Politekniku jep 6 milion euro tender pa garë
Në një kohë që përditë vazhdojnë protestat e studentëve ku ndër të tjera kërkojnë edhe reduktimin e tarifave të studimit, Universitetet shqiptare japin tendera në shifra marramendëse deri në 6 milionë euro. Po, po. E lexuat mjaft mirë. Në vend që të punohet në uljen e tarifave, duke qenë se cilësia e mësimdhënies lë për të dëshiruar, në të vërtetë universitetet tona shpërdorojnë në mënyrë të turpshme paratë e shqiptarëve.

Do t’ju paraqesim në vijim një tender flagrant të organizuar nga Universiteti Politeknik Tiranë. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit që mban numrin e referencës REF-78683-08-30-2023 dhe ka si objekt “Rikonstruksion i ndërtesës në përdorim të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave (FGJM) të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe ndërtim i Muzeut të Gjeologjisë”.

Fondi limit i këtij tenderi është caktuar në vlerën 578,782,306 lekë të reja pa TVSH ose gati 7 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Le të hapim dokumentacionin përkatës të kësaj procedure. Vihet re se në garë kanë marrë pjesë vetëm 3 garues. Këtu fillon edhe skandali.

2 garues kanë marrë pjesë duke ofruar vlerë zero. Pra kuptohet që kanë marrë pjesë sa për numër, për të krijuar idenë se gjoja ka patur garë. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve që ka ofruar vlerë. Bëhet fjalë për kompanitë METRO DESIGN në pronësi të Arjan Çukaj dhe R&T në pronësi të Renis Tërshanës, që kanë fituar me ofertën prej 517,356,506 lekësh të reja pa TVSH ose gati 6 milion euro përfshirë TVSH.

Pronari i METRO DESIGN, Arjan Çukaj, njihet si mik i Erion Veliajt, madje ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak. Çukaj ka shumë dalje publike në krah të Veliajt. Përveç kësaj, Çukaj është edhe pronari i një universiteti privat, të quajtur Universiteti Metropolitan Tirana.

Pra e thënë thjesht, Universiteti Politeknik shtetëror do t’i japë gati 6 milionë euro pronarit të një universiteti privat për rikonstruksionin e godinave shtetërore. Korrupsioni në këtë rast është flagrant, megjithatë të shohim nëse SPAK do bëjë ndonjë veprim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


