Postinagurimi/Ana tjetër e sheshit Skënderbej
Nëse do ta vizitoni gjatë natës sheshin Skënderbej, ajo që do të gjeni sapo t’i afroheni, nuk do të jenë shatërvanët shumëngjyrësh.
As dritat vezulluese të koncerteve të dy netëve para të inagurimit nuk do të jenë në shesh.
As 70 mijë bimët e pemët që sipas kryebashkiakut Erion Veliaj përbëjnë gjysmën e gjelbërt të hapësirës të kësaj zone të stërmadhe pedonale nuk do t’ju bien në sy.
Të gjitha këto mund t’i gjeni vetëm në Facebook-un e Kryetarit të Bashkisë ose në arkivat e lajmeve të prodhuara nga zyra e propagandës që ka ngritur në Bashki dhe të transmetuara në televizionet të lidhura me interesa financiare me qytetarin e parë të Tiranës.
Nëse hyn nga rruga që zbret poshtë prej Pazarit të Ri, mes xhamisë së Et’hem Beut dhe Pallatit të Kulturë do të ndeshesh me një pirg pllakash e materialesh të tjera ndërtimi.
Janë prova që punimet nuk kanë përfunduar ende, por sheshi u inagurua më 10 qershor vetëm për shkak se ajo datë ishte premtuar prej kryebashkiakut dhe vetëm se është fushatë elektorale.
Histori të ngjashme inagurimesh të veprave publike janë tuneli i Kalimashit dhe ai i rrugës Tiranë – Elbasan nga qeveria Berisha. Të paktën ato ishin vepra në funksion real të publikut. Megjithatë inagurimi i tyre para se punimet të përfundonin tërësisht janë anatemuar disa herë nga kryetari i qeverisë së sotme, Edi Rama.
Sapo zbret në shesh pret të shohësh shatërvanët shumëngjyrësh. Në të vërtetë gjen vetëm disa të çara mes pllakash që hedhin ujë sipas programimit.
Nëse nuk je i vëmendshëm kur ecën gjatë ditës, mund të marrësh ndonjë spërkatje të fortë nga këmbët tek koka.
Nuk ka asnjë shenjë që t’i identifikosh këto 100 të çara që shërbejnë si shatërvane për t’i shmangur ato.
Nëse kë lenë të takohesh me ndonjë mik gjatë darkës, as mos e mendo se mund ta shquash me sy të lirë edhe sikur ta kesh vetëm pak metër larg.
Sheshi është tërësisht pa ndriçim. Në gjithë këtë hapësirë të stërmadhe, sa disa stadiume së bashku, nuk ka asnjë shtyllë ndriçimi. Asnjë! Të vetmet drita janë ato që vijnë nga Pallati i Kulturës, Hotel Tirana, Muzeu Kombëtar, Banka e Shqipërisë dhe Bashkia.
Janë drita që ndriçojnë fasadën e këtyre ndërtesave, por jo sheshin.
Pa ndriçim janë edhe stolat prej herkuri të vendosura në anën e rrugë së Durrësit dhe Kavajës, pranë parkingut.
Dhe meqë jemi tek parkingu, bëjini mirë llogaritë kur të mendoni të lini autoveturën.
Është ndoshta i vetmi parking nëntokësor i madh në botë që ka vetëm një hyrje dhe një dalje. Dhe i ka të dyja në të njëjtin krah.
Hyhet nga ana e rrugës së Kavajës. Dhe po ashtu dilet në atë anë. Është një prej segmenteve me më shumë trafik në qendër. Dhe dilet po në këtë zallamahi makinash.
Për më tepër, në të dalë ka një semafor. Imagjinoni sikur të ketë disa makina në radhë për të hyrë e për të dalë. Makinat në hyrje do të bllokojnë rrugën, duke pritur semaforin dhe ato në dalje do të bllokojnë të gjithë parkingun.
Për t’iu kthyer sheshit është thuajse përpjekje e kotë të gjesh ato të ndonjë qyteti apo treve tjetër.
Pllakat ngjajnë të gjitha njësoj, të gjitha prodhime industriale dhe nuk kuptohet se cila i përket x zone të Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë etj.
Nëse do të ngjiteni në majë të sheshit (duhet ta dini se sheshi vjen me një harkim dhe pika kulminante arrin në 1.8 metër lartësi në krahasim me anët e tij” duhet të bëni kujdes ku i vini këmbët.
Në të katër anët që formojnë të ashtuquajturën “piramidë” pllakat janë të dala.
Dhe sa për piramidë, vetëm kjo formë nuk mund të shquhet.
Sheshi i ngjan një bunkeri të stërmadh, kapsula e të cilit nuk ka formë të rregullt, por atë të një saçi të përdorur e të shtypur vende – vende. Dhe bëni kujdes se punimet s’kanë përfunduar as pjesa mes Hotel Tirana dhe Pallatit të Kulturës.
Kur të kaloni ditën, duhet të keni parasysh rregulla të tjera.
Evitoni vendet me ujë, pasi pllakat janë të rrëshqitshme.
Por mbi të gjitha evitojeni gjatë pikut të vapës. Temperatura është disa herë më e lartë se në çdo zonë tjetër, për shkak të mungesës së gjelbërimit dhe të reflektimit që lëshojnë të gjitha “trevat” shqiptare së bashku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


