Pedagogia e Universitetit të Tiranës: Kartolinë për zysh rilindën
Nga Lili SULA, pedagoge në Universitetin e Tiranës.
Vetëm kështu nuk do t’i ketë menduar zysh rilinda ditët e fundit të këtij viti, nuk do t’i ketë shkuar ndër mend se fitorja e korrur, e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, 80/2015, pa mbështetjen e grupeve kryesore të interesit, do ta tundte e shkundte një ditë, siç nuk do të ketë hamendësuar se fitorja tjetër, zbatimi i tij në këto vite nuk do të shënohej në sukseset e pesëvjeçarit si ministreshë.
Po zysh rilindës, pa dyshim, në këto ditë dhjetori, ngazëllimi e poçash vezullues, të ndezur si rastësisht që nga mesi i nëntorit, në dilema të shumta për përzgjedhje planesh festive, as që do t`i ketë kaluar nëpër mend se studentët do t’i jepnin leksionin më të mirë. E bindur se zërat e pedagogëve e të forumeve të tyre kundër Ligjit 80/2015 u fashitën, ajo nuk mund të perceptonte se studentët, si dhe herë të tjera janë personazhe që shkruajnë histori. Prej nëntë ditësh studentët janë në pararojë të pedagogëve të tyre e të gjithë shoqërisë, duke e marrë atë në provimin me shembullor që kemi parë ndër vite… Zysh rilinda ngeli në provim jo thjesht se është titullari më i lartë i institucionit përgjegjës për arsimin, i Ministrisë së Errësimit, jo thjesht se nuk shprehu asnjëherë pendesë për Dështimin, kinse strategjinë dhe reformën politike më të rëndësishme të qeverisë rilindëse, që zhyti në kolaps dhe rrënoi arsimin tonë, zysh rilinda ngeli në provim sepse, dje, në Ligjin që miratoi, duke synuar centralizimin e universiteteve, nuk parashikoi shtyllën kryesore të tij, të drejtat studentore dhe e trajtoi studentin si klient, ndërsa sot nuk mund të ndrydhë vullnetin e gjithë studentëve, nuk mund të tjetërsojë më kauzën e tyre që, në thelb, është politike.
Arsimi për këdo asocion me dritësimin e mendjes njerëzore si parakusht të civilizimit, por prej vitesh fëmijët tanë dhe ne, prindërit e tyre, jemi në kolaps arsimor, ndaj vargjet e të madhit Gjergj Fishta, shumë i angazhuar për dritësimin e kombit tonë, 100 vjet më parë, më nëpërmenden në këtë trajtë: Linditë e Rilindë/ Janë një krye e njësoji/ Fort po të shkon moj ministruce/ Ty Rrendita me t’pagëzu,/ E Lindnata me t’emëru!
Renata e arsimit ngeli në provim, ajo nuk po mund të ndezë as d(r)itën e vet të kalimit, të kryejë aktin më civil si përgjegjësja kryesore e vetëdështimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



