Për bukën e fëmijëve
Alba Malltezi

Një grusht i vogël shqiptarësh, plot pasion e ide të mira, këmbëngulën e po ia dalin mbanë të bëjnë një politikë për ushqim të shëndetshëm për vogëlushët tanë. Pak vite më parë nisi një revolucion në ushqimin e çerdheve dhe kopshteve publike dhe është rasti më i mirë, shembulli më i bukur, ku vendimmarrja e idetë pozitive dhe konstruktive bëhen bashkë.
Blerina Bombaj, Altin Prenga, Dhurata Thanasi Daneri, Bledar Kola etj. , janë pionerë të një nisme të fisme që ndërthur traditën tonë, me ushqimin e shëndetshëm dhe edukimin e fëmijëve për të njohur e për t’u ushqyer në respekt të shëndetit të tyre të tanishëm e të ardhshëm. Ne, si media, u kemi qëndruar në krah.
Vendosja e një ushqimi harmonik, të ekuilibruar në të gjithë përbërësit: karbohidrate, sheqer, yndyrë, minerale, vitamina etj. është një hap për të shpëtuar fëmijët tanë nga një masakër ushqimore, nga një pavëmendje e familjes dhe e institucioneve publike që deri më sot kanë ecur përpara me ushqime hiperkalorike e të pastudiuara, që janë një minë me sahat për vogëlushët shqiptarë.
Eshtë më kollaj dhe e pamundimshme t’u japim fëmijëve në dorë molto, çokokrem, kokakola, pepsi, fanta apo patatina, sesa të humbasim pak kohë e të përgatisim në shtëpi apo në shkollë ushqime të mira: trahana, bukë me vaj ulliri, domate e djathë, perime, fasule, bizele, supë, bukë tërshëre, elbi apo me të ndryshëm miell integral. Disa kundërshtojnë me sytë të mbuluar nga perde të paditurisë e të pashqetësuar që sheqeri i jashtëzakonshëm në trupin e vogëlushëve përmes ushqimeve-plehra, pashmangshëm, do të bëjë dëmin e pariparueshëm. Atëherë do të qajmë, por do të jetë tepër vonë.
Mendjeshkurtër e njerëz që vetëm kundërshtojnë sepse nuk u flet mendja dhe zemra, por vetëm gjuha e gjatë, nuk mund të kuptojnë sot një vizion përparimtar dhe një tendencë drejt të cilës po shkon bota e qytetëruar për t’u mbrojtur ndaj ushqimeve-helm me sheqer e drithëra të rafinuar. Një shoqëri e ndërgjegjshme nuk mund të dëgjojë dritëshkurtër e dembelë që duan një ushqim të kollajtë. Shteti me njerëzit e tij më të përparuar duhet të bëjë të pamundurën për të mbrojtur qytetarët e vegjël të tij nga kurthet komerciale që prej vitesh tashmë serviren si ushqime, por që në të vërtetë janë helm, njësoj, ose më i hidhur se duhani në mushkëritë e të rriturve.
Sheqeri i tepërt, karbohidratet e rafinuara të përditshme janë humnera të frikshme që u vëmë fëmijëve në çdo pjatë. A do të vazhdojmë në këtë rrugë, apo do të ndjekim e të dëgjojmë të mirët e të vlefshmit tanë? Ushqimet-helm mund të jenë një përjashtim, ndoshta 1 herë në muaj sa për t’i provuar, por jo e përditshmja e vogëlushëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



