Shembja e oligarkisë, ky është problemi.
Termin “oligarki” as e kam shpikur unë e as e kam gjetur unë në Shqipëri. Më të fundit që e kanë përdorur janë Basha në çadër dhe Meta në fushatë. Për ndonjë që s’e di, fjala “oligarki” do të thotë përqëndim i pushtetit në pak duar.
Hapni sytë e shihni se kush i ka monopolet ekonomike në këtë vend….
Hapni sytë e shihni se kush e drejton politikën e Shqipërisë në këto 27 vjet….
Hapni sytë e shihni se kush prodhon opinionin në këtë vend……
Hapni sytë e shihni se në sa pak duar është përqëndruar arti e kultura…..
Këto kryesoret që përmenda më lart e ca të tjera, përveç që kanë përqëndruar në pak duar atë pushtet që kanë përfituar, janë të lidhur fuqishëm me njëri – tjetrin e funksionojnë si një trup. Ti mund të jeshë , ta zemë, këngëtar i mirë, por po i pate thyer zemrën një biznesmeni nga oligarkia a një politikani të oligarkisë a një oligarku të medias, ti as në dasma s’këndon dot. Siç anasjelltas, ti mund të jeshë një mediokër noterik, por ngaqë i duhesh oligarkisë, jep mend televizioneve, ke një a dsa shtëpi të mira, ze kopertinat e revistave e sallave mondane….
Ajo që po shfaqet sot në betonizimin e Tiranës është një manifestim arrogant i oligarkisë ekonomike në zenithin e saj.
Ajo që u shfaq në zgjedhjet e 25 qershorit dhe në ato të pritshmet e 22 korrikut në PD janë manifestim arrogant i oligarkisë politike, apo më mirë, ekonomiko – politike.
Ajo që po ndodh në media, ku njeriu i thjeshtë është dëbuar prej 3 vitesh nga ekrani ndërkohë që 10 – 15 kokrra i marrin me rradhë ekranet dhe me pagesë pranojnë t’i thonë të bardhës së zezë e të zezës e bardhë për llogari të oligarkisë ekonomiko – politike është dëshmi e konsolidimit të këtij rregjimi.
Të parën goditje prej këtij rregjimi e ka marrë komuniteti i shqiptarëve me integritet. Ata që janë të ditur, shkolluar dhe mendojnë me mendjen e tyre dhe kanë respekt për vete. Këtyre u janë mbyllur para hunde dyert, duke i detyruar të ikin masivisht nga ky vend ose të ulin kokën e t’i nënshtrohen fatit. Jo paqëllim dhe masivisht, institucionet shtetërore janë mbushur me militantë injorantë, që aftësinë kryesore kanë të thonë “po” e të numërojnë paratë. Jo mëkot për bujqësinë, artin, shkencën, arsimin nuk flasin agronomë, artistë, shkencëtarë, dijetarë por politikanë apo opinionbërës me pagesë.
Të dytët janë shqiptarët në përgjithësi: pronarë të ligjshëm, ish të përndjekur, njerëz të ndershëm e punëtorë, militantë të majtë a të djathtë, pensionistë a punëtorë. Gjithë ata që nuk janë brenda vathës së oligarkisë. Në 27 vjet pasuritë kombëtare u privatizuan deri në gozhdën e fundit, por shqiptari i thjeshtë mbeti me gisht në gojë e me letrat me vlerë në sirtar. Kur nuk mbeti më asgjë për t’u privatizuar, kemi mbërritur tek shitja e shërbimeve, ose ato që njihen si konçensione. Të gjitha në duart e oligarkëve!
Sot si në vitin 1990 beteja nuk është mes të majtës e së djathtës, mes të resë a të vjetrës a pallavra të ngjashme. Konflikti i vërtetë është mes oligarkisë dhe shqiptarëve të rrjepur, vjedhur e nëpërkëmbur. Teatri politiko- mediatik shërben për të mbajtur të hipnotizuar njerëzit para ekraneve e më tej nëpër kafene me sherrin e stisur mes partive a brenda syresh. Në fund të gjitha përfundojnë me “marrëveshje” e askush nuk shkon në djall. Sepse janë pjesë e oligarkisë, për të mos thënë vetë oligarkia. Në muajt e fundit kjo e vërtetë po artikulohet përherë e më fort dhe po duket sikur po hapen sytë. Shpresoj që kjo të ndodhë jo shumë vonë…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



