Por sot, ashtu siç ndodh thuajse gjithmonë me shqiptarët, – ku, atë çfarë fitojnë me sakrificë në përballje fizike, e humbin pak e nga pak në politikë, – regjimi është rikthyer duke kapur çdo fushë të jetës. Trashëgimtarët e tij i gjen sot të kapardisur nëpër kolltukë duke sunduar ende politikën dhe çdo hapësirë nga buron çdo gram pushtet. Bijtë e funksionarëve të lartë të Partisë së Punës, por edhe njerëz të inkriminuar në strukturat e atij regjimi, sundojnë kudo në, politikë, ekonomi, kulturë, e madje, tashmë edhe në botën e krimit e trafiqeve. Kjo ndodh ironikisht, ditën për diell, në një kohë kur viktimat e tyre, rropaten gjyqeve e dikastereve për të kërkuar të drejtar që nuk i fituan kurrë.

Cinizmi qendron se, jo vetëm që krimet e diktaturës kanë mbetur të padënuara dhe të vërtetat të pazbardhura, por bijtë e saj po guxojnë të ringjallin vetë figurën e Faraonit. Portretet e vetë Enver Hoxhës valëviten serbes deri në ceremonitë zyrtare të qeverisë, figura të larta politike guxojnë të relativizojnë kriminalitetin e diktaturës, ndërsa një armatë historianësh, na tregon përralla me hidrocentrale, fabrika e kantiere, të ndërtuara nga partia, si fryte të një revolucioni industrial që i dha hov zhvillimit të vendit gjatë asaj periudhe.

Ka kohë që Enver Hoxha është kthyer në vëmendje, i ricikluar nga një prirje revanshiste që shfaqet tek aktorë të shumtë në opinionin publik, kryesisht nga bota akademike dhe ajo politike. Historianë e akademikë na thonë se duhet ta shohim figurën e Enver Hoxhës në mënyrë të ftohtë, larg ndjeshmërive e qendrimeve morale, me të mirat dhe të këqijat e tij. Ata e shesin këtë për objektivitet shkencor, duke qortuar çdo përfundim etik, a thua se të konsiderosh një vrasës si “kriminel” qenka jo-objektive dhe joshkencore! Kjo logjikë pohon se për të qenë objektiv duhet të pohosh doemos edhe disa të mira për kriminelin, përndryshe gjykimi mbetet emotiv dhe i anshëm. Objektiv, sipas kësaj logjike, është vetëm ai arsyetim që distancohet nga vlerat dhe humaniteti i gjykuesit.

Kemi të bëjmë me një tabor intelektualësh, të ngarkuar me militantizëm ideologjik e politik, që kërkojnë ta kontrabandojë Enverin nëpërmjet një retorike historiciste, manipulative, të shkartisur me vlera patriotike si ambalazh. Pjesëmarrja e tij në luftë (ndonëse në rrethana shumë kompromentuese) në një logjikë të ngurtë faktologjike, çon ujë në retorikën enveriste që përpiqet ta ekspozojë diktatorin me petka heroike. Po kështu, hapat e dështuara të ekonomisë komuniste për industrializimin e vendit, të shikuara në mënyrë fragmentare, jashtë tablosë së përgjithshme të mjerimit ekonomik ku ato u ndërmorën, ofrohen në emër të relativizmit, si antitezë për qendrimin antienverist, që dënon diktaturën si një sistem që mbolli varfërinë dhe skamjen.

Kjo retorikë shpie në një dialektikë ku palët asgjësojnë njëra-tjetrën dhe enverizmi mbetet të rrëfehet në terma asnjanës, përtej të mirës dhe së keqes. Argumente të tillë, të servirura në mënyrë të orkestruar nga një armatë akademikësh e politikanësh, pa as më të voglin dyshim, përbëjnë një përpjekje për të rehabilituar shumë nga ajo çfarë ai regjim trashëgon në realitetin e sotëm.

Nga e gjithë kjo mund të themi se sot 24 vjet pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës kemi arritur të kuptojmë se rrëzuam shtatoren e Enverit, por jo enverizmin. Përkundrazi, enverizmi mbetet ende i gjallë duke frymuar në mentalitetin e njerëzve të tij që e skematizojnë botën në strukturat totalitare të të menduarit.

Por jo vetëm kaq. Enverizmi mbetet i gjallë në solidaritetin e njerëzve të tij të inkriminuar, në përpjekje për të mbajtur njëri-tjetrin, e bashkë me të edhe fantazmën e mynxyrës që i polli. Enverizmi rron akoma në një formë të re, të trashëguar tek bijtë e etërve të shndërruar tashmë në industrialistë e sipërmarrës që pasurohen me mjete korruptive e kriminale. Kjo formë e re e enverizmit kapitalist është edhe burimi kryesor i energjisë së kësaj mbijetese, teksa ideologët flokëbardhë nëpër katedra garantojnë vazhdimësinë dhe identitetin e kësaj metamorfoze, duke ruajtur si busull orientimi luftën e klasave.