Publikohet fotoja e fundit e Gilmando Danit
Pasditen e së martës, 47-vjeçari Gilmando Dani u ekzekutua në një atentat mafioz në afërsi të rrethrrotullimit të Rinasit. Ai ndodhej si pasagjer në një automjet tip Mercedes C-Class, mbi të cilin u qëllua me breshëri armësh nga një Toyota me targa të huaja, që u gjet e djegur pak minuta pas krimit, në një zonë të afërt.
Në automjet ndodhej edhe Muçi Shaljani (i njohur si Sheqeri), 40 vjeç, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), i cili mbeti rëndë i plagosur dhe po lufton për jetën në spital.
Deri më tani, policia nuk ka identifikuar autorët e atentatit, ndërsa grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të zbuluar itinerarin e automjetit të autorëve dhe momentet e saktë të ngjarjes.
Ndërkohë, është bërë publike fotoja e fundit e Gilmando Danit, e cila është sekuestruar si pjesë e dokumentacionit të gjetur pranë tij. Imazhi tregon ndryshime të dukshme në pamjen e jashtme të Danit, krahasuar me fotot e mëparshme, duke reflektuar një portret të lodhur dhe tërësisht ndryshe nga ai që njihej vite më parë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e krimit dhe lidhjet e mundshme mes viktimës dhe personave që dyshohet të kenë urdhëruar ekzekutimin.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



