E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Privatësia e shkelur me të dhënat personale
Sot

Privatësia e shkelur me të dhënat personale

AV.DENISA DAKA  AV. DENISA DAKA

Është bërë e udhës që, fill pas publikimit të një ngjarjeje nga aksh media, agjencitë apo strukturat përkatëse të zgjohen e shkunden, duke kuptuar së fundmi se duhet të lëvizin e funksionojnë.Një tjetër problem penalizon, përpos gjithë të tjerave, qytetarët e këtij vendi, minorenët kryesisht, ndërsa të dhënat personale, cenohen e shkelen çdo ditë nga subjekte e për shkaqe të ndryshme, publiciteti kryesisht, duke u përdorur a shfaqur në publik pa kriter.

Çdonjëri prej nesh ndeshet kudo çdo ditë me një absurd të ri për këtë shkak.

Publikimi i të dhënave personale dhe jetës private të shtetasve, posaçërisht në rastet kur sekush është subjekt hetimi apo gjykimi, përbën një precedent të rrezikshëm, ndërsa shkelja e këtyre të drejtave përbën përveçse vepër penale dhe një mundësi të humbur për secilin, me kosto të konsiderueshme në imazh.

Ente të ndryshme private a shtetërore, klinika a njësi shërbimi gjithashtu, rreken të kërkojnë e publikojnë ditë pas dite të dhëna personale të secilit prej nesh, në rast të kundërt të refuzohet shërbimi a përfitimi i një shërbimi.

Pakkush ka dijeni për ekzistencën e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili përcakton qartazi rregulla e detyrime taksative në respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, jetës private gjithashtu, duke parashikuar sakaq kufizime dhe sanksione në rastet e konstatimit të shkeljes së këtyre të drejtave.

Referuar ligjit përkatës, të dhënat personale përpunohen apo merren nga çdo ent përkatës publik apo privat, veç nëse subjekti jep pëlqimin e tij për këtë qëllim, në rast të kundërt askush nuk mund të marrë të dhënat e shtetasve, si klient, bashkëpunëtor apo në çdo cilësi tjetër, përveçse në raste të posaçme kur këto të dhëna janë një referencë e domosdoshme për kryerjen e veprimeve përkatëse.

Në rast të kundërt, çdo shkelje kundra këtyre të drejtave është e dënueshme sipas ligjit.

Për këtë arsye, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale duhet të ndërmarrë hapa konkretë për informimin e enteve përkatëse e jo vetëm, pasi evidentimi dhe ndjekja e këtyre rasteve me ardhjen e pasojave nuk do të kishte më kurrfarë vlere për secilin prej nesh.

Përpos të tjerave është me vend që në rastet e konstatimit të shkeljeve përkatëse, të urdhërohet menjëherë bllokimi, fshirja dhe shkatërrimi i këtyre të dhënave, masa këto që do t’i paraprinin ekspozimit të këtyre rasteve, në mbrojtje e në respekt të lirive e të drejtave kushtetuese te secilit prej nesh.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.