Skema e tjetërsimit të tokave në Spitallë/ Në hetim Bashkia dhe “Ina” shpk që fitoi 1 mln €

Prokuroria e Durrësit po heton rolin e Bashkisë, Qarkut dhe të paktën një kompanie private, “Ina” shpk, në kuadër të skandalit për tjetërsimin e rreth 500 mijë metra katrorë tokë publike në zonën e Spitallës.

Më herët, gjatë javës që lamë pas, prokuroria  njoftoi arrestimin e disa ish-zyrtarëve të Hipotekës dhe individë që kanë përfituar pronë padrejtësisht, ndërkohë që për disa të tjerë u vendosën masat e detyrimit për paraqitje.

Ata akuzohen të gjithë së bashku se kanë krijuar kushtet për tjetërsimin me dokumenta të falsifikuara të rreth 150 mijë metra katrorë, të cilat më pas iu shitën personave të tretë dhe kompanive të ndryshme.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se personazhi më i dukshëm në këtë skemë është “Diti”, i identifikuar nga Prokuroria e Durrësit si Ardit Kërtusha, një eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste në qytet në kohë e realizimit të kësaj afere, në vitin 2019.

Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e rreth 500 mijë metrave katrorë tokë, nga të cilat 150 mijë lidhen me personat e arrestuar deri më tani.

Toka “pa zot”

Sipërfaqja e tokës që dyshohet se është tjetërsuar, gjendet në zonën e Spitallës. Deri në vitin 2018, për atë tokë, e cila rezultonte pronë-shtet, nuk ka pasur thuajse asnjë interes. E gjendur në mesin e kurrkundit, pa infrastrukturë rrugore dhe e panevojshme për bujqësi, ajo ishte thjesht një “tokë pa zot”, ku pronari, Bashkia, as nuk e kishte të llogaritur në interesat e saj.

Në foto: Harta e Zonës Ekonomike të Spitallës në Durrës

Por, kur fillimisht qeveria vendosi që aty pranë të ndërtohej Porti i hidrokarbureve, në vitin 2018 dhe, më tej, kur u vendos që në atë hapësirë të zhvillohej Zona e re Ekonomike Tregtare, atëherë u zgjuan interesat e personazheve të ndryshëm.

Pikërisht në këtë periudhë nisi edhe ‘skema e tjetërsimit”, referuar gjithnjë të dhënave që ka siguruar deri më tani Prokuroria e qytetit bregdetar.

Fillimisht janë përdorur individë pa tokë, të cilëve u është siguruar një pagesë për të nënshkruar dokumenta sikur janë pronarë. Më tej, këta “pronarë” ua kanë shitur tokën një pale të dytë për një çmim relativisht të lirë. Dhe, këta “pronarët e dytë”, më tej, e kanë shitur të njëjtën tokë për një çmim shumëfish më të lartë, brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Bli lirë, shit shtrenjtë”

Rreth fundit të vitit 2018 e në fillim të vitit 2019, Lirim Xhameta, një fshatar nga Spitalla që nuk kishte pasur asnjëherë tokë, kontaktohet nga “Diti” (Ardit Kërtusha), i cili i premton ta bëjë pronar në një sipërfaqe toke.

E vetmja gjë që duhet të bënte 60-vjeçari ishte të nënshkruante disa dokumenta para noterit dhe për këtë shërbim do të paguhej 200 mijë lekë të reja. Xhameta, për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike, pranon këtë ofertë “bujare”.

Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Xhameta, bashkëshortja dhe djali i tij, në 20 Prill 2019, nënshkruan disa letra para një noteri, të cilët ata nuk i kanë parë dhe lexuar.

Sipas atyre letrave, Lirim Xhameta, i cili sipas atyre letrave ishte njohur “fiktivisht” si pronar i katër parcelave me sipërfaqe totale 75 mijë metra katrorë, i jepte tagrat e shitjes së tyre një personi tjetër, Gjovalin Ndoci.

Ky i fundit, Ndoci, vetëm 20 ditë pasi mori “tagrat” e pronarit, i shet të katër sipërfaqet e tokës, konkretisht; Më datë 05.06.2019, me sipërfaqen 19,000 m2 në shumën 3,000,000 lekë, Shoqërisë INA shpk ; Më datë 05.06 sipërfaqen 25,000 m2 në shumën 4,000,000 lekë Shoqërisë INA shpk ; Më datë 19.06.2019 sipërfaqen 15,000 m2 në shumën 6,000,000 lekë Shoqërisë GUARNI TEK; Më datë 26.06.2019 sipërfaqen totale 16,000 m2 në shumën 4,000,000 lekë shtetasit Ilir Merkja.

Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se këto prona, menjëherë pasi janë shitur, janë rivlerësuar, po nëpërmjet dokumentave të falsifikuara. Bazuar në aktet e “rivlerësimit”, vlera e tyre është shumëfishuar.

Prona e blerë nga “Ina” shpk 3 milionë lekë, u rivlerësua 68.400.000 lekë të reja. Prona e blerë po nga “Ina” shpk me vlerë 4 milionë lekë të reja, u rivlerësua 57.600.000 lekë. Sipërfaqja e blerë nga “Guarni Tek” për 6 milionë lekë të reja u rivlerësua 54.000.000 lekë dhe sipërfaqja e blerë nga Ilir Merkja për 4 milionë lekë, u rivlerësua 90 milionë lekë të reja.

Në foto: Pjesë nga dosja hetimore, ku thuhet për blerjen lirë e shitjen shtrenjtë të tokës në Spitallë

Bazuar në këtë çmimin e rivlerësuar “fiktiv”, siç dyshon Prokuroria, kompania ‘Ina” i shiti këto pasuri tek palë të treta, duke arkëtuar vlera monetare shumë herë më të lartë se sa fatura e blerjes.

Këto diferenca të larta nga çmimi i blerjes tek ai i shitjes, si edhe fakti që rivlerësimi i pronave, duke rritur ndjeshëm vlerën e tyre dyshohet se është i falsifikuar, ka nxitur prokurorinë e Durrësit që të vijojë hetimet edhe rolin e kësaj kompanie në aferën e tjetërsimit të tokave të Spitallës.

Dyshimet mbi Bashkinë dhe Qarkun Durrës

Hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit janë fokusuar në rolin e zyrtarëve të Hipotekës për tjetërsimin e dyshuar si të falsifikuar të tjetërsimit të 500 mijë metra katrorë tokë në Spitallë.

Pjesa më e madhe e kësaj pasurie është pronë publike, përveç një pjese prej rreth 63 mijë metra katrorë që pretendohet nga shtetasi F.SH, individi që ka bërë kallëzimin dhe që po vijon një proces në Gjykatën e Lartë për njohjen si bashkëpronar në ato toka.

Prokuroria e Durrësit ka konstatuar një pasivitet të tepruar të pronarëve ligjorë të asaj sipërfaqe toke, të cilët janë Bashkia dhe Këshilli i Qarkut Durrës.

Hetimi ka zbuluar se të dy këto institucione, më së paku, nuk kanë treguar asnjë lloj interesi për çfarë ka ndodhur në hapësirës së tokës në pronësi të saj, duke krijuar të gjithë kushtet që individët e përfshirë në skemën e tjetërsimit kanë vepruar lirisht, duke përdorur fillimisht dokumenta të falsifikuara për regjistrimin në Hipotekë dhe më tej shitjen e rishitjen e saj në duar të ndryshme.

Publikuar nga Publik Media