E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama flet për negociatat me Bashën në 2017: Edhe Romeo do ishte…
Politikë

Rama flet për negociatat me Bashën në 2017: Edhe Romeo do ishte…

Gjatë një takimi elektoral në Vaun e Dejës, Kryeministri Edi Rama tha se opozita po i rikthehet avazit të vitit 2017.

 

“E luta, aq sa nuk i isha lutur grave më të bukura të planetit, iu luta aq sa edhe Romeo do të ishte habitur edhe sikur ky të ishte ku e ku më i bukur se Zhulieta. Në fund u bind. Mori gjithçka.

Këta që flasin për përgjime dhe për vota, këta kriminelët i nxirrnin nga burgu me leje lindje në fushatë. Dhe kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Është akoma aty. Monument kulture që mbrohet nga Fatmir Mediu”, tha Rama.

Më tej, kryeministri u shpreh se opozita ka pranuar se nuk “fiton dot zgjedhje me ne dhe është larguar”,

Rama tha se për fat të keq, shumë votues të djathtë nuk kanë kandidatë në këtë fushatë, duke shtuar se ky është problemi i vetëm katër personave, Presidenti Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

“Kudo ku ndaloj në stacionet e fushatës aty ku ne e kemi drejtuar bashkinë flasin punët më shumë se sa 1 mijë fjalë, ndërsa aty ku ne nuk e kemi drejtuar bashkinë flet krahasimi me modelin.

Do të donim që në këto zgjedhje të ishim me kundërshtarin tonë përballë. Marku nuk e ka përballë kryetarin aktual të bashkisë në këtë fushatë dhe për fat të keq shumë votues demokratë nuk kanë zgjedhje, nuk kanë çfarë zgjedhin jo sepse ne ua kemi hequr këtë mundësi as se larg qoftë ndonjë fatkeqësi natyrore ua ka hequr, por udhëheqja e Partisë Demokratike, e cila kapitulloi. Ka pranuar se nuk fiton dot zgjedhje me ne dhe është larguar.

Fatkeqësisht, sot që flasim kjo gjendje ndodh në dy vende të globit, në Shqipëri me PD-në dhe talebanët në Afganistan.

Shqiptarët janë të ndarë kur vjen puna tek partitë politike por janë të bashkuar tek Evropa. Ku historia dhe peripecitë tona na kanë mbajtur të ndarë kaq shumë vite. Kush e bën sot këtë? Janë katër veta. Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe fallxhorja. Katër vetë që kanë marrë përsipër të ringjallin haxhiqamilizmit në vitin 2019.

 Është shumë e rëndësishme që edhe demokrati më ekstremist që jeton me bukën e vet dhe që nuk ushqehet me përsheshin nga Luli ta kuptojë se e gjitha kjo është kundër tij. Është përpjekja e hallit të madh të këtyre katër vetave por edhe të tjerëve përreth si ai që u nis për në televizion dhe përfundoi në komisariat.

Këta nuk duan atë drejtësi që do të pastrojë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Dy vjet përpara të njëjtët njerëz, në atë kohë Ilir Meta nuk kishte zbritur në fushë si sot, Ilir Meta ishte në tribunë, poshtë zyrës time kishin ngritur një çadër, mbanin fjalime, ikte Luli të flinte në drekë dhe rikthehej pasdite dhe mbante prapë fjalim. Prej kohësh, thirrin Rama ik, më përpara Nano ik, Majko ik. Heqin vetëm emrin dhe parullën nuk e ndërrojnë”.

Kandidati socialist për bashkinë e Vaut të Dejës, Mark Babani, tha se kryeministrin e kishte njohur në kushte biznesi.

“E falënderoj kryeministrin Edi Rama, të cilin e kam njohur në kushtet e biznesit dhe jo të politikës”, tha ai.p

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.