E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta e dhunshme në PD, Veliaj: Njerëz me shkallë e shkopinj në duar, ajo skenë ma thyen zemrën!
Politikë

Protesta e dhunshme në PD, Veliaj: Njerëz me shkallë e shkopinj në duar, ajo skenë ma thyen zemrën!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar për herë të parë përplasjen e dhunshme mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për godinën që shërben si seli e PD-së.

Duke folur në një bashkëbisedim me drejtuesit dhe presidentët e shkollave të mesme në Tiranë, Veliaj tha se ajo që ndodhi përpara disa ditësh nuk ndihmon imazhin e Shqipërisë.

“Fatkeqësisht, për një pjesë të madhe të botës, jo tonën, Shqipëria është akoma ajo e 97-ës. Ajo që ndodhi përpara disa ditësh nuk ndihmon me imazhin tonë. Si t’ia shpjegosh një të huaji që ajo ishte diçka e izoluar, është sherr për godinën e një nga 30 partitë? Nuk ia shpjegon dot se ai sheh vetëm atë imazh dhe thotë: ‘Bo bo! Këta qenkan akoma në 97-98!’ Sfida e madhe që kemi është që, nëpërmjet këtyre aktiviteteve, të cilat sigurisht do të përfshijnë të rinj nga e gjithë Europa, të punojmë pak për imazhin e vendit”, tha Veliaj, teksa i ftoi të rinjtë të aplikojnë për projektet që do të zhvillohen në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë.

Veliaj nënvizoi se, gjenerata e re ka shansin që të sjellë një mentalitet të ri. “Mjafton të shikoje ato skena me njerëz që kanë rrezikuar jetën për 30 vite për partitë duke hipur nëpër shkallë e me shkopinj në duar, ajo skenë ma thyen zemrën, por nuk e ndryshon dot…. Nëse ai që në ‘92 ka vënë zjarrin vendit për partinë, nuk mund të ndryshojë dot tani, por gjenerata e sotme mund të ndryshojë”, deklaroi Veliaj.

INVESTIMET

Gjatë fjalës së tij, Veliaj foli edhe për investimet në arsim, për një brez të rinjsh më të përgatitur nesër, janë të dukshme. “Doja shumë të vinit në Kombinat për të parë se shkolla ‘Lasgush Poradeci’ nuk është ‘3D’, por realitet; në fakt, është shumë më e mirë se shkollat ku kam mësuar unë kur kam qenë student jashtë. Sigurisht, teknologjia avancon, çdo gjë e re është më e bukur se ajo që është bërë më përpara edhe në vende shumë më të zhvilluara, por kush e kishte menduar se do të kishim një shkollë të këtij standardi në Kombinat? Kemi mundësi që nuk i kishim më përpara. Çdo shkollë po bëhet me një sallë që mund të shërbejë si teatër, kinema, apo për aktivitete,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se për vendin tonë këto janë vite të rëndësishme, si në aspektin lokal, ku Tirana ka marrë këtë vit titullin si Kryeqyteti Europian i Rinisë, ashtu edhe në planin kombëtar, ku Shqipëria është anëtare e KS të OKB për dy vite. “Po ndodhin dy gjëra, në dy platforma të ndryshme: Një është platforma lokale dhe tjetra platforma kombëtare. Në platformën kombëtare, Shqipëria në vitin 2022-23 është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Në një botë që po ndryshon shumë shpejt, sidomos pas Covidit, por edhe me të gjitha lëvizjet gjeopolitike, është fat i madh që kemi edhe një platformë lokale. Ne kemi një shans historik për Tiranën tonë. Në fakt është hera e parë që marrim titullin e Kryeqytetit Europian të Rinisë,” deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi të rinjtë të bëhen pjesë me projektet dhe idetë e tyre, teksa numëroi edhe ambientet e reja sportive, si dhe projektet e ardhshme. “Ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë më shumë infrastrukturë rinore. Sapo hapëm stadiumin e lojërave me dorë “Farie Hoti”, i ribërë nga e para, apo Parkun Olimpik. Pallatin e Sportit duam ta fillojmë shumë shpejt. Të njëjtë gjë duam të bëjmë me stadiumin “Selman Stermasi”. Duam të bëjmë një thirrje për të pasur një infrastrukturë ku mund të lozin ekipet më të mëdha të futbollit të shkollave, ose të universiteteve. Duam gjithashtu që të mbarojmë këtë vit Piramidën, e cila do jetë hapësira më e madhe për teknologjinë e informacionit,” theksoi Veliaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.