E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Reagon presidenti Meta: Liria e shtypit dhe informimit e garantuar me kushtetutë
Politikë

Reagon presidenti Meta: Liria e shtypit dhe informimit e garantuar me kushtetutë

Presidenti e konsideron Urdhërin  i prokurorisë për median, antikushtetues

Pas publikimit të djeshëm të përgjimeve në gazetën “Bild”, Prokuroria e Përgjitshme dhe ajo e Krimeve të Rënda kërcënuan mediat dhe gazetarët se e kanë të ndaluar publikimin e përgjimeve të tjera, pjesë e dosjes së famshme 339/1.

Por përveç reagimeve nga bota e gazetarisë dhe opozita, sot ka reaguar edhe presidenti i republikës Ilir Meta.

Teksa citon nenet e Kushtetutës, kreu i shtetit i rikujton prokurorisë se liria e shprehjes dhe e shtypit është e garantuar dhe e pacënueshme.

REAGIM I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, SH.T.Z. ILIR META

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal, gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Presidenti i Republikës gjithashtu është njohur edhe me reagimin e organit të Prokurorisë ndaj publikimit të këtyre interceptimeve, që nëpërmjet një urdhërese kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media.

Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se:

Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim. Neni 22 i saj sanksionon qartë se:
1.Liria e shprehjes është e garantuar.
2.Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar.

Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur.

Presidenti i Republikës inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike, por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve, me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm.

Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale.

Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për çeljen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.