek hallet e shqiptarëve. Si minjtë të cilët e parandjejnë të parët mbytjen e anijes, ata po vjedhin gjithçka për llogari të padronit të tyre, (ndoshta për këtë edhe u përzgjodhën,)i cili duhet thënë që tashmë ka vetëm një axhendë, e cila nuk lidhje me socialistët dhe aq më pak shqiptarët, por është një axhendë tërësisht e tij personale. Ai është gati të sakrifikojë këdo për të ruajtur pushtetin e tij.
Pushteti i tij, tanimë edhe pas djegjes së mandateve nga opozita është tejet i brishtë dhe i rrezikuar dhe ndodhet në fije të perit. Ai mund të rrëzohet nga çasti në çast duke lënë pasoja të parikuperueshme në Partinë Socialiste.
Me ç’duket arroganca e qeverisë ka kapur nivele absurde. Në vend që të provokojë populli policinë, provokon policia popullin. Dhuna dhe represioni shtetëror me gjasa do të vijnë duke u shtuar dhe protestat paqësore do të shndërrohen në kryengritje të dhunshme, që mund të dalin jashtë kontrollit. Ata që kanë marrë pjesë këto ditë në protestat e thirrura nga opozita, e dinë mirë që vetëm një fije e hollë e ndan protestën nga shndrrimi në një rebelim të dhunshëm. Kryengritja dhe rebelimi do të sjellë një kolaps të plotë të ekonomisë dhe të qeverisjes, si pasojë, Rama do të detyrohet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë qeverisë tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Ka ardhur koha që ‘Faustët’ e Partisë Socialiste të marrin një vendim para se të jetë vonë: ose të vazhdojnë marrëveshjen e tyre me Ramën, dhe të marrin kështu mbi vete edhe rrezikun e rrënimit të Partisë Socialiste bashkë me të, ose të fillojnë menjëherë distancimin prej tij dhe të bashkohen me shqetësimet e socialistëve të ndershëm.
Duke u distancuar nga Rama, ata ruajnë në këtë mënyrë kësisoj integritetin e tyre dhe aksionet e tyre politike, si dhe i japin edhe një shans të dytë Partisë Socialiste. Një gjë është e sigurt. Ky do të jetë vendimi më i rëndësishëm i jetës së tyre. Është një vendim që duhet të merret në emër të parimeve dhe vlerave dhe jo në emër të pazareve dhe interesave, sepse me pasojat e këtij vendimi do të duhet të jetojnë pjesën tjetër të jetës së tyre politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



