Skandali/Afera korruptive e incineratorit të Tiranës — koncesioni 128 milionë euro i jepet një kompanie guackë
Landfilli dhe impianti i djegjes së plehrave (incineratori) të Tiranës do të ndërtohet me koncesion nga kompania Integrated Energy B.V., që ishte edhe ofertuesja e pakërkuar e këtij koncesioni.
Njoftimin për shpalljen e fituesit të koncesionit e bëri Ministria e Mjedisit, e cila është dhe autoriteti kontraktues. Sipas njoftimit, Integrated Energy B.V. ishte e vetmja kompani që mori pjesë në tender duke bërë një ofertë prej 128 milionë eurosh për koncesionin 30 vjeçar.
Tenderi për “Dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimi i vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë” për një periudhë 30 vjeçare u hap pak ditë para zgjedhjeve.
Mënyra e financimit të koncesionit dhe termat e tij nuk janë bërë publike, ndërkohë që vetë kompania fituese dhe përfshirja e saj në ndërtimin e impiantit djegës është një histori që ka të gjitha tiparet e një historie korruptivo-kriminale.
Integrated Energy B.V. është kompani guackë e regjistruar si në Hollandë më qershor 2016. Çuditërisht, gati tre muaj para se të regjistrohej dhe ekzistonte ligjërisht, në maj 2016 ajo paraqiti propozimin e pakërkuar për ndërtimin e incineratorit të Tiranës në Ministrinë e Mjedisit.
Qeveria e pranon këtë propozim dhe pas vlerësimit të tij, vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit dhe incineratorit. Më 7 dhjetor 2016, qeveria miratoi një vendim, i cili i jep kompanisë Integrated Energy B.V. një bonus prej tetë për qind të pikëve në procedurën e konkurimit.
Relacioni i Ministrisë së Mjedisit, i cili shoqëron vendimin e mësipërm, shprehet qartë se kompania private do të ofrojë një shërbim për qytetarët, për të cilin do të paguhet direkt nga shteti, nëpërmjet pagesës direkte me tarifa ende të papërcaktuar nga bashkitë që janë pjesë e qarkut Tiranë, si dhe përmes shitjes së energjisë së prodhuar nga plehrat tek KESH dhe shitjes së materialeve të riciklueshme që do të përftohen nga plehrat.
Fakti që një kompani mund të shfaqë interes dhe të bëjë vlerësim ekonomik te invesitimit pa ditur tarifën e plehrave ngre dyshime se kompania ka siguri që kjo tarifë do jetë në favor të saj, që hedh dyshimet e para për lidhje korruptive të saj.
Skandali thellohet pasi për ketë projekt që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm ne publik per qindra mijëra qytetarë, nuk është bërë dëgjese publike dhe nuk është bërë publik asnjë vlerësim i ndikimit në mjedis nëse një i tillë është berë siç kërkohet ligjërisht.
Në VKM e çeljes së koncesionit pohoet se:
Duke qenë se kemi të bëjmë me një akt me karakter individual dhe është një projekt-vendim dhe jo ligj, propozimi nuk ka kaluar përmes procesit të konsultimit me publikun.
Me këtë “argumentim” skandaloz qeveria ka justifikuar shmangien e dëgjesave me publikun, çfarë është detyrim ligjor, i cili buron nga Konventa Aarhus për çdo plan, projektet, akt, ndërtim apo veprim tjetër me ndikim në mjedis.
Duhet sqaruar se Konventa Aarhus, si konventë ndërkombëtare, ka precedencë edhe para Kushtetutës së vendit dhe shkelja e saj duke mos zhvilluar dëgjesa publike është shkelje e hapur e ligjit dhe e të drejtave të qytetarëve të sanksionuara neë ketë akt ndërkombëtar.
Cila është Integrated Energy B.V.?
Kompania që do të ndërtojë dhe shfrytëzojë impiantin e djegieve të plehrave Integrated Energy B.V. është e regjistruar në Hollandë më1 9 gusht 2016. Objekti i punës së saj është “zhvillimi i çdo lloj aktiviteti në fushën e përpunimit të mbetjeve, prodhimit të energjisë dhe aktivitet të njëjta, si vendore dhe financiare, si dhe mirëmbajtja dhe financimi i aktiviteteve”.
kompania-integrated-energy
Exit.al ka kontaktuar në numrin e shënuar në dokumentet e regjistrimit të kompanisë, i cili është në fakt numri i kompanisë FGG, kompanisë së punësuar për administrimin Integrated Energy B.V. Por në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, FGG mohoi që Integrated Energy B.V. të jetë klient i saj.
Kapitali fillestar i Integrated Energy B.V., e cila pretendon të investojë 128 milionë euro, është vetëm 50 mijë euro dhe kompania nuk ka asnjë person të punësuar.
Në bordin drejtues të Integrated Energy gjendet shqiptari Klodian Zoto, pronar i kompanisë, dhe partneri i tij në biznes Ernesto Granelli, inxhinier në kompaninë Energy Recuperator Spa.
Klodian Zoto është, gjithashtu, pronari i kompanisë Integrated Technology Services, e cila do të ndërtojë një incenerator mbetjesh në Fier, pavarësisht protestave të banorëve dhe mungesës së konsultimeve me publikun për projektin.
Në bordin e kompanisë shërbejnë, gjithashtu, Thomas Walter Hansmann, drejtor i kompanisë Paul Wurth India Private Ltd. dhe Hans Wallage, përfaqësuesi i ANT Managment, kompani e specializuar në krijimin e strukturave financiare që mund të përdoren për fshehjen e evazionit fiskal.
Për të përfunduar me emrat e Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Werf, të cilët punojnë të dy për SGG Group, kompani e cila ofron shërbime financiare në shumë vende të botës dhe e është specializuar në ndërtimin e kompanive të formës “trust”, shpesh të përdorura për evazion fiskal.
Në dhjetor të viti 2014, Zyra e Hetimit për Mashtrime Financiare në Mbretërinë e Bashkuar (SFO) filloi hetimin e SGG Group, pasi kompania “kishte shitur aksione fallco në një kompani të prodhimit të karburantit bio në Kamboxhia […] Vlera e përgjithshme e mashtrimit ishte rreth 23 milionë paund britnakë.”
Përveç mashtrimit, SFO zbuloi gjithashtu se një nga drejtorët e SGG Group kishte marrë bakshish për të prodhuar fatura fallco shitjeje, të cilat i jepnin të drejtë agjentit të merrte komisione të mëdha nga fondet e investimit. Dënimi i kompanisë SGG Group ishte i pari dënim nën ligjin mbi mashtrimet në Mbretërinë e Bashkuar.
Pak javë më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj mori zytarisht nën kontrollin e plotë kompaninë EcoTirana, shoqëria aksionare që menaxhon mbledhjen e plehrave në Tiranë, duke përjashtuar Këshillin Bashkiak nga çdo vendimmarrje lidhur me financat dhe aktivitetet e saj. Kjo do të thotë se e gjithë trajektorja e mbeturinave në Tiranës, nga hedhja deri tek grumbullimi, riciklimi, djegia e tyre do të ndodhë plotësisht pa asnjë llogaridhënie ndaj qytetarëve./exit
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


