Socialistët fitojnë, por me kë do të bëjnë aleancë?
Shpetim Nazarko
Nuk është ndonjë histori simpatie dhënia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë ndaj pyetjes se kush i fiton zgjedhjet. Është thjesht një përgjigje e bazuar në historinë 25-vjeçare të pluralizmit, ku socialistët thuajse gjthnjë janë forcë e parë.
Çështja që ngrihet në formën e pyetjes së drejtpërdrejtë është: A do të jenë ata në krye të qeverisë së re pas zgjedhjeve të 25 qershorit, apo jo? Natyrisht që i pari që ia ka bërë këtë pyetje vetes është Rama, kur i hyri asaj forme marrëveshjeje me PD-në, e cila duket se do të mbetet për një kohë të gjatë në mendje, nisur nga forma e zgjdhjes së krizave analoge në Shqipërinë e pas 1990-s. Paskal Milo, diku u shpreh së fundmi se ai ka frikë për një takim të dytë Rama–Basha, çka nënkupton në minimum një marrëveshje më të gjerë midis dy partive të mëdha, apo ndryshe, fillimin e zyrtarizimit të daljes nga skena politike njëherë e mirë të partive të vogla. Milo mund të thoshte akoma që do të kemi një marrëveshje për të qeverisur të dy të mëdhenjtë bashkë. Një përgjigje jo të drejtpërdrejtë në lidhje me shqetësimin e tij e dha Basha, i cili, në një emision televiziv të ditëve të fundit, tha thjesht se ishte në favor të një sistemi mazhoritar. Që të ndodhë kjo, duhet të ketë marrëveshje midis dy të mëdhenjve…
Nuk mund t’i hyjmë teorive konspirative, se çfarë është arritur në takimin Rama-Basha, që zgjati gati 5 orë, por ajo që me siguri mund të thuash, është që Rama nuk ka improvizuar në moment, apo i bezdisur nga qëndrimi jo vetëm i çadrës, por edhe i aleatit bashkëqeverisës, i cili, gjatë gjithë kohës brenda një logjike politike normale, priste zgjidhjen e krizës, por të shoqëruar edhe me dobësimin e aleatit të madh… Strategji që pastaj të lejonte t’i kërkoje sa më shumë në aleancën e re paszgjedhore nga “torta e bashkëqeverisjes”. Nuk do t’i hyjmë diskutimit të arsyeve të Ramës për t’i dhënë kundërshtarit politik më shumë se “Paketa McAllister”. Mund të themi vetëm se Duka i Partisë Agrare, nuk ka të drejtë kur thotë se Basha e zhveshi nudo Ramën nëpërmjet asaj që i mori. Kjo kur Rama dha më shumë se i kërkuan të huajt… E kam shkruar pak më parë se në rastin makiavelik, Rama i rrëshqiti tri goditjeve njëherësh, çadrës, aleatit LSI dhe ndërkombëtarëve. Në rastin e mirë, bëri aktin e një qeveritari që sheh më larg se të tjerët dhe llogarit po më gjatë se ata të nesërmen e tij dhe të vendit që qeveris.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



