PS manovra për të zvarritur vendimin mbi mandatin e Olta Xhaçkës, Bardhi letër Nikollës të mblidhet Këshilli i Rregullores
Grupi Parlamentar i PD i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që të marrë fund zvarritja e diskutimeve për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetes.
PD ka kërkuar që këtë javë të mbahet një mbledhje.
Më 16 shtator u ra dakord që Këshillit të Mandateve t’i jepeshin 2 javë kohë që të përgatiste raportin final nëse duhet apo jo t’i hiqet Olta Xhaçkës mandati i deputetes. Por kanë kaluar më shumë se 3 javë dhe nuk pati asnjë mbledhje. Mësohet se Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmet Bardhi i ka dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku i kërkon që të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores.
Kërkesa e demokratëve u bë që në muajin qershor, por PS përmes manovrave arriti ta mbante në detyrë Olta Xhaçkën. Fillimisht ministrja solli një avokat, më pas u fut në lojë grupi i Berishës, të cilët po ashtu e zvarritën procesin dhe deri në fund të korrikut kur u mbyll sesioni Parlamentar Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk mori dot një vendim.
Kërkesa e demokratëve bazohet në nenin 70 të Kushtetutës i cili shprehet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.
Ndërsa në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit janë përcaktuar hapat që duhet të ndjekë Kuvendi pas dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij neni, Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
Sipas tij, vlerësimi nëse kemi apo jo konflikt interesi është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Ministren e “mori në qafë” buri i saj, ish-deputeti Artan Gaçi. “Pamfleti” ka publikuar dhjetra herë fakte se si Artan Gaçi është favorizuar si investitor strategjik. Artan Gaçi ka përfituar 8 mijë metër katror tokë në Himarë. Konkretisht, për 8000 m2 tokë e plazh, që kanë marrë për resortin “Dreamades Luxury Suites” Gjilekë-Himarë, Artan Gaçi e Olta Xhaçka, kanë paguar 70 mijë lekë tarifë për shërbimet administrative dhe 15 mijë lekë, tarifë për menaxhimin e procedurave të investimeve strategjike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



