Plas sherri në Vlorë, ukrainasja akuzon çiftin shqiptar për dhunë
“Na rrahën për shkak të qenit”
Një shtetase ukrainase, e cila prej katër vitesh jeton në Shqipëri, ka denoncuar një incident të ndodhur në pallatin ku banon me qira në Vlorë, konflikt që sipas saj ka nisur për shkak të qenit të saj të vogël dhe më pas ka degjeneruar në sharje, përplasje fizike dhe pretendime për dhunë ndaj kafshës.
Sipas denoncueses, ngjarja ka ndodhur rreth dy muaj më parë në hyrjen e pallatit ku ajo jeton së bashku me bashkëshortin e saj. Ajo pretendon se konflikti nisi pasi një grua shqiptare refuzoi të hipte në ashensor për shkak të pranisë së qenit të saj, duke deklaruar se kishte alergji ndaj qenve.
Në videon e filmuar nga vetë shtetasja ukrainase, dëgjohet një debat verbal mes çiftit ukrainas dhe një çifti shqiptar.
Në pamje dëgjohet gruaja shqiptare teksa shprehet se qentë nuk lejohen në ambientet e përbashkëta dhe se ajo ka alergji ndaj tyre, ndërsa më pas debati përshkallëzohet me tone të ashpra nga të dyja palët.
Sipas saj, pas debatit fillestar, çifti shqiptar ka trokitur në derën e apartamentit të saj dhe konflikti ka vijuar në korridorin e pallatit. Në video dëgjohen sharje dhe akuza reciproke në gjuhë të ndryshme, ndërsa në disa momente situata duket se kalon edhe në kontakt fizik mes personave të përfshirë.
Denoncuesja pretendon gjithashtu se gjatë konfliktit burri shqiptar ka goditur me shkelm qenin e saj të vogël, moment që sipas saj është i dukshëm në video. Po ashtu, ajo shprehet se gjatë përplasjes është tentuar t’i merret telefoni me të cilin po filmonte ngjarjen.
Në denoncimin e saj, ajo thekson se rasti është raportuar në polici, por pretendon se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete. Ajo ngre gjithashtu shqetësimin se një fqinj tjetër ka vendosur kamera monitorimi përballë banesës së saj dhe se, sipas saj, prej kohësh po përballet me ankesa të vazhdueshme lidhur me praninë e qenit në pallat.
Nga ana tjetër, në komunikimet me redaksinë, shtetasja ukrainase kundërshton pretendimin e fqinjës për alergji ndaj qenve, duke deklaruar se në të njëjtin pallat jetojnë edhe kafshë të tjera shtëpiake dhe se qeni i saj është i pajisur me të gjitha dokumentet dhe vaksinimet përkatëse.
Rasti mbetet i hapur dhe pritet një reagim nga autoritetet për verifikimin e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




