Portret/ Edi Rama sipas Ilir Metës
Si dikur pas “videos me bllok në dorë”, Ilir Meta i është kthyer gjuhës së ashpër ndaj Edi Ramës. Në mendje i ka mbetur pabesia. Është ndjerë i tradhëtuar prej tij plot tre herë.
Ajo çfarë ai ka deklaruar publikisht tre ditët e fundit, nga shpërthimi në Shkodër, më pas në studion e Channel One (shih më poshtë lajmin në faqen e lapsi.al) dhe të enjten në Opinion, janë portreti më i plotë i bërë ndaj Edi Ramës nga njeriu që e ka njohur si armik dhe si bashkëpunëtor. Është një portret ku sigurisht mungojnë ngjyrat e “qetësisë dhe dashurisë” dhe dominon “zemërimi e kërcënimi”.
Pabesia: “Kjo është e njëjta përsëritje e skemës si në vitin 2007 dhe në vitin 2008. Në vitin 2005 LSI-ja ishte e ndarë me PS-së, ju e mbani mend, dhe PS-ja humbi pushtetin dhe Rama kritikoi Nanon që nuk bëri aleancë me LSI-në, dhe erdhi me idenë se do të krijonte një aleancë me LSI-në. Aleanca u krijua dhe ai fitoi Bashkinë e Tiranës vetëm falë asaj aleancë. Menjëherë sapo fitoi atë aleancë, i prishi marrëdhëniet me LSI-në dhe planifikoi asgjësimin e LSI-së, duke i ofruar një pakt Berishës në ditët më të vështira të Berishës, pas tragjedisë së Gërdecit.
Ajo që ndodhi në prill të vitit 2008 me Kushtetutën e Shqipërisë ishte një nga pasojat më të mëdha të të gjitha problemeve, që ne sot kemi si shtet, si drejtësi, si demokraci, si parlament, si qeveri dhe si shoqëri, e cila synonte që ky njeri të kapte i vetëm pushtetin, duke shkatërruar dhe zhdukur partitë e tjera, kuptohet edhe LSI-në, sepse ajo ishte si parti më sfidante, njëkohësisht duke marrë pushtetin i vetëm dhe duke pasur autoritetin që të bënte listat vetë. kjo gjë dështoi në atë kohë.
Herën e tretë zhgënjimi i Ilir Metës është më i madh, jo vetëm për shkak se duket sikur kjo do të jetë goditja finale për LSI nga bashkëpunimi Rama – Basha, por ngaqë për ta bindur Metën që ta kishte aleat në 2013, Edi Rama, sipas asaj që rrëfen vetë Ilir Meta, në prani të dëshmitarëve ka pranuar të gjitha pabesitë e mëparshme, duke ofruar besnikëri si kurrë më parë. Ai e portretizon në këtë mënyrë si njeri të paskrupullt, pa parime, të pakarakter.
Karakteri: Para 2013-ës bëri gjithçka, ju e dini, se ju ka treguar edhe Nari, për një koalicion LSI-PS , duke u betuar dhe stërbetuar se kurrë nuk do të bënte veprime të tilla e të tjerë, duke bërë autokritika mjaft të thella, që Nari mund t’jua sqaroj akoma më shumë e kështu me radhë”.
Tani, në sytë e Ilir Metës, Edi Rama nuk është më vetëm i pabesi i përjetshëm, rreziku eminent i LSI-së, por përfaqëson edhe rrezikun për demokracinë në Shqipëri.
Autokrat: “Po, demokracia dhe zgjedhjet e lira janë në rrezik ashtu sikurse ishin në një rrezik tepër serioz dhe përpara takimit, mbrëmjes së 17 – 18 majit. Deri më 17 maj, ne kishim rrezikun e një krize tepër të rëndë dhe ndoshta katastrofike, për gjithë ata që kujtojnë vitet ’96 – ’97, për shkak se opozita rrezikonte mos të merrte pjesë në zgjedhje. Nuk po hyj të bëj analizën se si u zhvilluan ngjarjet…
…Kam një problem me përpjekjen tërësisht të pandershme të këtyre 2 individëve, jo të PD-së dhe PS-së, por të këtyre 2 individëve, të cilët janë bërë bashkë kundër standardit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe kanë krijuar në një mënyrë të errët dhe transparente një task-forcë, të dy bashkë, e cila po funksionon si një gestapo duke shkelur të gjitha ligjet e shtetit, duke dhunuar statusin e nëpunësit civil dhe duke krijuar probleme mjaft serioze për reformën e administratës publike duke e zhbërë atë praktikisht.
Ajo që po ndodh në Shqipëri sot është: 2 individë janë bërë bashkë kundër një sistemi demokratik.”
Është i paqëndrueshëm, Edi Rama, thotë Ilir Meta. Njeri i kurtheve politike, i pandalshëm para cënimit të çdo parimi e standardi kur bëhet fjalë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
I paqëndrueshëm: “Të lutem, se çfarë ka thënë z. Basha, se çfarë ka thënë z. Rama, kjo nuk është shumë e rëndësishme. Se çfarë thoshte z. Basha deri në mbrëmjen e 17 majit, mëngjesin e 17 majit, se çfarë thoshte mbas 18 majit, kjo është histori tjetër. Se çfarë thoshte z. Rama dy orë para se të shkonte në takimin me partitë parlamentare që do bëheshin zgjedhjet pa opozitën…”
Provokator: …Kishim të bënim me një kurth të z. Rama për të bërë zgjedhje pa opozitën dhe me një frikë të madhe të z. Basha për të ardhmen e tij politike në krye të PD-së, për arsye të gjendjes reale në të cilën është Partia Demokratike në Shqipëri, në terren…
Kështu që në këto rrethana, përpjekja e z. Rama për të provokuar opozitën për ta lënë në çadër mund të ishte me pasoja mjaft të rënda për vendin dhe unë kam bërë çdo gjë që kjo çështje të zgjidhej dhe praktikisht u krijua një qeveri besimi për zgjedhjet që ne kemi kërkuar më parë por e cila praktikisht po funksionon si një qeveri minimi për zgjedhjet.
Frikacak:. Ata (Rama dhe Basha) kanë frikë nga transparenca, ata kanë frikë nga situata që kanë në terren, ata po e përdorin këtë task-forcë si një gestapo për të frikësuar njerëzit sepse mendojnë që votat merren duke punësuar apo duke ç’punësuar dhe përgjigjen do ta marrin më 25 qershor dhe njëkohësisht janë ata, të cilët bëjnë inskenime të tilla për të dëmtuar imazhin e LSI-së, për të frikësuar njerëzit e LSI-së dhe e kanë kthyer Policinë e Shtetit, që është përgjegjëse për drogën gjithashtu, në një polici politike.
Rrezik për vendin e demokracinë: Është një marrëveshje personale, në kurriz të demokracisë, në kurriz të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe absolutisht që është një marrëveshje që do të dështojë për arsye sepse populli shqiptar pas 27 vitesh demokraci, nuk mund të pranojë kurrsesi dy individë t’i vënë kazmën jo vetëm zgjedhjeve të lira brenda partive të tyre por dhe zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
Është i papërgjegjshëm Edi Rama, vijon Ilir Meta në portretizimin që i bën ish –aleatit të tij, edhe përkundrejt atyre që e votojnë. Është njeri që nuk e do transparencën, i zhytur në korrupsion me koncesionet dhe deri i pacipë teksa bën moral kundër korrupsionit.
I papërgjegjshëm: “Dhe do ta marrin përgjigjen e merituar, çfarëdo përpjekjesh të bëjnë, për të frikësuar votuesit shqiptarë për t’iu thënë votoni për mua dhe po nuk votuat për mua votoni për Lulin. Blu dhe kuq, lërini partitë e tjera. Të bësh një fushatë të tillë, të papërgjegjshme kur duhet të bësh një fushatë, për atë që ke bërë, për atë që s’ke bërë, për atë që do bësh në të ardhmen…
I korruptuar: “Ai përdor për qoka koncesionet. Ligji për Koncesionet për t’u miratuar në Parlament ka dy vjet. Është në Parlament. Pret aty. E ka bllokuar Partia Socialiste. Dhe është një ligj që do të zhbllokohet, jam i bindur, me Parlamentin e ri, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu, të jepen me koncesion në mënyrë krejtësisht jo transparente pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe pastaj të dëgjojmë edhe moral, të dëgjojmë edhe fjalime kundër korrupsionit”.
Makiavelist, skematik për të realizuar me çdo kusht qëllimet e tij për të kapur të gjitha pushtetet.
Makiavelist: Ai e donte reformën (në drejtësi) thjesht për veten e vet.
Nuk donte të ishte opozita në zgjedhje, sepse i kishte të gjitha mundësitë për ta futur opozitën në zgjedhje.
E futi (opozitën në qeveri) për ta përdorur Lulzim Bashën kundër zgjedhjeve. Nuk e futi për të garantuar standardin e zgjedhjeve. …
…Këto janë dy çështjet madhore (reforma në drejtësi dhe zgjedhjet pa opozitën), për të cilat ai është tepër i mërzitur me mua dhe me LSI-në, sepse mendonte se përmes kapjes së drejtësisë të kontrollonte gjithçka në vend. Ky është koncepti për fat të keq, dhe mua më vjen shumë keq për këtë gjë, sepse ai duhej të tregonte një dimension tjetër.
Përgjegjësi kryesor për drogën, përgjegjësi i vetëm për futjen e personave me rekorde kriminale në parlament, shpërdorues të pasurive të Shqipërisë për interesa klienteliste, të papërgjegjshëm e arrogant.
Arrogant: Nuk e di se për çfarë ka marrë përgjegjësi zoti Rama? Për zotin Rama gjithmonë përgjegjësinë e ka ose Berisha, ose Luli, ose LSI-ja. Pra, gjithmonë ai fajin do ta gjejë diku, asnjëherë nuk do ta gjejë te vetja e tij. Unë mendoj se kjo arrogancë e tij do të ndëshkohet në mënyrë të pandalshme më 25 qershor.
Dhe së fundi…
Intrigant: Nuk kam pasur asnjëherë shqetësime nga z. Tahiri. Dy vjetët e parë raportet kanë qenë korrekte, por pas zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ndoshta z. Rama, siç e ka zakon i ka thënë: “Unë vura Erion Veliajn, sepse ma kërkoi Ilir Meta dhe nuk të vura ty”. Ndoshta! Përderisa i kishte thënë Çim Selamit që “doja të të vija kryetar të Bashkisë së Vlorës, por nuk donte Ilir Meta”, pse të mos ia ketë thënë edhe këtij këtë gjë?! Në këtë drejtim, sjelljet e tij ndaj LSI-së kanë qenë tepër tendencioze. Kjo ka qenë çështje e tij…
Ilir Meta duket kështu se e njeh shumë mirë njeriun me të cilin është detyruar prej vitit 2000 ta shohë si në krahun e miqve ashtu edhe atë të armiqve. Dhe kuptohet, nga mënyra si e portretizon ai Edi Ramën, ajo mes tyre s’ka qenë kurrë miqësi e sinqertë, por një aleancë vetëm për të ndarë pushtet! /Lapsi.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


