SHBA trondit Europën, paralajmëron tërheqjen nga NATO
Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur kërkesën që vendet evropiane të marrin mbi supe pjesën më të madhe të kapaciteteve mbrojtëse konvencionale të NATO-s deri në vitin 2027. Sipas zyrtarëve të Pentagonit, ky afat u komunikua gjatë një takimi në Uashington me diplomatë të disa vendeve evropiane.
Ky qëndrim, i raportuar nga disa burime që folën për agjencinë Reuters, nënkupton një ndryshim të ndjeshëm në mënyrën se si SHBA bashkëpunon me aleatët e saj në Aleancë. Nëse Evropa merr përsipër barrën kryesore, nga inteligjenca, te forcat tokësore e sistemet raketore, roli amerikan do të reduktohej ndjeshëm krahasuar me dekadat e mëparshme.
Nga ana amerikane është shprehur pakënaqësi për ritmin e ngadaltë me të cilin vendet evropiane kanë rritur kapacitetet mbrojtëse që pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022. Zyrtarët paralajmëruan se, nëse objektivi i vitit 2027 nuk përmbushet, SHBA-të mund të tërhiqen nga disa mekanizma të koordinimit brenda NATO-s.
Aftësitë konvencionale që Evropa pritet të marrë përsipër përfshijnë trupa, armatime dhe mjete mbështetëse jo-bërthamore. Megjithatë, zyrtarët amerikanë nuk kanë specifikuar se si do të vlerësohet progresi i shteteve evropiane drejt këtij objektivi ambicioz, i cili nga shumë kryeqytete shihet si i vështirë për t’u arritur brenda një periudhe kaq të shkurtër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



