Shoqëria e fatit, republika e lojës dhe surpriza e ligjit
ENIO CIVICI
Në 20 ditët e fundit, përtej vrasjeve dhe arrestimeve relativisht të bujshme, vëmendja totale është zhvendosur te shpërbërja akute që po pëson realiteti shqiptar. Vendimi fillimisht për të mbyllur e më pas për të shtetëzuar, ndoshta përkohësisht, aktivitetin e lojërave të fatit dhe të basteve është një ndër ngjarjet më domethënëse, me të cilën po përballet shoqëria jonë. Për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe mbi të gjitha cila është e ardhmja e afërt e parashikueshme, duhen ngritur pyetjet e duhura.
A ËSHTË ZGJIDHJE MBYLLJA TOTALE PËRFUNDIMTARE E TYRE?
Qeveria shqiptare sot do të votojë në Parlament një ligj shterues, i cili në thellësinë e tij ndalon përfundimisht këtë aktivitet në Shqipëri, të paktën deri në një organizim legjislativ dhe administrative të ri. Kjo do të ndodhë nën një presion të madh protestues jashtë dyerve të “shtëpisë së ligjeve”. Sigurisht, që masat drastike ekzistojnë në harmoni me përplasjet dhe këtë herë nuk ka pse të jetë ndryshe. Për të kuptuar a po bëjmë veprimin e duhur, mjafton të kujtojmë rastin e Francës. Në vitin 2010, Policia franceze mbylli 3 nga kazinotë më të mëdha në zonën jugperëndimore të territorit të saj. Sipas qeverisë së kohës, problemi nuk lindte nga frekuentimi qytetar i këtyre ambienteve, por nga kontrolli mafioz që po i bëhej kësaj industrie nga klanet korsikane. Dhe më tej, bërthama e stresit shtetëror e kishte zanafillën në faktin se kjo industri funksiononte në bazë të një ligji të vitit 1901. Për pasojë, qeveria franceze rimodeloi në kohë dhe në teknologji regjimin ligjor të ekzistencës së lojërave të fatit. Përfundimi? Reduktim me 65% të bizneseve që operonin në këtë industri si dhe kufizimi i tyre në zona periferike dhe ambiente shumë të kontrolluara. Unë mendoj se kjo ndërhyrje duhet të aplikohet dhe në Shqipëri dhe besoj se ky do të jetë hapi i radhës së qeverisë dhe Parlamentit shqiptar në vitin e ardhshëm. Kjo, sepse problemi i mbi 7000 të punësuarve në këtë industri në Shqipëri nuk mund të adresohet thjesht me trajnime profesionale, pasi në të shumtën e rasteve ka për të sjellë emigrime të shtuara, të cilat nuk kanë munguar këto vite. Problemi tjetër i ambienteve tregtare, të cilat do të lirohen, është po ashtu i ndjeshëm, edhe pse nuk janë të pakta bizneset shqiptare apo agjencitë imobiliare, të cilat kërkojnë hapësira për të operuar. Çfarë ne duhet të kërkojmë të dimë e mbi të gjitha të hulumtojmë për ta arritur është sqarimi nëse kjo industri do të zhduket fare apo do të shtetëzohet. Duke marrë eksperiencën e vendeve si Irlanda, Franca, Italia apo shteteve të tjera të prirura për politika të majta, shtetëzimi duket se është versioni më i mirë i mundshëm i kontrollit të këtij sektori. Duke lexuar ligjin, duket se dhe qeveria shqiptare po shkon në të njëjtin drejtim, por ende pa specifikuar se si do të funksionojë kjo veprimtari nën çadrën e ngrohtë dhe të “ngatërruar” të aparatit shtetëror. Kujdesi i ardhshëm duhet të fokusohet pikërisht këtu, tek aftësitë operacionale, monitoruese dhe mbi të gjitha antikorruptive që duhet të jenë prezente në legjislacionin konkret të ardhshëm mbi lojërat e fatit. Mos harrojmë që për këtë duhet një shtet funksional dhe i drejtë!
A DUHET TA BESOJMË KËTË NDËRHYRJE DERI NË FUND? A ËSHTË THJESHT NJË KARTË ELEKTORALE E MOMENTIT?
Nuk janë të paktë ata, të cilët mendojnë se në vitin e gjashtë të një qeverisjeje, si pasojë e konsumimit politik, secila qeveri do të ëndërronte një kartë elektorale në favor të saj. Për një sy skeptik dhe të kujdesshëm, me të drejtë, ky vendim i beftë, i përmban të gjithë elementët për t’u konsideruar elektoral dhe sezonal. Arsyeja përse pak njerëz, përveç opozitës, nuk e konsiderojnë ende të tillë, është pikërisht prej plagës serioze sociale që po tenton të mbyllë dhe prej dëshirës së familjeve shqiptare për të qenë e vërtetë. Ky ligj dhe e gjithë iniciativa, nëse është e sinqertë, për të shkatërruar ëndrrën absurde të pasurimit të menjëhershëm të shqiptarit, janë dy shkallë që do të dërgojnë më lart shëndetin e shoqërisë tonë. Por njësoj, nëse është thjesht elektorale, atëherë do të jetë ndër të rrallët “boomerang”, që qeveritë dhe vendi ynë kanë përjetuar në histori.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



