E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PD, jo luftë për godinën dhe fundshpinën
Sot

PD, jo luftë për godinën dhe fundshpinën

PD rrezikon të bëhet një shoqatë ambasadash. Basha nuk është dorëhequr nga Partia Demokratike. Largimi i tij me rrethimtarë mbështetës dhe nxitimi në disa minuta për të përdorur mjete blinduese këtë herë të karrikes, me caktimin si pasardhës të emëruar, zotin Alibeaj, janë truket e fundit për të bërë PD, një shoqatë ambasadash.

Nënkryetari i komanduar kryetar, tha se kishin dakortësuar si grup parlamentar, disa pika për të tentuar bashkimin. Pavërtetësia e qëndrimit, u zbulua për minuta më vonë nga deputetë të tjerë të pranishëm në mbledhje, të cilët pohuan se nuk ka pasur votim dhe një pjesë ka qenë kundër këtij teksti thjesht të lexuar e të pavotuar.

Kërkesa për përjashtime, për sanksione sipas orekseve inatçore, për të mos thirrur gjithë palët në një diskutim të detajuar, është thellim i krizës së PD, duke e ekspozuar atë drejt mbylljes me kosto thërmuese.

Lulzim Basha nuk ishte dhe nuk është fajtori i vetëm. Deputetët, drejtuesit e degëve, kryesia, janë bashkëpërgjegjës për ecurinë politike, vendimet e marra jashtë procedurave statutore, përjashtime të çdokujt nga forumi, me shkakun e të menduarit ndryshe, humbjet e pësuara, kurrizin e kthyer demokratëve. Kur nuk ishin bërë ende zgjedhejt e 6 marsit, deputetet i deklaronin Bashës se ishin shumica si properëndimorë, ndërsa ata një grusht të humburish. Me pas i thanë në mënyrë të përsëritur, se ne nuk takojmë dot demokratët nga kjo ndarje.

Përcaktimi i pakujdesshëm në NE dhe ATA, është fillesë e patolerueshme e sjelljes arrogante, e cila vazhdon dhe ndau votuesit e PD duke kulmuar me një ekstrem absurd me 8 janar. Përpjekja e drejtuesve të mbetur dhe emëruar për të anashkaluar rezultatin e 6 marsit është një marrëzi e re. Enekelejd Alibeaj, që ka shtatë apo tetë funksione ne parti, humbi si drejtues politik dhe në dy nga qarqet ku kryesonte grupet elektorale, në Lushnjë(Fier) dhe në Shkodër e kjo është një lloj përgjegjësie. Sjellja përjashtuese për të fshirë gjashtë marsin është moslexim i qëllimshëm. Ajo ishte datë referendum brenda PD për të përcjellë mesazhe të gjithë deputetëve dhe grupeve. Ata që i kthejnë kurrizin atij votimi, rradhën tjetër në 2023, do të marrin një përqindje shkatërruese votash, duke mos fituar asnjë bashki, por duke shkrirë përfundimisht Partinë Demokratike, duke e bërë ish parti. Kërkojnë të largohet Berisha nga largimi, pastaj të mblidhemi e diskutojmë. Kjo është një nga pallavrat e porositura për tu kapur pas karrikes.

Berisha i ka mundur me votë duke qenë i përjashtuar. Ka marrë votat e demokratëve në masën 70 përqind, e nëse kthjellimi nuk prek të blinduarit do të marrë 80 përqind apo 90 herën tjetër. Deputet që po e trajtojnë PD si shpk sot, kërkojnë ta drejtojnë një bashkim vullnetarësh me marrëveshjen e 5 personave e jo votën e mijëra antarëve, kërkesë për asgjësim subjekti. Kjo kërkesë mund të burojë nga tendera dhe të mira financiare e jo politike.

Sigurisht ka mjaft prej tyre përfitues nga qeveri-bashkia.Qëndrestarët e karrikes së blinduar, të nisin një tur në bazë dhe të testojnë mbështetjen për planin e tyre të ri bashkues nëpërmjet përjashtimit. Nëse kanë demokratë shumicë në numër, atëherë të vazhdojnë me këtë projekt kartoni. Një takim të bëjnë nëse munden ta mbushin një shesh me demokratë, jo administratë me qera. Deputetët janë votuar nga ata njërëz, që sot mendojnë se duhen përfaqësuar dhe në këtë zhvillim të brendshëm në PD dhe ata përveçse qëndrimit të shprehur me votë, kanë qartësuar cilësisht rrugën për tu ndjekur.

Të mundurit e dinë se vota e Berishës është shumicë dhe nuk e mundin dot Sali Berishën me votë. Janë gati ta bëjnë PD me asnjë deputet, me asnjë bashki, me asnjë këshilltar, me asnjë përfaqësim politik në çdo pushtet, mjaft të qëndrojnë të godina buzë Lanës në një seli të btaktisur nga njerëzit, demokratët, por të bishtkrehur nga ambasadat. Meqë nuk është votuar ndonjëherë ndershmërisht në PD, merreni njëherë kutinë dhe vendoseni në oborrin e partisë, ftoni çdo demokrat nga 90 e këtej të shprehë vullnetin. Çfarë të dalë nga këto kuti është bashkim, tejtra është interes për godinën dhe fundshpinën. Kjo e fut PD në rrugën e një ojf-jë ambasadash, të cilën e përdorin si dhe kur të duan për shërbime të rastit. Natyrisht kjo është dhe një majmëri e Ramës me aktorë të paguar në PD. Dhe kërkesa për ndërmjetës nga PPE, është një pabythëri e dukshme lidershipi. Zgjidheni një herë një krizë me njëri-tjetrin e jo gjithmonë me pleqni ndërkombëtare, se dëshmohet paaftësi shpërfytyruese. Nëse demokratët nuk lejohen të votojnë brenda Partisë Demokrartike, përse duhet të votojnë në zgjedhje Partinë Demokratike?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.