Plani i PS-së në Kuvend, ja hapat për shkarkimin e Metës
Firma e Presidentit Meta mbi dekretin, i cili anulonte 30 qershorin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, solli edhe mobilizimin e socialistëve për të kërkuar shkarkimin e tij.
Ditën e djeshme, deputetët socialistë filluan mbledhjen e firmave kundër Presidentit Meta. Strategjia e socialistëve është e ndarë në dy plane.
Në seancën e së enjtes, debati do të fokusohet tek anulimi i datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit, dhe shprehjes së vendosmërisë për t’i zhvilluar ato më 30 qershor, nga ana e socialistëve dhe partive të tjera të regjistruara në to.
Seanca do të miratojë një rezolutë, e cila do t’i bëjë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të vijojë punën e tij në përmbushje të detyrimeve ligjore për të garantuar zgjedhjet e 30 qershorit.
Gjithashtu, në rezolutë do t’u kërkohet vëzhguesve të OSBEODIHR-it dhe atyre vendës që të asistojnë zgjedhjet e 30 qershorit si përmbushje e detyrimit kushtetues për të zgjedhur drejtuesit vendorë në 61 bashki dhe këshillat e tyre bashkiakë.
Paraditen e sotme u mblodh edhe Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, e cila mori në shqyrtim kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PSsë, Taulant Balla, që kërkon zhvillimin e një debati parlamentar pas vendimit të Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Konferenca miratoi me konsensus kërkesen e maxhorances per zhvillimin e nje mocioni me debat per shkarkimin e presidentit Meta.
SHKARKIMI
Deputetët socialistë do të nisin procedurën e rregullt parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, bazuar në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Kërkohen firmat e të paktën 35 deputetëve të Kuvendit për të propozuar shkarkimin e Presidentit. Kërkesa i drejtohet kryetarit të Kuvendit i cili vë në dijeni si Kuvendin ashtu dhe Presidentin e Republikës.
Kreu i Kuvendit ia përcjell Komisionit të Ligjeve kërkesën e deputetëve dhe brenda 15 ditëve Komisioni i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen e komisionit hetimor. Komisioni është i detyruar ta dëgjojë Presidentin nëse ai dëshiron. Brenda 7 ditëve nga dita e paraqitjes së raportit të Komisionit të Ligjeve, zhvillohet debat në seancë plenare. Nëse raporti i Komisionit të Ligjeve votohet në Kuvend, brenda 2 ditëve ngrihet komisioni hetimor.
Komisioni hetimor i paraqet Kuvendit raportin me shkaqet e argumentuara për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe brenda 20 ditëve zhvillohet një seancë e veçantë. Nëse kërkohet nga Presidenti për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.
RREGULLORJA E KUVENDIT NENI 112
1/4 e deputetëve propozojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës
Kreu i Kuvendit ve në dijeni Presidentin dhe ia përcjell kërkesën Komisionit të Ligjeve
Brenda 15 ditëve, Komisioni i Ligjeve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen e komisionit hetimor
Komisioni është i detyruar ta dëgjojë Presidentin, nëse ai dëshiron
Brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit të Ligjeve, zhvillohet debat në seancë plenare
Nëse raporti i Komisionit të Ligjeve votohet në Kuvend, brenda 2 ditëve ngrihet komisioni hetimor
Komisioni hetimor i paraqet Kuvendit raportin me shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe brenda 20 ditëve zhvillohet një seancë e veçantë
Nëse kërkohet nga Presidenti për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.
Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



