Qeveria do rrisë me 15% tatim profesionistët, nuk i trajton më si biznes i vogël
Ditën e sotme është mbledhur Kuvendi i Shqipërisë, ku një prej temave më të rëndësishme është debati për projektligjin e miratuar për tatimin e të ardhurave personale dhe të profesioneve të lira.
Sipas kësaj risie ligjore, nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.
Ky ligj është padyshim një goditje e madhe për të gjithë profesionet e lira, që kanë vendosur të mbështeten te krahët e tyre dhe të ndërmarrin risqe, që i punësuar në një kompani të caktuar nuk i ka. Në kategorinë e të vetëpunësuarve bëjnë pjesë profesione si avokati, noteri, fizioterapisti, hidrauliku, elektricisti, muratori, kontabilisti e shumë të tjerë.
Deri më tani ata ishin kategorizuar si biznese të vogla dhe nuk tatoheshin. Kjo padyshim ishte një ndihmë për ta në këtë kohë krize, kur i duhet të mbijetojnë, por shteti tashmë kërkon t’i marrë një pjesë të të ardhurave të familjes edhe një elektricisti, që rrezikon jetën për të siguruar jetesën normale të fëmijëve të tij.
Ky projektligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga kontabilistët, avokatët dhe mjekët, pasi ata kanë vërejtur pabarazi dhe shumë pika të lëna evazive. Fakti që shteti kërkon tu marrë profesionistëve para nga të ardhurat e tyre, padyshim e vështirëson edhe më shumë mbijetesën e tyre në treg dhe bën që akoma më shumë njerëz të profesioneve të ndryshme të lënë vendin.
Me pak fjalë, shteti, që nuk u përmbush këtyre personave as nevojat më jetike, ndër to edhe siguria, fut dorën në xhepin e njerëzve dhe i bind akoma më shumë të lënë atdheun e tyre dhe të shkojnë në vendet e tjera, ku marrin shumë më tepër para dhe kanë një jetë më të garantuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



