Reforma e Akademisë të Shkencave??? Reformim nëpërmjet rithemelimit!
Artann Fuga
Deri tani është konceptuar dhe aprovuar unanimisht propozimi për pozicionimin e ri të saj, jo më si institut kërkimi shkencor, as si drejtori dekasteri, por si forum shkencëtarësh akademikë që kontribuojnë në strategjinë e kërkimit shkencor në partneritet me qeverinë, si komunitet përfaqësues i kërkuesve shkencorë shqiptarë përtej ndarjeve të tyre disiplinore, institucionale, metodologjike. Në kuptimin hegelian se ndarja konceptuale nuk mund të ekzistojë pa konceptin tërësor që bëhet garant për çdo koncept të veçantë.
Unë me kolegë të tjerë kam punuar me këtë ide, jam shprehur dakord për të, e cila pas vitesh rezistence u pranua edhe nga ata që deri dje më kanë fyer ku kanë mundur, në gazeta, intervista, televizione, para dhe pas shpine, në zyrat dhe korridoret e Akademisë dhe më tej. Më fyenin kur ua propozoja si të vetmen alternativë.
Disa inatçinj edhe vazhdojnë të më fyejnë kurse presionet e përditshme nuk pushojnë as sot, natën dhe ditën.
Por, nuk ka rëndësi deformimi, rëndësi ka reformimi!
Por ka mbetur në mes të udhës reforma në këto plane:
1. Reforma e analizës së deritanishme të punës së Akademisë dhe e rezultateve të kërkimit shkencor të çdo akademiku dhe e agjencisë në përgjithësi. Ende nuk ka një vështrim kritik të punës nga ana e kryesisë së mbetur apo e këshillit ekzekutiv për ecurinë e punës në këto vite si edhe për pranimet pa kriter të akademikëve apo edhe për organizimin e zgjedhjeve të fundit-farsë? Pa u bërë ky katarsis, besoj Akademia nuk do të vendoset dot në shina!
2. Reforma që lidhet me auditimin e përdorimit të fondeve deri tani, sepse nuk mund të kërkosh fonde të tjera pa parë me hollësi si janë përdorur të vjetrat, çfarë rezultatetesh kanë dhënë ato? Auditim jo thjesht si invetar, por i performancës të fondeve të marra! U bënë vite që e këkoj, jam kam kërkuar edhe zonjës ministre, publikisht para tre vjetësh, por asnjë përgjigje nuk kam marrë. Cili është rentabiliteti i përdorimit të fondeve kur asnjë agjenci nuk i mat ato, kur botimet janë pa oponenca, pa komitet botimi, pa përkthime në gjuhë të huaj, pa redaksi?
3. Reforma e personelit. Cili është potenciali real në funksion të moshës, të statusit profesional, të vendbanimit, të akademikut? A mundet që personeli i Akademisë të mos ketë as gradën doktor? A duhet akademiku të jetë edhe një burokrat, pra një punonjës administrate?A nuk i duhen nëpër seksione Akademisë së Shkencave doktorë të rinj plot vullnet dhe pasion në shërbil të a²kademikëve që punojnë sipas një strategjie të caktuar?
4. Reforma e statusit të akademikut dhe e pranimeve të reja. A është akademiku vetëm përfaqësues i punës së tij, apo duhet të konsiderohet si përfaqësues i fushës të shkencëtarëve brenda së cilës punon dhe të rekrutohet me mbështetjen e tyre? Pse nuk ka pranime mbi bazën e oponencave dhe paraqitjeve të arritjes të fushës? Pse ka pasur frikë Akademia të bëjë thirrje të hapur për anëtarësim? Përse nuk ka marrë gjykimin dhe aprovimin institucional të agjencive kërkimore dh universitare nga vijnë anëtarët e rinj?
Si është e mundur që nuk ka më asnjë dallim midis akademikëve dhe akademikëve të asociuar, si rezultat i presionin për honoraret?
A do të dalin Akademikët në pension në moshën e të gjithë profesorëve të tjerë? Po të rinjtë a nuk duhet të jenë detyrimisht në moshën 60 vjeç kur hyjnë në Akademi? Se përndryshe Akademia do të bëhet vend oazi para pensionit!
5. Reforma e matjes së punës shkencore dhe e rezultateve të saj. A mund të matet puna shkencore vetëm me botimet dhe ato pa performancën e duhur dhe pa recencën e duhur? Ku i ka Akademia e Shkencave kriteret e performancës të punës shkencore? Apo në botime pa komitet shkencor, pa oponenca nga jashtë vendit dhe akademisë?
6. Reforma e shpërndarjes të fushave, e hapjeve të fushave të reja si edhe a vlen që Akademia e Shkencave të ndahet në seksione sipas fushav logjikë që na vjen që nga pozitivizmi klasik i shekullit të 19 -të apo duhet organizuar sipas funksionaliteteve ndërdisplinore?
7. Reforma e marrëdhënieve të Akademisë të Shkencave me shoqërinë. A duhet edhe të përfshijë inovacionin? Si të mos bashkëpunojë edhe kërkimin shkencor universitar? Pse Akademia fondet e veta për botim librash nuk i propozon për kontribute bibliografike të të gjithë komunitetit? Sa libra u shitën në panair? Perse projektet i ka mbajtur për veten e vet pa i shpallur me konkurs të hapur publik?
8. Reforma e legjitimitetit. Kush e përfaqëson tani Akademinë? Komisioni i reformës, këshilli ekzekutiv, seksionet?
9. Reforma e punës shkencore të Akademikëve. Përtej funksionit të shërbimeve, për statusin e akademikut, për funksionimin e saj institucional, ku fondet e dhëna dalin dhe teprojnë nëse me to nuk abuzohet, që nuk besoj se duhet të vihen në dyshim, nëse Akademia tregon se është reformuar sinqerisht, dhe për këtë besoj se duhet ngritur një grup besim – reformimi me tagrin edhe të qeverisë, fondet e tjera të kërkimit shkencor Akademia duhet t’i gjejë vetë mes projekte. Ky duhet të jetë besoj edhe modaliteti i cdo institucioni shkencor, fonde ekzistence, dhe liri për kërkim fondesh, si edhe për konkurim në një fondacion shkence me fonde publike.
Akademia e Shkencave si cdo institucion shkencor, madje si cdo agjenci publike e industrisë së media, shkencës, arsimit, pra në industrinë e krijimit duhet të pretendojë fonde publike me dy kushte e kritere performance, së pari, të dëshmojë se e matet edhe me kontributin e saj në GDP, si edhe duke treguar se sa është parametri i Return on the investment për fondet e marra.
Me të gjitha këto Akademia duhet të eci sipas parimit Reformim nëpërmjet rithemelimit. Të bëhet statusi i ri, të bëhen pranimet e reja, të riorganizohet dhe pastaj të bëhen zgjedhjet e reja me një platformë të re pune.
Jo zgjedhje pastaj reformim. Në fillim reformim, prurje të reja, pastaj zgjedhje!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


