Rama i ‘dhuron’ 110 mln euro Beketit, por vijon me persekutimin e medieve
Ndërsa kryeministri Edi Rama dhe ish-zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj zotoheshin se biznesmeni italian nuk do të merrte asnjë qindarkë, arbitrazhi ndërkombëtar ka dhënë vendimin përfundimtar, duke detyruar Shqipërinë tashmë që t’i paguajë Fraçesko Beketit, 110 milionë euro për mbylljen e televizionit Agon Channel.
Gjykata e Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për rihapjen e çështjes, duke lënë kështu në fuqi vendimin e parë që e cilësonte sulmet ndaj Beketit si politike, që çuan deri në mbyllje të Agon Channel. Në një vendim të marrë më 29 mars, një gjykatë e përbërë nga shtetasi amerikan Grant Hanessian si kryetar, Robert Anderson KC i Mbretërisë së Bashkuar dhe Charles Poncet i Zvicrës urdhëruan rrëzimin e përshpejtuar të kërkesës për rishikim nga ana e Shqipërisë si qartazi pa baza ligjore.
Gjykata argumentoi se në kërkesën e Shqipërisë nuk ishte vërtetuar se kishte ndonjë fakt të ri që nga vendosja e dëmshpërblimit në vitin 2019.
Çështja u hap në Gjykatën e Arbitrazhit në vitin 2015, ku paditësit pretendonin se ishin viktima të një fushate të motivuar politikisht që synonte investimet e tyre në sektorët e medias, hidroenergjisë dhe menaxhimit të mbetjeve të vendit.
Fushata e supozuar përfshinte procedime penale shqiptare kundër Beketit dhe drejtuesve të tjerë. Sipas pretenduesve, masat u nxitën nga kritikat ndaj qeverisë nga stacioni i tyre televiziv Agonset, i cili u mbyll dhe pajisjet iu sekuestruan.
Shqipërisë, përveç shumës prej 110 milionë euro të vendosura në vendimin e parë, i shtohet edhe detyrimi prej 145 mijë euro si detyrime për rihapjen e çështjes.
Në pretendimet e tij, edhe para gjykatës, biznesmeni Fraçesko Beketi i cilësoi sulmet nga Edi Rama dhe qeveria e tij si një nga persekutimet më të rënda politike që ka njohur historia bashkëkohore europiane.
Por teksa gjykatat ndërkombëtare dënojnë rëndë kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, sërish sulmet ndaj mediave nuk ndalen.
Vetëm ditët e fundit, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë ndërmarrë një fushatë sulmesh dhe akuzash ndaj mediave, që janë dënuar rëndë edhe nga organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së medias.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



