E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ramazani, sfidë njerëzore, emancipim, integrim dhe vizion i ri…
Sot

Ramazani, sfidë njerëzore, emancipim, integrim dhe vizion i ri…

 

ferdianand samarxhiu

 

 

Ferdinand Samarxhi

Kur agu i lirisë flladiti tokën tonë, kur rrezet e tij ndriçonin tokën e djegur, të namun; Altari i Shenjtë thërriste në apoteozë; Ezani Muhamedin çante errësirën e zezë të mjegullnajës së qiejve të komunizmit, njerëzit, të djegur, përmallur, të etur me dashurinë e zjarrtë për Zotin, iu drejtuan faltoreve të Shenjta, ku luteshin dhe adhuronin, paqe dhe qetësi shpirtërore.

Në këto ditë të zjarrta do të mund të hapja për herë të parë, më në fund, të vetmen dritare të dritës së lirisë së besimit, në të vetmin ekran të kohës, në Radio Televizionin Shqiptar. Tashmë, zëri i Altarit të Shenjtë dhe i Ezanit Muhamedin do të kumbonte fuqishëm, përtej faltoreve, nëpër të gjithë qiejt e lirë të tokës sonë të djegur, në të gjitha vatrat shqiptare, ku sinjali i këtij eteri të parë, të demokracisë, përcillej nëpërmjet valëve, si një simfoni e dashurisë, jo vetëm për flamurin, kombin, por edhe për Zotin, që ia kishin ndalur dhe mohuar, por tashmë po e përjetonin atë si një dritë lirie të vërtetë.

maqedoni

Në këtë dritare të dritës së lirisë, të besimit, në Radio Televizionin Shqiptar, njerëzit jo vetëm po gjenin atë çka iu ishte mohuar, ndalur me diktaturë nga komunizmi, besimin te Zoti, por po shihnin dhe përjetonin dritën e lirisë, dritën e paqes, dritën e dashurisë për Zotin, për të gjithë njerëzit e galilesë së madhe të kombeve. Në këtë përvijim të dashurisë për Zotin, do të konturohej që në fillim, në Muajin e Shenjtë, programi i spikatur, për të gjithë bashkëkombësit, për ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tyre “Gëzuar Kombi Ynë Muajin e Bekuar Ramazan”, i iniciuar nga unë dhe i mbështetur që në fillimet e para të preludit të demokracisë, nga besimtari i zellshëm d

he i devotshëm katolik, Tom Doshi, deputet i disa legjislaturave të sotme të Kuvendit të Shqipërisë, nga besimtari tjetër i devotshëm, human bektashian, Muhamet Malo, të cilët do të riçelnin siparin e atij virtyti të madh: harmoninë, tolerancën, bashkëjetesën fetare, të vdekur, të harruar në vite, do të ndriçonin, madhëronin më tej, këtë thesar të pashlyeshëm të kombit tonë.

Ky program, për tetë vjet, do të përkrahej dhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, H.Dede Edmond Brahimaj, që do të mbrunte dhe përcillte më tej këtë mesazh të madh të dashurisë për të gjithë kombin, të dashurisë për Zotin. I udhëhequr nga ky motiv, që në fillim, ky program u hartua si një bashkëpunim me të gjitha bashkësitë islame të kombit tonë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe besimtarëve myslimanë e bektashianë të të gjitha vendeve të botës ku ata ndodhen, të drejtuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, i përcjellë si një program i përjetimit të jetës së qindra e qindra miliona njerëzve si ngjarja më e rëndësishme, më sublime e jetës së tyre.

ramazan

Duke u mbështetur në librin e shenjtë të Kur’anit, ku ndër të tjera thuhet: “Ju krijova dhe ju ndava në fise dhe në popuj, që të jetoni bashkërisht”. Ideja dhe pështjellimi i gjithë programeve të këtij muaji, kondicionohej dhe merrte më shumë vlerë, duke u gërshetuar me historinë e besimeve, të islamit, të cilin kombi ynë i ka parë ato gjithnjë si bashkim, si unitet, si identitet të tij. Nisur nga konturet historike, Islami në trojet tona ka luajtur një rol të madh, në përkrahjen e idealizimit të vlerave të mëdha, ka bashkëjetuar me kohët dhe ka luajtur rol të dukshëm në çështjen e historisë së kombit.

Edhe në momentet më të vështira, të ekzistencës të tij, kur vihej në pikëpyetje qenia e tij, gjithmonë besimi, cilido qoftë ai (islam dhe i krishterë), i ka bashkuar dhe udhëhequr ata, për të ruajtur kombin dhe vatanin. Roli, ideja dhe realizimi i këtyre programeve shpalosej më mirë me skenografinë e trevave me tradita historike si: Prizreni, Prishtina, Manastiri, Tetova, Shkupi, Ulqini, Tivari, Rrëzhaja, Gjirokastra, Berati, Durrësi, Tirana etj… . Në kushtet e shoqërisë së sotme, në programet e projektit “Gëzuar Kombi Ynë Muajin e Bekuar Ramazan”, besimtarët, njerëzit, qeniet njerëzore, bëhen pjesë e pandarë e proceseve integruese me vizione që ndihmojnë zhvillimin e tyre.

Muaj i Ramazanit, që përjetuam dhe përcollëm këto ditë, nëpërmjet filmimeve, bashkëbisedimeve të programeve tona, kontribuoi si një vlerë, shpëtim për njeriun, qenien njerëzore, duke pasur në themel të tij dashurinë dhe ekzigjencën e pastër të tij ndaj Krijuesit të gjithësisë. Në këtë muaj lind një njeri tjetër, ndryshe nga 11 muajt e tjerë të mëparshëm të vitit, gatuhet një forcë e madhe, e ndërgjegjshme, e arsyeshme shpirtërore, që gjallon vlera të larta morale të besimit të njeriut, të qenies njerëzore dhe bëhet pjesëmarrës i vlerave të njësuara në ekzistencën e besimit të qytetërimit të sotëm. Në këtë muaj, njeriu vjen me një performancë tjetër, të dashurisë ndaj krijuesit të gjithësisë, ndryshon, rritet, madhohet. Në këtë shkollë, botëkuptimi dhe ndërgjegjja lartësohen. Devotshmëria kërkon të shkojë drejt absolutizimit.

haxhi deda

Njeriu, si besimtar që tashmë është, bën jetë jo më individuale, por të përbashkët. Në këtë muaj, Ai e sheh veten jo vetëm si një qenie individuale, por edhe shoqërore. Në këtë muaj, njeriu gjendet më pranë Zotit, shoqërisë, me vlera dhe prevalime të tyre tashmë jo vetëm për jetën e tij, por për të gjithë komunitetin ku jeton. Njeriu, në këtë muaj, është më pranë se kurdoherë tjetër ekzistencës hyjnore dhe qenies së tij si krijesë në tokë. Modernizmi i kohëve të sotme nxit për besimtarin, njeriun, qenien njerëzore, egoizmin, shpirtin individualist, materializimin dhe instinktet vetjake të njerëzve.

Në kundërshtim me shoqërinë dhe besimin kërkon t’i largojë njerëzit nga gjithçka që ata të mbajnë të shenjtë, humane dhe etike, nga dashuria, përkujdesja, përkushtimi dhe vetësakrifica. Koherenca kozmike e kohëve të sotme kërkon ta bëjë qenien njerëzore robër të këtyre instinkteve. Ky muaj ofroi pa mbarim një dashuri dhe adhurim të veçantë për Krijuesin, që ai të jetë sa më i devotshëm, sa më i lartësuar, sa më i ndërgjegjshëm dhe me botëkuptim. Ramazani përçon te njerëzit që besojnë te Zoti, se humanizmi është vullnet i dashurisë së Zotit për ta, të njerëzve për njeritjetrin.

Vetëm kur besimi është i madh te Zoti dhe forca e besimit respektohet te njëri-tjetri, njeriu përsoset dhe humanizmi bëhet pjesë e jetës së tij, e mendimit, e botëkuptimit, vizionit të ardhshëm humanist. Humanizmi, bashkëbisedimi ynë me liderë, njerëz të shquar të doktrinës, dekanë, profesorë, shfaqet në këtë muaj si një doktrinë e dashurisë dhe ndjenjave njerëzore. Në këtë muaj u ndje dhe u shfaq më shumë se asnjëherë tjetër dhimbja për njeriun, vuajtja për të, për më të varfrin, për më të pashpresin, më të lënin mënjanë të kësaj bote. Solidariteti bashkëjetoi me to. Në këtë muaj u shfaq më mirë se kurdoherë tjetër prania e njeriut pranë më të varfrit në pasuri siç thuhet në shkrimet e shenjta: “Te pasuria e më të kamurit është dhe pasuria e më të varfrit”.

Muaji Ramazan vjen jo vetëm si një sfidë që Krijuesi i gjithësisë ia ka vënë kreaturës më të lartë, më të organizuar të të gjithë qenieve në botë, njeriut, për të kuptuar dashurinë e krijesës së tij për të, por e ka vënë këtë muaj dhe si një sfidë, provë, për ta gjeneruar më lart dhe pastruar shpirtërisht ndërgjegjen e tij, sprovë për të pasurin, që të kuptojë se pranë tij, jeton një qenie tjetër njerëzore, një njeri që s’duhet të jetë i harruar, pa jetë, i pangrënë, i lënë mënjanë nga shoqëria.

Ai, si krijesë e Zotit, duhet të jetojë në këtë jetë si edhe gjithë të tjerët. Njerëzit, besimtarët, në këtë muaj që përcollëm, u udhëhoqën nga thënia: “Mos dëshironi për të tjerët atë çka nuk dëshironi për veten tuaj”. Kudo, në ditët që kaluan, u ringjallën ndjenjat e mëshirës, në zemrat e më të kamurve, më të pasurve, më të gjendurve. Te njerëzit që adhurojnë dhe i luten Zotit, është e gabuar të mendosh se mirëkuptimi dhe respekti shfaqet te besimtarë të devotshëm, ashtu siç është e gabuar të mendosh që virtytet bashkëjetojnë te besimtarët pa mirëkuptim.

tom doshi

Programet e filmuara skenografuan faljen si një mëshirë e madhe për të gjithë. Besimtarët, këto ditë, iu lutën Zotit për t’i falur gabimet dhe mëkatet e tyre, siç falin të tjerët ata. Ashtu siç dëshirojnë të jenë të falur, duhet të falin. Një njeri, një besimtar që nuk diti të falë këto ditë që shkuan, nuk mund të shpresojë të jetë i falur. Në këto ditë, vetëdija arriti përsosjen më të lartë përmes natyrës njerëzore.

Njerëzit, besimtarët në Ramazan, mësojnë se nuk kanë të drejtë të falin ata, për të cilët falja e tyre mund të jetë mungesë, respekti për njerëzit. Është e rëndësishme që njerëzit ta meritojnë atë që kërkojnë. Dikush që nuk fal, nuk mund të këtë të drejtë të kërkojë mirëkuptim. Gjithsecili do të përballet me mungesë respekti në atë shkallë sa ai nuk respekton të tjerët. Ndokush që nuk njeh dhe do Zotin, nuk do të meritojë dashurinë e tij.

Ata, të cilët nuk përqafojnë gjithçka për krijesat njerëzore, me dashuri, tolerancë dhe mirëkuptim si besimtarë, janë humbës vlerash dhe, si rrjedhojë, jo mikpritës për mirëkuptim dhe falje. Është e pamundur sot të jetosh si besimtar kur nuk punon dhe vështron të tjerët jo me tolerancë dhe jo i vetëpërmbajtur. Një besimtar që nuk ka dhe nuk shfaq tolerancë, është e pamundur që të jetë i denjë dhe i devotshëm për të qenë i besuar në adhurimin ndaj Krijuesit. Besimtari, njeriu, qenia njerëzore, i pranon të tjerët siç janë në mendime dhe veprime të ndryshme.

mali i zi

Gjithmonë, në realitet, ekzistojnë njerëz, besimtarë, që mendojnë ndryshe, nga njëri-tjetri dhe ky realitet ekziston së qenuri. Është vlerë, virtyt, të pranosh besimtarin, tjetrin, siç është. Realiteti i sotëm i shoqërisë njerëzore bën që njerëzit të humbin disa nga tiparet ekzistenciale të jetës. Njeriu, i cili beson, mposht çdo gjë që ka të bëjë me humbjen e vlerave të ekzistencës njerëzore. Adhurimi në sakrificë për ekzistencën hyjnore çon në lindjen dhe ringjalljen e vlerave të reja sesa të atyre që kërkojnë t’i humbin këto tipare dhe vlerësime. Të duash tjetrin, sot është ndjesia më e spikatur e një zemre në besim. Këto ditë, besimtari u ushqye nga një dashuri e veçantë, që predispozon, gjithnjë e më shumë devotshmërinë e tij si qenie njerëzore në integrim.

Bashkëbiseduesit, në programe, motivuan ecjen drejt një tolerance, që shërben si një përkushtim i asaj devotshmërie që krijuesi kërkoi për besimtarin, për njerëzit, për qenien e tij njerëzore. Të gjithë shfaqin respekt për idetë e ndryshme dhe falin çdo gjë që është e tolerueshme. Edhe kur përballemi me shkeljen e të drejtave tona të patjetërsueshme, njerëzit këto ditë mbeten të respektueshëm për vlerat njerëzore, përpiqen t’i zgjidhin dhe t’i vënë ato në drejtësi.

Njerëzit, dashurinë dhe respektin që shfaqet në Ramazan e ushqejnë dhe përcjellin edhe në ditët në vazhdim, gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë jetës. Ne duhet të jemi si qenie pa duar, thotë mendimtari i shquar Gylen, kundër atyre që ju qëllojnë dhe pa fjalë kundër atyre që ju mallkojnë. Të gjithë jemi pasardhësit e Ademit (Adamit) e Ademi është prej dheu. Nuk është i pranueshëm kurrfarë dallimi mes jush. Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit, as joarabi ndaj arabit!

myftiu kosoves

I bardhi nuk është më i mirë se i ziu, as i ziu më i mirë se i bardhi. E vetmja gjë e rëndësishme është devotshmëria personale… Jeni të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. Ju jeni vëllezër e motra në mes vete. Mos mbillni urrejtje, veç dashuri. Me siguri, ata që kanë besuar, por edhe ata, që janë hebrenj, të krishterë dhe abejë, që i kanë besuar Zotit dhe botës tjetër, kanë bërë vepra të mira, do të shpërblehen nga Zoti i tyre. Për ata nuk do të ketë as frikë, as pikëllim. Programet tona me bashkëbiseduesit përçuan devizën: Zoti e ka dërguar fenë, besimin për lumturinë individuale e kolektive. Feja bazohet në besimin dhe adhurimin e Zotit. Sa më e lartë të jetë shkalla e besimit të njeriut, te Zoti, aq më e lartë është ndjeja e tij ndaj qenieve të tjera.

Zoti kërkon që ne të jetojmë në paqe. Si rrjedhim, ajo që pritet nga besimtarët, nga ata që besojnë dhe adhurojnë vetëm Zotin, është përpjekje për paqe, vëllazëri dhe drejtësi. Në këtë drejtim, feja e sheh jetën si marrëdhënie e individit me vetveten, me Zotin, me njerëzit dhe mjedisin që e rrethon.

Sipas besimit, i cili u theksua në programet tona, është se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe të njëjtë, siç janë dhëmbët e një krehri. Besimi, si rrugë, si dogmë, nuk pranon asnjë lloj dallimi race, ngjyre, kombësie apo të mete fizike. Prandaj, njerëzit duhet jenë vëllezër. Ramazani, ky universitet, muaj i filozofisë së dashurisë të Krijuesit për njeriun, drejtësinë, të drejtat e njeriut, i përcjell si një mesazh i madh i qytetërimit dhe emancipimit të jetës, të lirisë së saj.

golemi

Në statutin e privilegjeve të kristianëve, në vitin 628, të murgjve të Manastirit të Shën Katerinës, në Malin e Sinait, ligjërohet: “Me të vërtetë unë, shërbëtorët, ndihmuesit dhe ndjekësit e mi i mbrojmë ata, sepse kristianët janë qytetarët e mi dhe për Allah unë jam gjithmonë kundër çdo gjëje që i dëshpëron ata”. Asnjë lloj detyrimi, nuk duhet të ketë mbi ta. Në qoftë se një femër, kristiane, martohet me një mysliman, kjo nuk duhet të ndodhë pa aprovimin e saj. Ajo nuk duhet të ndalohet të vizitojë kishën e saj për t’u lutur. Kishat e tyre duhet të respektohen.

Atyre nuk duhet t’u ndalohet riparimi i tyre, as shenjtërimi i pakteve. Asnjë njeri, nga Ummeti (bashkësia islame) nuk duhet ta shkelë këtë pakt. Në kushtet e shoqërisë së sotme, bashkëkohore, integruese, besimtarët myslimanë shqiptarë janë pjesë e pandarë në proceset integruese me vizion që ndihmon këtë proces.

Të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre, thotë, Hirësia e Tij e Naltë, Haxhi Skënder Bruçaj, president i fondacionit “Hafiz Ali Korça”, drejtues prej 7 vitesh i KMSH-së, janë në kohezion me metodologjinë e interpretimit të islamit, në këtë botë komplekse shqiptaro-europiane si në aspektin gjeo-kulturor e gjeo-politik ku përkatësia, definitivisht, është brenda perëndimit, ashtu edhe me frymën postmoderne, që po bëhet mbizotëruese në botëkuptimin kulturor të shqiptarëve të sotëm.

Capture

Bisedat e programeve tona vizionuan aspiratat dhe integritetin e besimtarit, islamit si besim, që ekziston dhe bashkëjeton në konturet e Perëndimit, diversiteteve dhe kulturave të ndryshme, si të njëjtë me ato të Europës. Jemi europianë dhe në vorbullën social-kulturore, që provokon globalizmi, kombi ynë i vogël po integrohet, duke promovuar gjithnjë e më shumë vlera që çojnë në ruajtjen sa më shumë të ekuilibrave të brendshëm. Duke ruajtur këta ekuilibra, për të cilat kombi ynë ka një traditë, e posedon atë, si një vlerë për gjithë shoqërinë e sotme njerëzore, si një komb europian, me shumicë myslimane, harmonia, toleranca, bashkëjetesa është gurthemeli i kombit tonë e jo thjesht një retorikë politike.

Këto vlera, këto mesazhe, përcolli Ramazani dhe liderët e mëdhenj të kombit, besimit: “Gëzuar Kombi Ynë Muajin e Bekuar Ramazan”; kryetari i KMSH, H.Bujar Spahiu; Kryegjyshi Botëror, H. Dede, Edmond Brahimaj; Myftiu i Kosovës, H.Naim Tërnava; Reizi i Maqedonisë, H. Sulejman Rexhepi; Reizi i Malit të Zi, H.Refat Feiziç; Hirësia e Tij e Naltë, H. Skënder Bruçaj; mendimtarë, dekanë, profesorë, teologë, njerëz të besimit etj., për këtë muaj të shenjtë, të bekuar, të qindra, qindra, miliona njerëzve në të gjithë botën dhe në trevat e kombit tonë si një muaji që rrit, lartëson, transfiguron qenien njerëzore, botëkuptimin dhe vizionin e tij me konture, diapazone të reja, më inkandeshente për jetën, më largpamëse për shoqërinë, për gjithë galilenë e madhe të kombeve si muaji i “sakrificës, solidaritetit, bashkëjetesës me vuajtjen dhe dhembjen, filozofi e qenies njerëzore në integrim!”.

Ky u transmetua në të gjitha kanalet televizive shtetërore dhe private në vendet ku ndodhet dhe jeton kombi ynë, në të gjithë vatrat shqiptare: RTSHRTK-Kosovë, MTV2-Maqedoni, RTV-Mali Zi, Radio Televizioni “Ora News”, Tv “Channel One”, Tv “Shijak”, Tv “Teuta”- Mal të ZI, Tv “Besa” Prizren, TV “Koha” – Tetovë, “UFO” TV, Tv “6+1” Vlorë, Tv “Fokus” Vlorë, Tv “Adria”-Durrës, TV “Kombi”-Fier, Tv “Globi”-Korçë, TV Berat, TV “Telejon”-Sarandë etj… .

21

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.