E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama ashtu si dhia, deri tani ka bërë veç kakërdhia.
Sot

Rama ashtu si dhia, deri tani ka bërë veç kakërdhia.

Duke pritur në Sarandë tragetin për Korfuz, tre mesoburra ngjitur me tavolinën time, flisnin për qeverinë, siç bën rëndom shumica e popullit shqiptar sa hap sytë çdo mëngjes.

Dukej që nuk ishin në një mendje nga që bërtisnin fort dhe hera herës u ngrihej si pallat damari i ballit.

Nuk donin t’ia dinin që trazonin qetësinë e të tjerëve. Tirrnin leshtë e muhabetit të tyre pa u ndrojtur fare.

Thelbi i bisedës qe se Rama për pesë vjet nuk ka bërë asgjë.

-Siç qemë, jemi, njësoj. Pa punë, pa rritje rrogash, pa ulje çmimesh, pa…

Por s’qe e thënë të mbaronte mendimin se çirrej tjetri:

-Po Saliun e harrove, more? Po të vrarët e 2 prillit, po…

As ky nuk i vinte dot pikë muhabetit se ia fillonte britmës i treti:

-Akoma me Saliun ju, akoma me vitin 1938 si Enveri, akoma me ata që ikën, akoma…

Kot i shkonte gulçima dhe këtij. Riniste tema atje ku e nisën.

-Asnjë rrugë, asnjë investim, pa drita e pa ujë…

-Avash ti, avash, se mos e ndriti Saliu…

-Na çatë trapin ju  me këto sherre…

Në fund njëri prej tyre lëshoi një frazë që  për çudi e pranuan të tre debatuesit e zjarrtë. Dhe ranë squk. U vendos qetësia.

-Rama ashtu si dhia, deri tani ka bërë veç kakërdhia.

Heshtje në lokal. Nuk u ndërsenë më si qentë me njëri-tjetrin.

Se në fakt e vërteta e këtij pesëvjeçari kështu doli. As rrugë, as rroga, as shëndetësi falas, as arsim cilësor, as paqe sociale, as ulje e varfërisë, as investime të huaja, as hyrje në Evropë, as… Vetëm ca kakërdhia asfalti në autostradën Tirane-Durrës.

Pritej veza e madhe premtuar në fushata, në dëgjesa, në tv e gazeta dhe doli kakërdhia, ama realizuar bukur dhe mjeshtërisht në 3D. U pranua si aforizëm,ndaj tre burrat heshtën. Kësaj qeverie i përshtatet si logo një kakërdhi qoftë dhe e vockël.

Atë çast erdhi koha të hypi në traget. Sa afrohem te polici i kufirit ai ma bën me dorë të ec. Nuk kontrollon në kompjuter as pasaportë  e as biletë.

Kishin ikur dritat. Nga trageti  shihja si fekste Korfuzi, ngjitur me atdheun, dhjetë milje afër, dy botë larg. Po ecja mes valëve dhe po lija pas me trishtim brigjet e Kakërdhi Landit tim…/Syri.net

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.