Policia në aksion kundër “të fortëve”
PËLLUMB NAKO *
Drejtësia pa forcë është e pafuqishme, forca pa drejtësi është tirani. Pra, forca dhe drejtësia duhen vënë bashkë, në mënyrë që gjithçka që është e fortë, të bëhet drejtësisht dhe gjithçka që është e drejtë, të kryhet fort. Duke mos mundur të fortifikojmë drejtësinë, kemi justifikuar forcën, por, në fund të fundit, i forti dhe i drejti duhet të jenë bashkë dhe paqja të mbetet ajo që ka qenë gjithmonë: sovrania e së mirës.”
Këto janë fjalë të filozofit francez Blez Paskal dhe që përbëjnë fillin udhëheqës të punonjësve të Policisë Gjyqësore në Francë. Ato figurojnë në hyrjen e tekstit, që u mëson nxënësve komisarë të Policisë, mënyrën sesi kryhet hetimi. Është pikërisht ky fill që i drejton ata si në luftën kundër bandave, krimit të organizuar, edhe të “të fortëve”. Nuk janë fjalë boshe. Janë thelbi i profesionalizimit sesi duhet të punojnë organet e sigurisë publike dhe të drejtësisë.
Në disa aksione të shtrira në mbarë territorin, përgjatë një jave, Policia arrestoi 300 persona, “të fortë”. Qytetarit të thjeshtë i ka ardhur kaq shumë në majë të hundës prej tyre, saqë të gjithë ndihen të kënaqur. Njëlloj si në një fshat diku në Europë, i cili masivisht ishte dakord me vendosjen e dënimit me vdekje sepse në pronat e tyre kishin ndodhur shumë vjedhje. Megjithëse të gjithë e dinin se për vjedhje nuk ka asnjëherë dënim me vdekje. Edhe publiku shqiptar nuk është i ndryshëm në këtë drejtim. I mbytur nga ndjenja e pasigurisë, i ngrohur nga ndërhyrjet e fundit të Policisë, ai nuk e ka ftohtësinë që të qëndrojë për një moment e të kërkojë të jetë i qartë me atë që po ndodh. Të jetë i bindur në qëndrueshmërinë e veprimeve policore. Në ligjshmërinë e tyre.
Duke iu referuar gjithë deklarimeve publike të aktorëve kryesorë të sigurisë në vend, duket se i tërë filli drejtues i operacionit policor nuk vjen si reagim i vetë Policisë ndaj një situate të caktuar të gjendjes së rendit publik, por nga perceptimi i Kryeministrit për këtë situatë. Nuk është katastrofike, por as normale. Policia është aty, autonome. Të kryejë përditë operacione. Të informojë korrektësisht publikun. Me profesionalizëm. Për fat të keq, mungesa e vetëveprimit dhe qëndrimi në pritje të urdhrave nga lart, të paktën në këtë rast, ngjason shumë më kohën e dikurshme të partisë-shtet. Ky nuk është modeli i duhur për të hyrë në Bashkimin Europian. Dhe të bësh vërejtje për lidershipin policor, nuk është mungesë dëshire për ta mbështetur Policinë. Përkundrazi.
Para disa muajve, gjatë një aktiviteti politik të partisë në tij, lidhur me sigurinë publike në vendin tonë, Kryeministri deklaroi publikisht se nuk kemi të bëjmë me banda, por me “të fortë”. Perceptimi i tij për problematikën e sigurisë publike në vendin tonë u transformua në fillin drejtues, në platformën e të gjitha veprimeve policore të mëpasme. Ministri i Brendshëm, bazuar në këtë fill orientues, e zbërtheu më tej perceptimin kryeministror, duke komunikuar me publikun në terma që flasin “për mjedis mbytës dhe ndëshkim për ata ‘të fortët’ e lokaleve, lagjeve, qyteteve tona dhe shantazuesve të biznesit”. Dhe nuk përmendi bandat e dikurshme të numëruara aq herë brenda dhe jashtë vendit.
Filli orientues i ardhur nga lart u materializua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Në deklarimin e tij publik, ai theksoi se “që nga mesi u muajit shtator, në zbatim të një porosie të Kryeministrit të vendit dhe me urdhër të ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit programoi një operacion kontrolli, parandalimi dhe ndëshkimi në territor…” dhe më pas në pikat e planit, Drejtori i Përgjithshëm flet “për ndalimin dhe ndëshkimin e personave të konsideruar ‘të fortë’…”
Që Kryeministri dhe ministri i Brendshëm të flasin për “të fortë” është normale, sepse kanë detyra politike dhe nuk është e thënë t’i referohen Kodit Penal, se në cilin nen figurojnë “të fortët”. Shprehja ngelet brenda kufijve publicistikë.
Por jo Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ai duhet të flasë më nocione ligjore, korrekte për publikun. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për stil të të shprehurit. Deklarimet e tij japin një pamje të gjendjes së sigurisë publike e bazuar mbi vepra apo ngjarje penale sipas Kodit tonë Penal dhe jo me batuta. Fjala e tij publikisht ndikon në ndjenjën e sigurisë së qytetarit, në perceptimin e tij për gjendjen reale. Drejtori foli për “të fortë” që nuk është nocion ligjor dhe nuk foli për banda si formë e organizimit të grupeve kriminale, tërësisht koncept ligjor dhe që jep një ndjesi tjetër për sigurinë publike. Shantazhimi i biznesit që theksoi ministri i Brendshëm, nuk është çështje “të fortësh”. Por bandash. E gjitha kjo sepse Kryeministri e kishte përcaktuar tashmë fillin drejtues të aksionit. Ai nuk dëshiron të flitet për banda. Mendësia e orientimit të ardhur nga lart për strukturat poshtë ne terren nuk duhet të jenë të kësaj kohe.
Jo vetëm kaq, drejtor, në fakt, duhet të jetë i qartë për secilin nga 300 personat, duke saktësuar veprën apo kundërvajtjen penale të kryer. Është bazueshmëria në prova e akuzës lidhur me veprën penale ajo që ka rëndësi. Sado “i fortë” ose jo të jetë shkelësi i ligjit. Ligji i drejtë është më i fortë se ligji i ashpër. Drejtësia është e barabartë për të gjithë, thuhet rëndom. Ka “të fortë” rrugësh, që ia nxijnë jetën qytetarit, por ka edhe politikanë “të fortë”, që ia sterrojnë. Për “të fortët” e tyre, njerëzit e politikës duan prova. Kurse për ata të rrugëve nuk ka rëndësi.
Ajo që të shqetëson më shumë në mendësinë e lidershipit policor në këtë aksion policor është mungesa totale e autonomisë operacionale të saj. Për probleme drejtpërsëdrejti në kompetencë. Siç e përcakton ligji. Ashtu siç edhe e deklaron vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, përse Policia duhej ta kryente këtë aksion vetëm në zbatim të porosisë së Kryeministrit? Njëlloj si dikur?… Një varësi kjo tepër e dukshme nga vullneti politik. Parandalimin dhe goditjen e krimit, Policia e Shtetit e ka për detyrë çdo ditë, çdo minutë, çdo sekondë dhe asnjëherë pas porosisë së Kryeministrit. As pas urdhrit të ministrit. Edhe ky koncept është akoma më pak profesional. Mjafton të konsultosh nenet e para të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe do të kuptosh se Policia e Shtetit nuk e ka për detyrë dhe nuk ka nevojë të presë ndonjë urdhër nga ministri për të filluar kontrollet e kontingjentit kriminal apo veprime të tjera parandaluese. Jo. Precedenti i ministrit të mëparshëm të Brendshëm ka dëshmuar qartë se çfarë do të thotë vënie nën urdhra të Policisë së Shtetit. Me urdhër, vendi u mbulua nga kanabisi dhe po me urdhër kultivimi i godit. Jo më kot ligji “Për Policinë” i ndan mirë gjërat. E vendos atë jashtë urdhrave politikë. Dhe këtë ligj, sigurisht, nuk e kemi shpikur ne.
Në deklarimet publike të drejtuesve të sigurisë u fol edhe për ndëshkime. Sigurisht, organet tona të sigurisë dhe drejtësisë janë ende larg filozofisë së Blez Paskalit të përmendur më sipër, megjithëse ai ka disa shekuj që i ka thënë ato fjalë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të shënohet kthim pas në kohën e ndëshkimit, urdhrit, porosive, linjës së veprimit apo edhe vijës së sjelljes. Tipare këto të sigurimit apo hetuesisë së dikurshme.
* Ish-drejtor në Policinë e Shtetit
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



