Rritja e pagave, Xhafaj i ashpër me qeverinë: Më vret syrin ndarja që është bërë
Nuk besoj se këto kategori bëjnë punë më të dobishme se gjyqtarët dhe prokurorët
Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj ka kritikuar formulën e ndjekur nga qeveria për kategorinë që do të përfitojnë rritje page.

Xhafaj u ndal te institucionet e pavarura, duke theksuar se ata përfitojnë një pagë më të lartë gjyqtarët dhe prokurorët po ashtu edhe në raport me deputetët. Sipas tij këto kategori nuk bëjnë punë më të dobishme se gjyqtarët dhe prokurorët.
“Konstatoj që nuk ruhet hierarkia. Përkundrazi. Do të kemi njerëz që do të marrin shumë më tepër se funksione të caktuara. Ju e argumentoni me ndërhyrjet duke qenë se këto janë të parashikuara me ligj.
Pyetja ime është, ose më saktë ajo që unë kërkoj të sqaroj është a nuk kishte zgjidhje tjetër që të ndryshonit ligjet kuadër që të rregullojnë pagat për të rregulluar hierarkinë e tyre, ato që lidhen me sistemin e drejtësisë, duke e lidhur me funksione të tjera. Nuk ishte pengesë paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ajo që më vret syrin është që shikoj që disa paga me rritjen që kërkoni ju të bëni, të gjitha këto komisionet të shërbimit civil, këshilli kombëtar i radios, KQZ, mbrojtja e të dhënave personale në ndryshimin që bëhet e kalojnë pagën e gjyqtarit dhe prokurorit në mënyrë të ndjeshme.
Unë nuk besoj se këta bëjnë një punë më të dobishme se një gjyqtar dhe një prokuror. Po të marrim të gjithë këta komisione edhe në raport me deputetin janë shumë më lart. Nëse i marrim nga pikëpamja e hierarkisë dhe peshës që zënë nuk mund të jetë kështu. Është e papranueshme kjo lloj logjike”, tha Xhafaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



