E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rikthimi i “Xhuxhit” dhe gjylet amerikane ndaj të “Gjatit
Sot

Rikthimi i “Xhuxhit” dhe gjylet amerikane ndaj të “Gjatit

AGRON GJEKMARKAJgjekmarkaj

Nuk ka të sosur ky dimër për Kryeministrin dhe qeverinë e tij. Ngado që kthen kokën, ia beh një lajm i keq si zog i dreqit. Protestat s’kanë të ndalur, studentët, pedagogët e kategoritë e ndryshme ziejnë. Opozita po mobilizon një demonstratë ende ngarkuar me mister mbi skenarët e saj.

Skandalet shpërthejnë nga afër e nga larg. Skandalet shpërthejnë nga afër e nga larg. Disa zbulohen në atdhe e disa nga Amerika e largët. Edi Rama, shtrënguar nga këso rrethanash që të bëjnë me lidh kokën me peshqir, ka ndryshuar 80 % të kabinetit. Ai ka dëbuar me lavdërime ish-ministrat, duke përfshirë në skuadër kryesisht anonimë të panjohur nga publiku.

Këta të fundit po zhbëjnë punën e paraardhësve dhe po çmobilizojnë nga postet shumicën e njerëzve që ata kishin rekrutuar në poste të ndryshme. Duket se puna e re iu pëlqen qamet. Në pasqyrë shihen dhe i drejtohen vetes, “hë more qerrata, u bërë ministër, ë?. Hë, moj virane, të erdhi dita ë?”. Kaotizmi dhe propaganda nervoze ka mbërthyer veprimin politik të maxhorancës.

Deklaratat interpretohen me këmbë e duar, me thonj e qerpikë, me sy e tëmtha, me bulçinj e veshë, të përgatitura para pasqyrës, ku trashet zëri, tundet gishti, hepohet koka si një investim i epërm për t’i gjetur strehë gënjeshtrës dhe ambalazhuar frikën me kurajo.

“Zëri i Amerikës” duket sikur ka marrë rolin e dikurshëm të fundviteve ’80, ku shqiptarët me ankth e shpresë prisnin për të dëgjuar zërin e Elez Biberajt dhe kumtet e tij kundër diktaturës. Prej javësh, ai po transmeton dokumente që përligjin akuzat për përfshirje të zyrtarëve të lartë në korrupsion ekonomik siç ishte rasti i firmës fantazmë, së cilës i ishin akorduar dy tenderë me vlere 18 dhe 12 milionë euro.

Mbrëmjen e së mërkurës, VOA i dha zë rrjetit investigativ BIRN. Ky ent informativ kishte siguruar pjesë nga dosja hetimore, e cila gjendet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen e shitblerjes së votave në disa rrethe të vendit përgjatë zgjedhjeve politike të vitit 2017, në Durrës, Lezhë e në ato të pjesshme lokale në Dibër, të mbajtura në tetor 2016. Nga bisedat e përgjuara dhe të publikuara, pozita e “Rilindjes” dhe e Vangjush Dakos rëndohet edhe më tej. Aty flitet shqip e qartë për dreka e darka mes tij dhe personazheve që blejnë vota për të. Këto publikime, vetë Dako si kryebashkiak i Durrësit, qyteti i dytë për nga rëndësia në vend e komprometon rëndë Kryeministrin dhe legjitimitetin e tij, i cili në çdo rast është bërë mburojë për të dhe akuzat e ngritura ndaj tij dhe të tjerëve.

Kohë më parë u tha në media që edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u largua nga detyra pikërisht për çështjen Dako, e cila kthehet përsëri e më me forcë në qendër të debatit politik. Dosja e publikuar nga BIRN dhe “Zëri i Amerikës” kthen përsëri vëmendjen tek akuzat e rënda për shitblerjen e votave me ndihmën e krimit të organizuar, akte këto që i shndërrojnë zgjedhjet në një rit banal fasade demokratike. Po ashtu, leximi me vëmendje i kësaj dosjeje të bën me kuptue sesi tentakulat e politikës hyjnë kaq thellë në sistemin e drejtësisë, duke larguar në mënyrë “misterioze” prokurorët që ndjekin hetimet për në qytete të tjera. Interes zgjon momenti kur rimerret kjo dosje dhe nga kush rimerret! Pikërisht nga BIRN dhe “Zëri i Amerikës”, media shumë afër qëndrimeve zyrtare amerikane. Këto media, kohët e fundit, i kanë qitur shumë zavalle Edi Ramës dhe ministrave të tij.

Akuzat për përfshirjen e krimit dhe drogës në proceset elektorale janë prej disa vitesh kryefjalë e ligjërimit opozitar. Për pak javë hapet edhe de jure hapet fushata elektorale për zgjedhjet lokale. Qëndrimi i PDsë dhe LSI-së është ende i paqartë. Rishfaqja e kësaj dosjeje është një gjyle e artë për topat e opozitës, e cila dëshiron të bëjë copë e grimë koshin e basketbollit në zyrën e Kryeministrit. Ajo shpluhuroset në një kohë delikate kur zgjedhjet e reja janë të pragu, opozita te dera e Ramës dhe “Zëri i Amerikës” në dritare. Po hyjmë në një stinë kureshtare, ku mandati dytë i Rilindjes po merr goditje të rënda në legjitimitet. Çdo ditë e nga pak pret gjymtyrët e veta. Një ditë këmbët, më pas duart me shpresën që na ka verbuar sytë tanë për ta vërejtur dhe prerë gjuhen për të belbëzuar me mekanizmat e Xhuxhit dhe bekimet e Edit. “Sheh Zoti dhe Amerika”, thonë pleqtë në sokaqe tek kruajnë fytin nga kolla e tyre e thatë./Panorama

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.