Revolucioni mediatik në Shqipëri ka ndodhur

Me një naivititet të pashpjegueshëm, moderatorët dhe gazetarët televizivë nuk e paskan ditur se konkurencën e shfrenuar nuk e kanë mes vedi, por nga politikanët, liderët politikë. Ndiqni se si konkurohen sot prezantuesit e moderatorët televizivë me kohë e shfaqje mediatike nga të zgjedhurit e popullit, që punën e përditshme në shërbimin publik për të cilën janë votuar e ofrojnë si programe televizive me regji, skenar, skenografi, skaletë, monologë, komplimenta e lëpirje tipike të racës mediatike.
Kjo konkurencë, kjo smirë që u paska ngrënë shpirtin në heshtje, u është shndërruar në motiv aq të fortë, sa për të zënë pa takt e me përdhunë vendin e moderatorëve e gazetarëve, ndonjëherë edhe gaztorëve televizivë. Spostim i realizuar me atë ngacmimin e llahtarshëm të zilepsjes, të sensit të protagonizmit, të një habie deri në çmenduri të tipit “Kush kujtojnë se janë ata?!” për të realizuar jo vetëm politikën e PR-it (jo, jo kjo nuk është asgjë), por zëvendësimin kokë më kokë të njerëzve mediatikë, që me hapësirën, famën dhe ndikimin e tyre u kanë prishur gjumin e natës politikanëve, zyrtarëve publikë, nga qeveria qendrore tek ajo lokale. Madje me një revansh më shumë: “Kur gazetarë e moderatorë televizivë mësyjnë hapësirën tonë, politikën, duke na konkuruar ne”, thonë ata, “si mos guxojmë ne edhe për këtë arsye t’u shkatërrojmë habitatin natyral, pasi t’ua zotërojmë Bizantin e tyre?”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



