“I kisha bërë një betim vetes që s’do të pranoja më asnjë rol, por u josha dhe u intrigova shumë nga roli i babait me demensia. Më ka lodhur shumë ky personazh, por besoj se publiku do t’a presë shumë mirë”. Duke u ndalur tek eksperienca personale, Arbana tha se ai ka qenë dhe vijon të mbetet një baba patriarkal.
Aktori që ka mbi 45 role mbi supe, u ndal dhe tek debati i para pak muajve mbi ndalimin e disa prej filmave të komunizmit. “Mbase nga ana artistike nuk kanë qenë shumë cilësorë, por kanë pasur pastërti morale. Tani shohim VIP-a të zhveshur…”. Për Reshat Arbanën, kinematografia e pas ’90-ës ka prodhuar shumë pak filma.
Aktori i madh shqiptar foli edhe rolet e jetës dhe tij dhe marrëdhëniet me kolegët e atyre viteve, për të cilët thotë se plejada e tyre s’do të kthehet më kurrë. Mes tyre, veçon Sandër Prosin. “Edhe kur më bënte vërejtje për ndonjë rol, ma bënte me shumë finesë”.
I pyetur për mjeshtërinë e recitimit, ai tha se e gjitha ka nisur si revoltë ndaj fenomeneve sociale. Poezitë “Hakërrimi”, “Koha është e maskarenjve” dhe “Në mundsh” janë ndër poezitë më të arrira, interpretuar nga Reshat Arbana.


