POEZI/ Atëherë kur djalli tundte grushtat /Dhe turma klithte si e marrë
Spaç, 30 maj ,2019
Një bulëz drite del mbi mal,
Pastaj bie shpejt në rrokullimë,
Dua të flas, por nuk gjej fjalë,
Se fjalët bëhen psherëtimë.
Një erë si brisk në fyt të pret,
Ku po shkoj vallë, në ç’humbëtirë?
Shkëmbinj të kuq, natyrë pa jetë,
Një mal me dhëmbë, si vampirë.
Mbi kocka ngritur çdo godinë,
Një pemë prej gjaku në një skaj,
Dikur këtu, mbyllën lirinë,
Ca njerëz, me emra satanai.
Asgjë, asgjë nuk qenka shuar,
(Se skene e krimit, s’shuhet lehtë)
Paçka se skllevërit janë larguar
Dhe shumë nga ta, s’janë më në jetë.
Qeli të egra dhe të ftohta,
Që hapin gojët si një bishë,
Cerberë të egër nëpër porta
Dhe një kamzhik që hante mish.
Nga toka vijnë ende rënkime,
Kufoma me shikim të ngrirë,
Askush për ta s’ndjeu atëherë dhimbje,
Askush s’tregoi për ta mëshirë.
Ç’mëkate vallë bënë këta burra
Që i degdisën në këtë varr?
Atëherë kur djalli tundte grushtat
Dhe turma klithte si e marrë.
Asnjë mëkat, këtë ua them unë,
Kërkuan veç pak rreze drite,
Kur kohërat pillnin vetëm dhunë
Dhe lumturira hipokrite.
Këtu dielli çan një grumbull resh,
Me një arrnë terri midis sysh,
Ata që i vranë janë prapë mes nesh
Dhe gjak kufomash pijnë sërish.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



