Pse e lëshoi Rama deputeten Xhaçka tani që po vjen shtatori?!
A po mbyll SPAK-u dosjen për Oltën dhe Fridën?
Publiku dhe opozita mbetën të habitur sot nga zhvillimet në Këshillin e Legjislacionit. Edi Rama, duket se ka hequr dorë nga përpjekjet për të mbrojtur Olta Xhaçkën. Për dy vite, Partia Demokratike ka kërkuar që të hiqet mandati i saj, duke argumentuar se burri i saj, i shpallur investitor strategjik, është në konflikt interesi. Megjithatë, Partia Socialiste e ka refuzuar kërkesën, madje ka shkuar deri në interpretimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pas pushimeve verore, socialistët janë kthyer me një mendje të re. Këshilli i Legjislacionit ka dhënë miratimin për të dërguar në seancë plenare vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e deputetes socialiste.
Vetëm disa javë më parë, ish-kreu i grupit socialist, Bledi Çuçi, njoftoi publikisht se vendimi do të “ankimohej” në Komisionin e Venecias. Ai e quajti vendimin e Gjykatës Kushtetuese si anti-kushtetues dhe deklaroi se deputetët janë të lirë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Por duket se diçka ka ndryshuar.
Pyetja që ngrihet është: Pse Rama vendosi të lëshojë Olta Xhaçkën?
Ka sinjale që SPAK-u mund të jetë futur në lojë. Ish-ministrja e Mbrojtjes është nën hetim për afera me pronat e ushtrisë, dhe sinjalet tregojnë se dosja po mbyllet. Nuk është çudi që ajo të merret nën akuzë së shpejti. Rama, siç e ka zakon, i largon ata që kap SPAK, duke tentuar të pastrojë imazhin e tij. Në këtë rast, duket se e ka dorëzuar Xhaçkën në duart e Prokurorisë së Posaçme, dhe nuk është e largët dita kur ajo mund të merret e pandehur.
Ky veprim është gjithashtu një sinjal për të tjerët. Zërat thonë se në vjeshtë mund të nisë një aksion tjetër i SPAK në radhët e mazhorancës, dhe kryeministri po u dërgon sinjalet që të mbyllin vetë hesapet me drejtësinë.
Ndërkohë, pritet që të përfundojë hetimi i dosjes IPARD, ku Frida Krifca është një nga të rrezikuarat. Po ashtu, ka edhe shumë dosje tenderësh që mund të tronditin mazhorancën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



