E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama do mbledhë Kryesinë dhe Asamblenë e PS, mund të bëjë ndryshime në qeveri
Politikë

Rama do mbledhë Kryesinë dhe Asamblenë e PS, mund të bëjë ndryshime në qeveri

Vendimi surprizues u është komunikuar përfaqësuesve të maxhorancës, pas vendimmarrjes nga Kryeministri Rama. Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se më 24 dhjetor, kreu i PS-së njëherësh edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, do të mbledhë kryesinë e Partisë Socialiste.

Në Kryesi do të përcaktohet edhe axhenda e Asamblesë së PS që pritet të mbajë më 28 dhjetor. Të njëjtat burime nga PS sqarojnë se deputetëve socialistë u është komunikuar që në këto dy mbledhje do të diskutohet bilanci politik dhe qeverisës i Partisë Socialiste në këtë vit që po mbyllet.

NDRYSHIMET

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga salla e Parlamentit një javë më parë, se protestat e studentëve i kanë dhënë një shuplakë të fortë qeverisjes. Gjithashtu, edhe më herët, kreu i qeverisë ka deklaruar se është i pakënaqur me shumë aspekte të qeverisjes, rezerva të cilat nuk i ka shprehur publikisht. Mendohet që Asambleja e datës 28 dhjetor mund të prodhojë edhe surpriza sa u takon ndryshimeve në qeveri.

Ndryshime në kabinetin qeverisës ishin paralajmëruar edhe në verë kur Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zhvilluan një mbledhje në Vlorë. Gjatë atij takimi, për çdo ministër u dorëzua një raport i detajuar për përmbushjen e objektivave në qeverisje.

Ishte kreu i Grupit të PS-së, Balla, që deklaroi se nga analizat e zhvilluara rezultoi se qeveria i ka përmbushur angazhimet dhe prioritetet e saj kryesore. Besim ministrave në Asamblenë e zhvilluar pak ditë më vonë iu dha edhe Kryeministri Rama.

Por protestat e zhvilluara ditët e fundit duket se kanë qenë indicia kryesore që kreu i qeverisë të thërrasë jashtë rendit të saj Asamblenë e PS-së. Viti 2019 do të jetë një vit elektoral, ndaj edhe kjo mbledhje pritet të shërbejë edhe si një ndezjeje e motorëve për fushatën elektorale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.