Sali Berisha bën thirrje për protesta: Pjesëmarrja e rinisë rrëzon këtë regjim
Lideri historik i Partisë Demokratike, deputetë të PD-së dhe familjarët e Azem Hajdarit, zhvilluan dje homazhe në memorialin e liderit të protestës së studentëve në dhjetor të 1990.
Berisha dy nënkryetarët e PD-së, Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi e të tjerë vendosën lule në memorialin e Hajdarit më pas zhvilloi edhe një vizitë në familjen e liderit të lëvizjes së dhjetorit. Ndërkohë, në një aktivitet nga atje ku nisi protesta për rrëzimin e regjimit komunist në vitin 1990, Sali Berisha i bëri thirrje të rinjve dhe qytetarëve në tërësi që të ngrihen në protestë për të larguar qeverinë e Kryeministrit Rama që sipas tij, është një regjim i ri që ka rrezikuar liritë e qytetarëve.
“Asgjë më shpresëdhënëse se sa ju në këtë betejë nuk ka. Duhet guximi i rinisë. Është jetik për ta shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim, guximi, kontributi, angazhimi juaj. Gjërat duhet t’i shohim siç janë. Ishte një dështim i tmerrshëm historia e ish-kryetarit. Pse ishte i tmerrshëm? Ishte sepse ardhja e tij prezupozoi ardhjen e një gjenerate, ndryshim gjeneracional. Por kthehemi pak te studentët, përsëri. Ata u dërrmuan të shtunën në darkë dhe të dielën dolën prapë në betejë. Ne kemi humbur disa vite dhe kemi përgjegjësitë tona, në mënyrë të padiskutueshme, por nuk kemi alternativë tjetër përveç se të ngrihemi fuqishëm. Kjo fitore që është jetike sot për vendin, do të mund të jetë e afërt, e sigurt vetëm me firmën tuaj, me firmën e rinisë. Ndaj dhe unë, uroj dhe shpresoj që Azem Hajdari dhe vepra e tij të frymëzojë ju dhe shqiptarët për të rivendosur edhe njëherë liritë, për të ecur në rrugën dhe shndërrimin e vendit, në një vend të vërtetë europian”, tha Berisha.
AKUZAT
Ai u tha të rinjve që ishin në atë aktivitet se qytetarët do të vuajnë edhe më tepër nëse nuk ngrihen kundër Kryeministrit Rama që sipas tij, ka vendosur në rrezik liritë themelore të qytetarëve. “Sot, Edi Rama ka të gjitha pushtetet, mafien, krimin. Çfarë do të thotë kjo për ne. Guxim dhe vetëm guxim. Ju i shihni në një situatë shumë të komplikuar dhe me të drejtë mund të shtrohet pyetja se si mund t’i japim zgjidhje kësaj. Zgjidhje i jep ai që beson te vlerat tona, liritë e individit, familja, vendi, kombi. E shprehu Arbeni: Këta janë vlera të përjetshme. Kjo ekonomi e ndërtuar mbi mafien. Sipas shifrave të INSTAT-it, rritja ekonomike e vitit të kaluar ka qenë 9.3%.
Por instituti i statistikave e dëshmon që kjo është e tëra narko-rritje. Pse, sepse vetë ky Institut thotë se punësimi u rrit me 0.4 %. Male narkoeurosh. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe ne duhet t’i drejtohemi vlerave tona. Por nuk ka, vlera konservatore të pambrojtura me ligj. Funksionimi i ligjit dhe shtetit ligjor është kushti themelor për konservimin e vlerave konservatore dhe zhvillimin e tyre. Ndaj dhe për ne detyra më imediate është largimi i Edi Ramës. Edi Rama është një armik dhe do vuajmë prej tij, për sa kohë që ne nuk do të realizojmë që ky është një armik i egër i lirive tona. Është një armik i egër i lirive tona. Dhunon votën, ligjet. Krijon një klimë nga ku njerëzit vetëm largohen”, vijoi Berisha.
MODELI FRYMËZIMIT
Lideri demokrat i njeh vështirësitë përball qeverisë aktuale ndaj mbështetësve të tij dje ai u tregoi pak nga historia e protestës së studentëve të dhjetorit. Ndërsa Azem Hajdarin e mori si shembull për t’u motivuar.
“Azemi pati një jetë të shkurtër në politikë, por në historinë e lirisë së shqiptarëve, duhet të ju them unë këtu, se ai ka vend të përjetshëm dhe nuk di ndonjë tjetër si individë që mund të ketë bërë më shumë se ai personalisht për lirinë. Për ne shqiptarët pushtimi më i egër ka qenë diktatura staliniste e Enver Hoxhës. Sigurisht, liria kombëtare është liri kombëtare, por në rrafshin njerëzor shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një pushim barbar dhe të egër siç ka qenë diktatura staliniste e Enver Hoxhës. Tani ne jemi këtu dhe nëse do e titullonim këtë takim me shumë të drejtë mund ta quanim ‘dhjetori në rrezik, ’90 në rrezik’. Në fakt më shumë se në rrezik. Ronald Regan e ka thënë me gjenialitet se, demokracisë i duhet më pak se një gjeneratë për t’u zhdukur. Ne ku jemi sot. Nuk do të bëj një analizë, por sot jemi në kushtet e një pushteti identik të një personi. Kemi rikthimin e monizmit absolut në Shqipëri”, tha Berisha
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



