E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Për palaçot dhe `liderët` e PD-së
Sot

Për palaçot dhe `liderët` e PD-së

Ca rreshta për zhvillimet në PD

Dorëheqja e Lulzim Bashës nga shumëkush, mendohej se do të shënjonte edhe hapjen e një epoke të re optimizmi brenda Partisë Demokratike të përçarë si mos më keq.

Por ja që nuk po ndodh kështu. Madje, edhe më e shëmtuar duket situata. Disa analistë flasin për 3 PD edhe më të përçara nga ato dy që ishin përpara aktit të Lulzim Bashës. Por realiteti është edhe më keq.

Menjëherë pas largimit të Bashës, përfaqësuesit e kampeve dolën nëpër studio televizive dhe të gjithë pamë se plaga, mllefi, qelbi është ende aty, me Bashën apo jo.

Fryma radikale, triumfalizmi, linçimi `për atë që ke thënë e bërë para 6 marsit`, ekstremizmi në ligjërim, karakterizojnë një debat i cili duhej të ishte fokusuar te një zgjidhje bashkuese.

Të humburit që hodhën poshtë kryetarin brenda 24 orëve, `nuk po falen` për ato që kanë thënë për ish- kolegë para 6 marsit. Këta të tjerët si kundërsulm, ju kujtojnë sulmin e dhunshëm të 8 janarit mbi selinë e partisë, “ku për pak na vratë”.

Fituesit nuk po shfaqin asnjë përulje përbashkuese, madje i quajnë ata që braktisën Bashën “hipokritë” dhe që duhet të shkojnë te Foltorja kokulur e madje, ta kenë për nder nëse pranohen prej tyre!

Përveçse gjithë kësaj kakofonie mllefesh dhe spazmash hakmarrje, dy- tre apo katër- pesë copat e ish-PD, tashmë janë përfshirë edhe në një debat idiot: Iku Basha, duhet të ikë edhe Berisha!

Në fakt asnjëri nuk ka ikur, sepse nuk ka ku të shkojë.

Të gjithë bashkë harrojnë se askush nuk ka fituar dhe gjithkush nuk ka asnjë gjë në vijë për fatin e opozitës së re, nëse vazhdojnë të jenë ata që kanë qenë. Nuk del dot një (po vetëm një për be) të na thotë se çfarë dëmi ka Edi Ramës, nëse të gjithë grupet bëjnë si të fortë dhe i përplasin njëri- tjetrit Vulën dhe fitoren e 6 marsit?!

Thonë që duhet të bashkohemi, por thikat me helm as denjojnë që ti fshehin. Madje më e bukura është se më i moderuari, më i përmbajturi dhe ndoshta edhe lutësi për ti harruar mëritë po shfaqet pikërisht Sali Berisha!

Por të gjitha këto nuk kanë pikën e rëndësisë, sepse vendi është në zgrip historik: pa opozitë dhe me një qeveri që po shfaq hapur tiparet e një autokracie nga më vulgaret. Ata burra dhe gra, deputetë a jo, lulistë e salistë, të PD-së me vulë apo të Foltores, duhet të kuptojnë se nëse vazhdojnë kështu jo vetëm që do ta shuajnë nga skena këtë forcë politike, por edhe do ti neveritin përkrahësit dhe votuesit e tyre.

Edhe më i keq për disa, do të jetë fati personal dhe Karma, do ju ndodh shpejt!

Vendi është në një pikë kur shqiptarëve nuk jua ndien më as për Bashën, as për Berishën dhe aq më pak për Grida Dumën dhe Flamur Nokën dhe hesapet e tyre të ngushta.

Këta burra e gra që e quajnë veten lidership të opozitës, ose duhet të tregojnë (sot dhe asnjë ditë më vonë) se janë në lartësinë e duhur për të përfaqësuar ata shqiptarë që po përjetojnë thikën e Rilindjes në kockën e familjeve të tyre, ose përndryshe meritojnë që të qëllohen me vezët e turpit rrugëve. Në fund të fundit duhet të tregojnë se demokratët i kanë vendosur aty ku janë të bëjnë punën e liderit që jep zgjidhje dhe jo si palaço që vërtiten në boshllëkun e skenës.

Protestat e fundit treguan se populli është i zemëruar me këtë qeveri jo vetëm të paaftë, por edhe të kapur nga një grusht grupesh biznesi. Nëse ata dhjetëra mijë njerëz që pushtuan rrugët dhe sheshet do të kishin në krah një opozitë të bashkuar por mbi të gjitha të pastër dhe të pakapur (po nga ata 3-4 grupe biznesi), atëherë do të shihnim një Edi Ramë që reflekton, ose një Ramë në kërkim të “vrimës së miut”.

Por shqiptarët janë katandisur në “gjynah” sepse kanë mbetur pa alternativë, pa zë dhe pa mbrojtje. Kjo opozitë që na shfaqet “e tërci e vërci”, “e lagu se lagu”, e pazareve të tipit “ne ja hoqëm Prenës, ju nuk duhet t`ja vini Lenës”, nuk e meriton që të ekzistojë nëse nuk përmbledh veten dhe reflekton sa më shpejt.

Të shkëputet nga gjithë të korruptuari dhe pazarxhinjtë që ka mes vetit; të hap mendjen, e mbi të gjitha të hapë zemrën dhe dyert për idealistët e të djathtës.

Përndryshe të gjithë, me ndërgjegje a jo; PD/1, PD/2, 3, 4, 5…(a kushedi se në sa copa është aktualisht), janë duke i shërbyer Edi Ramës për të vazhduar sundimin e një grupi kleptokrat, e  ai vetë të tallet me të gjithë pa përjashtim!/ Alfapress.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.